Aktualitet

Çfarë karakteri është kryeministri i ri Britanik

Shkruar nga Liberale
Çfarë karakteri është kryeministri i ri Britanik

Rishi Sunak është kryeministri më i ri i Britanisë së Madhe. Ai zëvendësoi në këtë post Liz Truss, e cila qëndroi në detyrë vetëm 44 ditë. Sunak do të jetë personi i parë me origjinë të huaj që do mbajë detyrën e kryeministrit, si dhe më i riu që nga viti 1812. Ai është 42 vjeç dhe një nga personalitet më të pasura financiarisht që ka mbajtur atë post.

Sunak është i martuar dhe ka dy fëmijë. Ai është një hindu dhe ka lindur në Southampton; babai dhe nëna e tij janë me origjinë indiane, por kanë lindur përkatësisht në Kenia dhe Tanzani dhe janë zhvendosur në Britaninë e Madhe në vitet 1960. Sunak studioi në Oksford, më pas në Stanford dhe për disa vite pas diplomimit punoi në financë; si analist në Goldman Sachs dhe më pas në fonde të ndryshme investimi.

Këto punë i krijuan mundësinë që të ardhurat e tij financiare të shtoheshin, por që u shumëfishuan në vitin 2009 pas martesës me sipërmarrësen Akshata Murthy, e cila zotëron një kompani mode, drejton një fond investimesh dhe është vajza e një miliarderi indian Narayana Murthy. Sunak dhe Murthy u përfshinë në listën më të fundit të 250 njerëzve më të pasur në Britaninë e Madhe.

Sunak u bë pjesë e partisë Konservatore që kur ishte në moshë të re, por vetëm kohët e fundit u kthye në politikë aktive; atëherë kur Boris Johnson e zgjodhi atë si kancelar të ri të Thesarit (ministri i Ekonomisë) shkurtin e kaluar, duke i çuditur të gjithë. Sunak ishte, në fund të fundit, një politikan i ri dhe pa përvojë: si shumë ministra të tjerë të Qeverisë, ai dukej se ishte zgjedhur kryesisht për aftësinë e tij për të qëndruar nën hijen e Johnson.

Menjëherë, pas emërimit të tij, Financial Times, shkroi se deri në atë moment Sunak kishte bërë një karrierë “pa gjurmë”, si në politikë ashtu edhe në financa dhe se askush nuk e dinte vërtetë se çfarë ministri do të ishte. Si ministër i Ekonomisë, në muajt e parë të pandemisë së koronavirusit, ishte vlerësuar shumë për mënyrën se si kishte menaxhuar ndihmën ekonomike për punëtorët dhe bizneset, duke arritur të siguronte që ata të merrnin pothuajse të gjithë ndihmën e nevojshme në një kohë të shkurtër.

Një nga nismat më kreative që ministria e tij prezantoi për të ndihmuar industrinë e restoranteve të rimëkëmbej, ishte se çdo produkt do të merrej me 50 për qind zbritje në çdo restorant që iu bashkua një programi qeveritar. Projekti u quajt “Eat Out to Help”, por zakonisht u përcaktua si Rishi Dishes, “Pjatat e Rishit”. Sunak ishte gjithashtu shumë i respektuar nga zyrtarët e qeverisë dhe konsiderohet si një punëtor i palodhur; në dy vitet e tij si ministër i Ekonomisë, ai nuk mori asnjë ditë pushim.

Popullariteti i Sunak u zbeh shumë këtë pranverë, pasi anuloi edhe disa nisma të shpenzimeve publike të promovuara gjatë pandemisë, por edhe për faktin se u përmend në disa skandale.  Një prej të cilëve ishte ai kur bashkëshortja e tij, nuk ishte me vendbanim në Britaninë e Madhe, një status që i lejonte asaj, pavarësisht se jetonte gjithmonë në Britani, të mos paguante taksa në vend. Kjo gjë i kishte krijuar asaj të mos paguante një shumë prej miliona paundësh. Gjithashtu, për shkak të studimeve të tij në Shtetet e Bashkuara, Sunak kishte një leje qëndrimi të përhershme në Shtetet e Bashkuara dhe disa herë ishte menduar të lëvizte me familjen e tij atje, duke shfaqur, sipas kritikëve të tij, pak lidhje me Britaninë e Madhe.

Në verë, Sunak kishte marrë pjesë në zgjedhjet paraprake për të zëvendësuar Johnson nga qeveria e të cilit kishte dhënë edhe dorëheqjen, por skandalet e tij, ishin mjaft të freskëta në kujtesën e elektoratit. Për më tepër se propozimet e tij ishin shumë më pak ambicioze se ato të Truss. “Liz, po u premton të gjithëve gjithçka”, tha ai për BBC në muajin gusht. “Unë nuk mendoj se jeta është kaq e thjeshtë dhe kam bindjen se premtimet e saj po rrezikojnë ta vështirësojnë situatën”, u shpreh ai. Nju Jork Times, vuri në dukje se qëndrimi i tij i kujdesshëm dha rezultat në një plan afatgjatë.

Ai konsiderohet si një politikan pragmatik që i përket krahut të djathtë të partisë (në vitin 2016 ai votoi pro Brexit), por duke qenë se përvoja e tij si ministër dhe gjithashtu si politikan mbetet mjaft e kufizuar, shumë pyesin se cilat janë prioritet e tij. Financial Times e konsideron atë mbi të gjitha si një “pragmatist”, ndërsa The Guardian thekson se në partinë konservatore Sunak është një nga më të vëmendshmit ndaj çështjeve mjedisore. Disa detaje të tjera rreth qëllimeve të tij do të bëhen të qarta kur ai të zbulojë listën e ministrave dhe të mbajë fjalimet e para publike si kryeministër i vendit./ Përgatiti Liberale.al/

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH