Aktualitet

Çfarë shkruajnë mediat e huaja për akuzat e ngritura nga SPAK ndaj Berishës

Shkruar nga Liberale
Çfarë shkruajnë mediat e huaja për akuzat e ngritura nga

Problemet e dyshuara të rënda me ligjin në Shqipëri nga ish- kryeministri, Sali Berisha, i cili ka shfrytëzuar postin e lartë si kryeministër për të favorizuar dhe pasuruar dhëndërin e tij, Jamarbër Malltezi, që aktualisht ndodhet pas hekurave të burgut, kanë gjetur jehonë edhe në mediat më të rëndësishme ndërkombëtare si Reuters dhe Associated Press.

Sipas këtyre dy agjencive të rëndësishme të informacionit botëror, prokurorët shqiptarë e kanë akuzuar ish-kryeministrin, Sali Berisha dhe dhëndrin e tij “për korrupsion”, lidhur me një çështje trualli ndërtimi që përfshinte terrenet sportive të një klubi të njohur sportive.

Kjo është bërë e ditur nga hetuesit të dielën.

Në aktakuzën e saj, Prokuroria e Posaçme për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, e njohur si SPAK, tha se “Berisha përdori ndikimin e tij si kryeministër nga viti 2005 deri në 2009 për të ushtruar presion “për përfundimin e procedurave të privatizimit në favor të të tjerëve, përfshirë burrin e vajzës së tij”, shkruan agjencia e mirënjohur e lajmeve “Rueters”, në një artikull rreth kësaj çështje.

Procedimi penal, shkruan më tej agjencia, filloi në vitin 2020, kur ministri aktual i Brendshëm, Taulant Balla akuzoi Berishën, si të përfshirë në privatizimin e terreneve dhe objekteve të tjera sportive që i përkisnin FC ‘Partizani’ në kryeqytetin Tiranë, të cilat, më pas, u zëvendësuan me ndërtesa shumëkatëshe.

Berisha ka akuzuar kryeministrin aktual Edi Rama se ka orkestruar të gjithë çështjen.

“Ai urdhëroi prokurorët e tij mercenarë. Akuzat janë të pabaza dhe janë sulme të drejtpërdrejta politike të Edi Ramës kundër meje”, tha Berisha për gazetarët, citon Reuters.

Në vitin 2021, Shtetet e Bashkuara ndaluan hyrjen e Berishës dhe familjes së tij duke thënë se si kryeministër ai ishte përfshirë në “akte korruptive, si shpërdorimi i fondeve publike, duke përfshirë përdorimin e pushtetit të tij për përfitimin e tij dhe për të pasuruaraletatët e tij politik, si dhe anëtarët e familjes së tij”.

Associated Press: Berisha shfrytëzoi pozicionin si kryeministër

Edhe e mirënjohura Associated Press, shkruan se zyra e Prokurorisë Speciale Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar pretendon se dhëndri i Berishës ka shfrytëzuar pozicionin e Berishës si kryeministër për të privatizuar tokën në Tiranë në pronësi të ministrisë së Mbrojtjes duke pretenduar se ua ktheu pronarëve të saj të mëparshëm, por që e shitën menjëherë me çmim të ulët. Në këtë truall më pas, dhëndri i Berishës, Jamarbër Malltezi ndërtoi pallate.

Agjenci kujton se akuzat vijnë tre vjet pasi ministri i Brendshëm Taulant Balla, në atë kohë kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste në pushtet, dërgoi në prokurori një dosje me akuza kundër Malltezit dhe Berishës.

Që pas shpalljes non grata nga SHBA-të, sipas agjencisë, Partia Demokratike, partia kryesore e opozitës së Berishës, është e përfshirë në konflikte të brendshme me fraksione të ndryshme që luftojnë për udhëheqjen e partisë dhe regjistrimin e saj ligjor.

“Lufta kundër korrupsionit ka qenë “thembra e Akilit” e Shqipërisë postkomuniste, duke ndikuar fuqishëm në zhvillimin demokratik, ekonomik dhe social të vendit. Berisha ishte zyrtari i katërt i lartë shqiptar që iu ndalua hyrja në Shtetet e Bashkuara për shkak të përfshirjes së dyshuar në korrupsion”, thekson agjencia e lajmeve Associated Press.

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH