Analizë

Çfarë po ndodh në Shqipëri?

Shkruar nga Liberale
Çfarë po ndodh në Shqipëri?

Nga Spartak Ngjela

Ka vrasje enigmatike të njerëzve të fuqishëm të krimit, por pa autor.

Ka dyshime dhe "novela" me konspiracion dhe me fantazi gënjeshtrash, por ka edhe një  politikë të mjegullt që nuk e sqaron opinionin publik se çfarë po ndodh me krimin në Shqipëri.

Ka edhe fantazira kataliptike (të sëmura) të njerëzve që krijojnë patologjikisht katastrofa të ardhshme që do të vijnë në Shqipëri, dhe jo vetëm në Shqipëri, por edhe nëpër botë.

Gënjeshtra janë, sigurisht, por që shqetësojnë dhe trazojnë njeriun e thjeshtë.

Dhe të gjitha këto vinë e qarkullojnë mes qerthullit mediatik shqiptar, dhe gënjeshtarët fantastë fitojnë para.

Dhe shteti është spektator.

Ku e gjen të drejtën një televizion kombëtar që merr dhe vë të flasin të sëmurë psikik që paralajmërojnë fatkeqësi të mëdha natyrore në Shqipëri, jashtë çdo argumenti shkencor?

Po shteti shqiptar ku është futur, mos ndoshta edhe ky noton në patologjinë e të sëmurëve që fantazojnë epidemi dhe gjëma të mëdha të pritshme për shoqërinë shqiptare?

A ka kryeministër ky vend, apo ka vënë si të tillë një fallxhore që sheh filxhanët e kafesë?

Po qerthulli mediatik, ku, në ç'pozicion po ndodhet?

l.

Media krijon analiza me njerëz që nuk e dinë se çfarë është një dokument dhe si paraqitet ai si fakt i vërtetë historik. Dhe as që iu duhet e vërteta: u duhet vetëm lajmi i stisur për të krijuar audiencë, domethënë për të fituar para.

Kurse shteti aktual është i dobët përballë medias private. Madje, i lë këta televizione të tjetrin gënjeshtra se i përdor edhe qeveria vetë.

Gjithsesi, dihet që qeveritë e paafta shqiptare e kanë pasur dhe e kanë shumë frikë të vërtetën.

Askush sot në Shqipëri nuk e njeh gjendjen e vendit të tij. Ka shumë që kërkojnë të ikin drejt Evropës dhe Amerikës, por më të shumtit duan të ikin drejt Britanisë.

Kurse qeveria Shqiptare nuk është në gjendje të arsyetojë dhe të analizojë cili është shkaku. Kjo, siç duket, është e futur në një tension të interesit privat dhe hesht e ecën pa asnjë lloj shqetësimi social, se këta pushtetarë e dinë shtetin pronë për spekulim financiar privat.

Por, çfarë po ndodh me shoqërinë shqiptare?

Kjo është pyetja.

Por kjo pyetje as që është ngritur ndonjëherë nga qeveritë shqiptare në 30 vjet. E pra, cila është gjendja e shoqërisë shqiptare pas përmbytjes së regjimit të vjetër totalitar? Asgjë. Asnjë përgjigje nuk ka nga institucionet që duhet ta trajtojnë sociologjikisht shoqërinë shqiptare.

Kjo tani është thjesht një sëmundje e shtetit shqiptar që drejtohet në Tiranë nga qeveri që nuk dinë se çfarë është shtet, si dhe nga pushtetarë që  nuk e dinë pse kanë ardhur në pushtet.

ll.

Edhe kjo qeveria e sotme është  njëlloj si ato të tjerat: nuk investon asnjë qindarkë për studimet sociologjike të konflikteve të brendshme të shoqërisë shqiptare.

Pse ndodh kjo?

Kjo ndodh, sepse këto janë qeveri që vijnë nga zgjedhje pa emra individësh: sepse shqiptarët zgjedhin partinë. Kurse, kreu i partisë që ka fituar zgjedhjet, vjen e na ngre një qeveri me individë të panjohur.

Pse me të tillë?

Nuk kuptohet: por, për të gjithë kryeministrat që e kanë bërë këtë, që nga viti 2009 e deri më sot, mund të thuhet se këta, ose kanë qenë pa asnjë vlerë në njohjen e shtetit, tregut dhe demokracisë, ose kanë luajtur në interes të të huajve, historikë në armiqësi ndaj Shqipërisë dhe që duan shpërbërjen tërësore të saj.

Deri tani, askush nuk i analizon këto momente, dhe në vend që të arsyetohet se përse nuk ka evidencë shteti shqiptar, dalin për të shpjeguar "mendimtarët," katastrofistë.

Katastrofa kataliptike sot është vënë në qendrën e gënjeshtrës që kërkon të zëvendësojë shkencën në Shqipëri.

Dhe shqiptarët po jetojnë midis krimit të organizuar që vret ditë për ditë, paaftësisë së shtetit dhe gënjeshtrave të mitomaneve që paralajmërojnë vdekje masive madje edhe përmbytje e gjëma të tjera vdekjeprurëse.

Këta mitomanë në Shqipëri sot janë më qesharakët e kësaj kohe, por në Shqipëri mungon komedia që të tallet me ta dhe të çlirojë nga ankthi atë përqindje të shoqërisë shqiptare që u beson.

Pa çfarë janë katastrofistët shqiptarë?

lll.

Në çdo moment te kohës aktuale qeverisëse, vijnë e dalin në media katastrofistët, ata që deklarojnë shkatërrimin e jetës në tokë, dhe te ardhmen e njerëzimit në shkatërrim, por edhe të Shqipërisë. Janë qesharakë, por duhet të kenë brenda vetes edhe ligësi njerëzore.

Këta unë i quaj katastrofistë se janë në pritje të katastrofës, në vdekjen e miliona e miliona njerëzish, dhe dalin edhe te yjet, edhe te universi, por disa prej tyre edhe tokën e dinë të sheshtë.

Këta të gjithë nuk e dinë se Historia e Sistemit Tokësor ( Earth System Histori) është sot shkenca më e vështirë në Harvard apo edhe në universitetet e mëdha të Perëndimit, të Hindisë etj. Kurse katastrofistët tanë flasin për një holokhaust natyror, pa e njohur fare historinë e sistemit tokësor.

Po nuk janë as astronomë, por njerëz të thjeshtë që fantazojnë jashtë argumentit shkencor, dhe gjithmonë me fantazinë e  njeriut të sëmurë.

Dhe njeriu i thjeshtë i beson.

Pse i beson njeriu i thjeshtë këta?

Ky i beson sepse, ngritja e tij shkencore dhe intelektuale, nuk ekziston, dhe në raste të tilla këta individë i pushton frika.

Por këta në thelb, nuk kanë faj...

lV.

Njeriu i thjeshtë ka të drejtë të dyshojë në shkatërrimin e jetës në tokë, se kështu i ka thënë edhe feja që 400 vjet më parë. Por është edhe frika e të paditurit.

I padituri ka një frikë të përhershme brenda ndërtimit të tij psikik, e cila e torturon. Dhe kjo frikë e çon të besojë gënjeshtra për të ardhmen.

Sigurisht që, brenda formimit të tij, ai ka të drejtë, po ku e gjejnë të drejtën televizionet shqiptare që u japin hapësirë katastrofistëve antishkencë?

Dhe shteti duhet të ndërhyjë me ligj kundër një abuzimi të tillë.

Televizionet kombëtare nuk mund të reklamojnë injorancën ose fantazinë e sëmurë për shkencë.

Një televizion kombëtar duhet të krijojë programe të plota për historinë e sistemit tokësor, për sistemin tonë diellor dhe për kozmosin, dhe spekulimet e fantazisë antishkemcore nuk duhen lejuar me ligj të përfliten si përralla nëpër televizionet kombëtare.

Shkencën e drejtojnë katedrat shkencore të universiteteve të mëdha në rang botëror, dhe jo fantazistët e sëmurë.

Sot fantazistët e sëmurë po gënjejnë shoqërinë shqiptare dhe këta ecin brenda suazës së gënjeshtrës për të çliruar veten nga enigmat e frikshme që i sundojnë së brendshmi, vetë personalisht, deri dhe me patologji sëmundjesh psikike.

Kurse katedrat e universiteteve në Tiranë heshtin. Profesorët e shkencave qeshin me shtypin dhe televizionet e gjendjes së sëmurë, por vetë personalisht nuk duan të përzihen.

Kurse të gjithë këtë gjendje makabër e përjeton shumë rëndë një pjesë e shoqërisë.

V.

Zoti kryeministër i Shqipërisë!

Shteti është nocion serioz dhe në mbrojtje të jetës shoqërore, kush i lë këta mitomanë patologjikë të përrallave mitologjike që të flasin hapur gënjeshtra kataliptike për fatkeqësitë e mëdha që do të pllakosin në Shqipëri?

Përgjegjësia është e kryeministrit shqiptar që i sheh këta të marrë nëpër televizionet kombëtare, sheh gjithashtu edhe shqiptarët, që janë viktima të këtyre gënjeshtrave, dhe që  gjithë frikë për të ardhmen, blejnë thasë me miell e ushqime dhe i vendosin nëpër bodrume, dhe, si kryetar qeverie, nuk merr asnjë masë në ndalimin e kësaj gënjeshtre të madhe mediatike.

Çështja ky kryeministër që e sheh vetë gënjeshtrën kataliptike të mitomanëve shqiptarët nëpër televizionet private, dhe nuk i drejtohet ligjit për të mbrojtur qetësinë shpirtërore në Shqipëri?!

Por edhe duhet të kujtohemi se, shoqëritë e prapambetura, gënjeshtrën e kanë element sundues të shoqërisë. Dhe kjo, edhe pse nuk është krejt kështu për shoqërinë shqiptare, shteti me ligj duhet të ndalojë gënjeshtrën kataliptike që parashikon në absurd kataklizmat dhe epidemitë e mëdha që do të vijnë në Shqipëri, dhe që po trembin sistematikisht shoqërinë shqiptare.

Kjo sot është detyrë për qeverinë shqiptare dhe për Kuvendin e Shqipërisë. /Liberale.al/ 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH