Kryesore

Çfarë presidenti do të jetë Biden?

               Publikuar në : 09:37 - 21/01/21 liberale

Në orët e tij të para si president, Joe Biden synon të godasë në zemër të trashëgimisë së politikës së presidentit Donald Trump, duke nënshkruar një seri veprimesh ekzekutive që përmbysin urdhrat e paraardhësit të tij për imigracionin, ndryshimet e klimës dhe trajtimin e pandemisë së koronavirusit

Demokrati Joe Biden, i cili ka punuar në Uashington që prej gjysëm shekulli, u betua të mërkurën si presidenti i 46-të i Shteteve të Bashkuara, në një ceremoni tradicionale në shkallët e Kapitolit të Shteteve të Bashkuara.

Presidenti Biden, në moshën 78-vjeçare, bëhet kështu udhëheqësi më i vjetër i vendit, pasi shërbeu për 36 vite si senator dhe tetë vite si nënpresident. Ai bëri betimin, duke u zotuar të zbatojë Kushtetutën dhe të mbrojë vendin ndaj të gjithë armiqve, të huaj dhe të brendshëm, në një ditë të ftohtë me erëra të forta dimërore.

Pak përpara tij, Kamala Harris, ish-senatore nga shteti i Kalifornisë, shteti amerikan me popullsinë më të madhe, u betua në detyrën e nënpresidentes, duke u bërë kështu zyrtarja më e lartë në historinë mbi dy-shekullore të Shteteve të Bashkuara. Ajo është me origjinë afrikano-amerikane dhe indiane.

Në fjalimin e tij, Presidenti Biden tha se “vullneti i popullit është dëgjuar dhe vullneti i popullit është marrë parasysh. Mësuam sërish se demokracia është e shtrenjtë dhe se demokracia është delikate. Në këtë moment, miqtë e mi, demokracia ka triumfuar”.

“Kjo është dita e Amerikës. Kjo është dita e demokracisë. Një ditë historie dhe shprese, rigjallërimi dhe vendosmërie”, shtoi ai. Presidenti Biden gjithashtu theksoi se “bashkimi është rrugëtimi në vazhdim”.

Ceremonitë e betimit u ndoqën nga tre ish-presidentë – Barack Obama, George Ë. Bush dhe Bill Clinton – por, kreu në largim i ekzekutivit, tashmë ish-Presidenti Donald Trump, nuk ndoqi 152 vite tradite ku presidentët marrin pjesë në ceremonitë e betimit të pasardhësve të tyre dhe u largua nga Uashingtoni më herët, drejt pronës së tij në bregdetin e Floridas.

Mungonin gjithashtu turmat e mijëra njerëzve që janë normalisht të pranishëm gjatë inaugurimeve presidenciale amerikane, për shkak të arsyeve të sigurisë dh frikës se njerëzit e mbledhur së bashku në Shëtitoren Kombëtare përpara Kapitolit do t’i shtonin numrit në rritje të infektimeve me koronavirusin në Shtetet e Bashkuara. Në vend të njerëzve, në Shëtitoren Kombëtare ishin vendosur mijëra flamuj amerikanë, me ngjyrat e kuqe, bardhë dhe blu që valëviteshin nga era.

Edhe numri i madh i personaliteteve të Uashingtonit që zakonisht ndjekin inaugurimet presidenciale ishte i kufizuar ndjeshëm me vendet pasi zotit Biden dhe zonjës Harris dhe bashkëshortëve të tyre – zonjës së parë Jill Biden dhe xhentëllmenit të dytë Doug Emhoff. Karriget e të ftuarve ishin vendosur në distanca të gjera në përputhje me kufizimet ndaj koronavirusit të rekomanduara nga autoritetet e shëndetësisë.

Ceremonia u zhvillua mes masave të jashtëzakonshme të sigurisë, me gardh të lartë metali, në majë të të cilit ishin vendosur tela me gjemba, përreth të gjithë vendndodhjes së ceremonisë së inaugurimit, pas raporteve të shërbimeve të zbulimit se mbështetës të Presidentit Trump të zemëruar nga humbja e çertifikuar nga Kongresi, mund të përpiqeshin të ndërprisnin ceremoninë.

Inaugurimi u zhvillua vetëm dy javë pasi mijëra mbështetës të zotit Trump sulmuan Kapitolin në përpjekje për të bllokuar çertifikimin nga ligjvënësit të votave të Kolegjit Elektoral që konfirmonin se zoti Biden mundi zotin Trump në zgjedhjet e muajit nëntor.

Një javë më parë, Dhoma e Përfaqësuesve ngriti akuza ndaj zotit Trump për nxitje të rebelimit duke u bërë thirrje mijëra mbështetësve të tij në një tubim më 6 janar që të shkonin drejt Kapitolit për t’u konfrontuar me ligjvënësit që po konfirmonin fitoren e zotit Biden. Megjithëse ka mbaruar mandati i tij katër-vjeçar, zoti Trump do të përballet me një gjyq në Senat gjatë ditëve në vazhdim.

Vendimet e para

Në orët e tij të para si president, Joe Biden synon të godasë në zemër të trashëgimisë së politikës së presidentit Donald Trump, duke nënshkruar një seri veprimesh ekzekutive që përmbysin urdhrat e paraardhësit të tij për imigracionin, ndryshimet e klimës dhe trajtimin e pandemisë së koronavirusit.

Zoti Biden të mërkurën do t’i jap fund ndërtimit të murit kufitar me Meksikën, do t’i japë fund ndalimit të udhëtimit nga disa vende me shumicë myslimane, të bashkohet me Marrëveshjen e Parisit për klimën dhe Organizatën Botërore të Shëndetësisë dhe të heqë miratimin e tubacionit të naftës Keystone XL, thanë ndihmësit e tij. Presidenti i ri do të nënshkruajë urdhrat pothuajse menjëherë pasi të bëjë betimin.

Pesëmbëdhjetë veprimet ekzekutive të tij janë një përpjekje për të kthyer mbrapsht katër vitet e fundit të politikave federale me një shpejtësi të jashtëzakonshme. Vetëm dy presidentë të kohëve të fundit nënshkruan veprime ekzekutive në ditën e tyre të parë në detyrë – dhe secili nënshkroi vetëm një. Por, zoti Biden, duke u përballur me pandeminë rraskapitëse të koronavirusit, ka për qëllim të demonstrojë një ndjenjë urgjence dhe kompetence. që ai argumenton se i ka munguar paraardhësit të tij.

“Mendoj se gjëja më e rëndësishme që mund të themi është që nesër të fillojë një ditë e re”, tha Jeff Zients, i zgjedhuri i zotit Biden për të drejtuar një zyrë të re të Shtëpisë së Bardhë që do të bashkërendojë qasjen e qeverisë federale ndaj pandemisë.

Urdhrat shtrihen përtej pandemisë. Zoti Biden synon të urdhërojë një rishikim të të gjitha rregulloreve dhe veprimeve ekzekutive të presidentit Trump, që konsiderohen të dëmshme për mjedisin ose shëndetin publik. Ai do të urdhërojë agjencitë federale që t’i japin përparësi barazisë racore dhe rishikimin e politikave që forcojnë racizmin sistemik. Ai do të anulojë një urdhër të presidenti Trump që synonte të përjashtonte qytetarë pa shtetësi amerikane nga regjistrimi dhe do të urdhërojë punonjësit federalë të bëjnë një zotim etik që i angazhon ata të mbështesin pavarësinë e Departamentit të Drejtësisë.

Susan Rice, këshilltarja e zotit Biden për politikat e brendshme, tha se presidenti i ri do të anulojë gjithashtu raportin e sapo-lëshuar të “Komisionit 1776” të presidentit Trump për të promovuar “arsimin patriotik”.

Këto veprime do të ndiqen nga dhjetëra të tjera në 10 ditët e ardhshme, thanë ndihmësit e zotit Biden.

Në veprimet e para nuk janë përfshirë hapa të menjëhershëm për t’u rikthyer në marrëveshjen bërthamore me Iranin që u braktis nga presidenti Trump dhe të cilën zoti Biden është zotuar ta rizbatoj.

Jen Psaki, sekretare e ardhshëm e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, tha se ndërsa nuk u përfshinë në urdhrat e ditës së parë, presidenti i ri do të anulojë në ditët në vijim ndalimin e Pentagonit për shërbimin ushtarak nga amerikanët transgjinorë si dhe qasjen e cila ndalon financimin amerikan për organizatat ndërkombëtare që kryejnë ose referojnë gratë për shërbime aborti.

Zonja Psaki tha se veprimet që do të ndërmerren të mërkurën janë të përqendruara në sigurimin e “lehtësimit të menjëhershëm” për amerikanët.

Në një përpjekje tjetër për të sinjalizuar një kthim në kohërat para Trumpit, Psaki tha se do të mbajë një konferencë për gazetarët të mërkurën vonë në një shenjë të angazhimit të administratës për transparencën. Shtëpia e Bardhë e zoti Trump kishte braktisur praktikën e informimit të gazetarëve çdo ditë.

Presidenti Trump largohet nga Shtëpia e Bardhë

Mandati i Presidentit Trump përfundon të mërkurën. Ai u largua nga Shtëpia e Bardhë paradite për një fluturim të fundit me avionin presidencial drejt rezidencës së tij të pushimeve në Florida.

P:as mbërritjes me helikopter në bazën ajrore Andrews në Uashington, presidenti mbajti një fjalim ku përshëndeti të ftuarit dhe foli për arritjet e administratës së tij. Para futjes në avion ai u përcoll me një ceremoni me tapetin e kuq, me bandë ushtarake dhe përshëndetje me 21 gjëmime topash.

Në të njëjtën kohë që presidenti mbërrin në Florida, në Uashington do të jetë në zhvillim ceremonia e inaugurimit të presidentit të ri, Joe Biden. Këtë radhë një traditë e vjetër do të thyhet, pasi Presidenti Trump nuk do të jetë i pranishëm në ceremoninë e inaugurimit të presidentit të ri.

E ardhmja e zotit Trump, përfshirë edhe ndonjë aspiratë politike, mbetet e paqartë.

“Duhet ta dini që lëvizja që nisëm është vetëm në fillimet e saj,” tha presidenti në një mesazh lamtumire të bërë publik të martën me një videoklip. “Nuk ka pasur diçka të ngjashme më parë. Bindja se vendi duhet t’u shërbejë qytetarëve nuk do të lëkundet, por do të forcohet nga dita në ditë”.

Presidenti Trump largohet nën hijen e një procesi të dytë gjykues, i vetmi president në historinë amerikane ndaj të cilit janë ngritur dy herë akuza për shkarkim të mundshëm. Nuk është e qartë se kur Senati mund ta fillojë gjykimin lidhur me rolin e tij në sulmin e dhunshëm të turmës ndaj Kapitolit më 6 janar.

Të martën, ai foli shkurtimisht për sulmin, duke thënë se amerikanët “ishin tmerruar” dhe se dhuna politike “nuk mund të tolerohet kurrë”.

Presidenti Trump përmendi edhe një numër nismash të politikës së jashtme të realizuara nga administrata e tij, përfshirë tërheqjen nga marrëveshja tregtare, e njohur si Partneriteti Trans-Paqësor si dhe nga Traktati i Parisit për Klimën, arritjen e një marrëveshjeje të re tregtare për Amerikën e Veriut si dhe tarifat ndaj importeve nga Kina.

“Rikthyem sovranitetin duke u ngritur për Amerikën në OKB dhe duke u tërhequr nga traktate që ishin në interes të palës tjetër dhe jo tonin,” tha zoti Trump. “Tani vendet e NATO-s paguajnë qindra miliarda dollarë më shumë se sa para administratës sime. Ishte shumë e padrejtë”.

Ai u shpreh se kishte qenë një “privilegj i jashtëzakonshëm” që shërbeu si president.

Presidenti miratoi edhe një numër faljesh të reja, përfshirë për ish-bashkëpunëtorë të tij.

Po ashtu, zoti Trump anuloi një urdhër ekzekutiv që kishte nxjerrë në fillim të administratës ku ish-zyrtarë amerikanë nuk lejoheshin të bëheshin lobistë për pesë vjetët e parë pas largimit nga detyra zyrtare. Kur e shpalli atë masë, presidenti e prezantoi si pjesë e përpjekjeve për të “tharë moçalin” dhe për të çrrënjosur korrupsionin në Uashington. /Gazeta Liberale

 


KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back