Aktualitet

Çfarë pritet të ndodhë në takimet e liderëve evropianë në Pragë?

Shkruar nga Liberale
Çfarë pritet të ndodhë në takimet e liderëve

Liderët e të gjitha shteteve evropiane, përveç Bjellorusisë dhe Rusisë (po ashtu edhe shteteve të vogla evropiane) do të takohen në Kështjellën e Pragës më 6 tetor për të diskutuar për çështjet që lidhen me situatën e sigurisë në kontinent, teksa lufta në Ukrainë po vazhdon. Ky takim po ashtu është për të lansuar Bashkësinë Politike Evropiane – një ide që fillimisht është promovuar në muajin maj nga presidenti i Francës, Emmanuel Macron.

Një ditë më pas, më 7 tetor, kryeqyteti çek do të jetë nikoqir i një samiti joformal të BE-së që po ashtu do të mbahet në Kështjellën e Pragës. Liderët nga 27 shtetet anëtare do të bisedojnë për sanksionet e Rusisë, për krizën energjetike, teksa kontinenti pritet të përballet me një dimër të vështirë.

Kush do të jetë pjesëmarrës i takimeve të Pragës?

Ftesat u janë dërguar liderëve të 44 shteteve evropiane, dhe sipas diplomatëve të BE-së, ka pasur “përgjigje pozitive nga të gjithë, por disa nuk kanë kthyer ende përgjigje përfundimtare”.

Merret vesh se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ende po heziton, sikurse homologu i tij turk, Recep Tayyip Erdogan.

Kryeministrja e re e Britanisë, Liz Truss, ende nuk ka vendosur nëse do të marrë pjesë, teksa raportohet se ajo po heziton të jetë pjesë e diçkaje që ka shumë “gjurmë gishtërinjsh” të BE-së në të. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, do t’i adresohet të pranishmëve përmes video-lidhjes për shkak të situatës së sigurisë në shtetin e tij dhe në vend të tij, në Çeki do të udhëtojë kryeministri ukrainas, Denys Shmyhal.

Këshilltarët e 44 liderëve janë takuar në Bruksel më 29 shtator. Prandaj, prospekti që liderët do të marrin pjesë është pozitiv, marrë parasysh edhe faktin që ministrat e Jashtëm nuk lejohet që të paraqiten së zëvendësues të liderëve të shteteve në këto takime. Afati i fundit për të konfirmuar pjesëmarrjen është po ashtu gjeneroz: kur të nisë takimi në orën 13:00 të 6 tetorit...

Çfarë saktësisht është Bashkësia Politike Evropiane?

Kjo bashkësi nuk zëvendëson organizatat ekzistuese politike, strukturat apo proceset dhe nuk ka për qëllim të krijojë një të re – të paktën në këtë fazë. Diplomatët e BE-së vazhdimisht theksojnë se BE-ja është vetëm “lehtësuese” dhe ky nuk është “proces që udhëhiqet nga BE-ja” ose ndonjë lloj i “BE++”, që kandidatët për anëtarësim në bllok apo shtetet e mundshme kandidate në Ballkanin Perëndimor dhe në fqinjësinë lindore duhet të frikësohen se do të zëvendësojë procesin e zgjerimit të bllokut evropian.

Nuk do të ketë deklaratë përfundimtare dhe as ndonjë deklaratë të shkruar në fund të takimit. Burimet e Radios Evropa e Lirë, që folën në kushte anonimiteti, thanë se ata duan të shmangin që fundi i takimit të përcillet me zënka“ lidhur me formulimet dhe veto për tekstin përfundimtar që gjithsesi do të ishte i lehtë në përmbajtje për shkak të listës heterogjene të të ftuarve”. Në fund të takimit mund të mos ketë as deklarime për media.

Pra, çfarë është Bashkësia Politike Evropiane? Në thelb është një platformë e re për liderët evropianë që të takohen një apo dy herë brenda vitit për të diskutuar për çështjet kryesore. Shumë kanë dyshime se një platformë e tillë është e nevojshme, duke pasur parasysh se veçse ekzistojnë struktura sikurse Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë dhe Këshilli i Evropës, dhe siç u shpreh një diplomat: “shumë gjëra kanë nisur vetëm me një takim, është fillimi i procesit dhe ne duhet të presim që të shohim se çfarë do të ndodhë më pas”./REL

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH