Globi

Çfarë ndodh pas sulmit në urën e Krimesë? Raketa në Zaporizhzhia: 17 të vdekur

Shkruar nga Liberale
Çfarë ndodh pas sulmit në urën e Krimesë? Raketa

Dymbëdhjetë raketa ruse goditën qytetin e Zaporizhzhia, në Ukrainën jugore, tha kreu i administratës ushtarake të qytetit, Oleksandr Starukh, siç raportohet nga Ukrainska Pravda.

“Armiku përdori avionë taktikë për të kryer një sulm me raketa në qendrën administrative të rajonit (qyteti i Zaporizhzhia). Raportet paraprake tregojnë se avionët kanë lëshuar 12 raketa mbi Zaporizhzhia. Shumica e raketave goditën ndërtesat e banimit dhe shtëpitë private në një nga lagjet Zaporizhzhia. Një pallat nëntëkatësh është shkatërruar pjesërisht. Pesë shtëpi private u shkatërruan po ashtu. Infrastruktura është goditur. Njëzet makina u dëmtuan, raportojnë mediat e huaja.

17 persona humbën jetën në sulmin me raketa gjatë natës në Zaporizhzhia, në jug të Ukrainës. Shifra e  përkohshme u komunikua nga Anatoly Kurtev, sekretar i këshillit të qytetit. “Sipas të dhënave paraprake - shkruan ai – “janë shkatërruar pesë shtëpi private dhe rreth 40 shtëpi janë dëmtuar. Në këtë moment mësohet se kanë humbur jetën 17 persona”, thuhet sipas raportimeve të mediave lokale, ku ka edhe 44 të plagosur. Gjithashtu dje qyteti kishte pësuar një sulm që kishte shkaktuar 17 të tjerë të vdekur.

Të paktën tre civilë vdiqën dhe 14 të tjerë u plagosën pas sulmeve të djeshme ruse në rajonin Donetsk të Ukrainës lindore: kreu i administratës ushtarake rajonale, Pavlo Kyrylenko, raportoi në Telegram, siç raporton Ukrinform. “Më 8 tetor, rusët vranë tre civilë në rajonin e Donetskut: dy në Chasiv Yar dhe një në Bakhmut. 14 persona të tjerë u plagosën”, shkroi Kyrylenko, duke shtuar se për momentin është e pamundur të përcaktohet numri i saktë i viktimave në Mariupol dhe Volnovakha.

Trafiku hekurudhor përgjatë urës që lidh Krimenë me Rusinë, e dëmtuar dje nga një shpërthim i fuqishëm, aktualisht është i rregullt. Kjo është bërë e ditur në një shënim nga Ministria ruse e Transportit, e cituar nga agjencia Tass. "Aktualisht, trenat e mallrave dhe pasagjerëve në distanca të gjata lëvizin përgjatë urës së Krimesë sipas orarit standard", thuhet në shënimin në të cilin specifikohet se qarkullimi i pasagjerëve përgjatë linjave periferike do të rifillojë në orën 19:00.

Megjithatë, duket edhe një betejë ekonomike mes Lindjes dhe Perëndimit.

Evropa do të vuajë nga pasojat negative të refuzimit të energjisë ruse për 10-20 vitet e ardhshme. Kështu deklaroi zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov, i cituar nga TASS, duke shtuar se SHBA-të po përfitojnë nga kriza energjetike e Evropës duke e shitur gazin e saj "tre herë më shtrenjtë".

“Ne kemi nevojë urgjente për më shumë sisteme moderne të mbrojtjes ajrore dhe raketore për të shpëtuar jetë të pafajshëm. I bëj thirrje partnerëve të shpejtojnë dërgesat”, shkruan sot në një postim në Twitter ministri i Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba. /Liberale.al/ 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH