Kryesore

Çfarë ishte në të vërtetë LANÇ dhe pse debatohet kaq shumë ajo

               Publikuar në : 10:36 - 11/05/19 Fitim Zekthi

Fitim Zekthi

Siç ka ndodhur shpesh gjatë këtyre viteve të pas rënies së regjimit komunist, këto ditë ka nisur një debat i gjerë në lidhje me Luftën e quajtur Antifashiste Nacionalçlirimtare. Në anë të këtij debati gjenden historianë dhe intelektualë që kanë kërkuar vazhdimisht të thuhet e vërteta e asaj që ka ndodhur, të shmanget më në fund mitologjia komuniste mbi luftën, të ndahet ajo që ishte krim nga ajo që ishte akt patriotik dhe, nga ana tjetër, janë historianë apo politikanë, gazetarë apo ish-oficerë që me një këmbëngulje të habitshme përpiqen të ruajnë mitologjinë komuniste mbi luftën, përpiqen të mos lejojnë që mbi të të thuhen gjëra që e njollosin, sulmojnë dhe akuzojnë këdo që sheh te lufta edhe krime, edhe tradhti përdorim politik.

Ky grupi i dytë që përgjithësisht janë ish-funksionarë të regjimit komunist, historianë apo hetues, gazetarë apo ish-sigurimsa, mbrojnë me forcë idenë se Enver Hoxha dhe Partia Komuniste zhvilluan luftën çlirimtare kundër fashizmit. Ajo ishte një luftë e dëlirë, një akt i madh patriotik, një pikë themeluese mbi të cilën komunistët fituan të drejtën të ndërtojnë apo drejtojnë Shqipërinë. Ata thonë se renditën vendin tonë në anën e fuqive fituese, duke garantuar pavarësinë.

Pas vitit 2013 duket sikur këta zëra janë bërë më të thekshëm. Atyre u janë bashkuar festimet me portrete të Enver Hoxhës, me thirrje veteranësh për diktatorin dhe Partinë Komuniste. Kryeministri, deputetë dhe ministra, kanë qenë të pranishëm në këto ngjarje, ndërsa disa prej tyre kanë folur për Enver Hoxhën si udhëheqës i luftës. E gjitha kjo të çon domosdo te konceptet e normalizimit të të pamendueshmes. Këto ditë debatin e hapi akuza që i bëri një deputet, ish-gjyqtar i kohës së komunizmit, i cili tha se Instituti i Studimit të Krimeve të Komunizmit po njollos luftën, po hedh baltë mbi një akt të madh patriotik etj. Ky deputet kërkoi mbylljen e institutit. Instituti ka botuar kohë më parë një libër të studiuesit Çelo Hoxha, në të cilin me fakte empirike dokumentohen disa nga krimet e kryera nga partizanët komunistë gjatë luftës. Pas deputetit reaguan ish-partizanë apo bij oficerësh dhe ish-partizanësh dhe kështu debati vazhdoi në gazeta dhe televizione duke përfshirë në të mjaft njerëz.

Le t’i shohim pak me radhë disa pandehma bazë të historiografisë komuniste, të cilat mbrohen me dhunë nga ky grup, ku gjendet edhe deputeti, edhe sot sikur të jemi në vitin 1984.

Pandehma e parë është se lufta partizane ishte një luftë e pastër, patriotike, ku Partia Komuniste nuk kreu krime në luftë. Së pari, libri i Çelos ka dokumentuar vrasje fshatarësh të thjeshtë, të cilët ishin në punë të tyre, plaçkitje të tyre nga partizanët, ka dokumentuar rrahje dhe përzënie, ka dokumentuar djegie pronash nga partizanët. Këtë gjë e kanë thënë edhe historianë të tjerë në këto vite. Së dyti, ku ekziston një ushtri e një partie me ideologji totalitare që të mos kryejë krime ndaj civilëve apo ndaj kundërshtarëve.

Në luftë krime bëjnë edhe ushtritë e rregullta, edhe ushtritë e vendeve më demokratike. Ushtria amerikane p.sh. bëri tmerrin në Burgun e Abu Graib në Irak. Nuk po përmendin se ç’kanë bërë ushtritë e Stalinit apo të Leninit, ushtritë e Gadafit apo të Sadamit, por themi ushtria më e kontrolluar në botë dhe ushtria e një vendi shumë demokratik. Vetë Rumsfeld, sekretari i Pentagonit, e pranoi dhe kërkoi falje.

Ky është dallimi, Stalini, Gadafi, Enver Hoxha etj., dhe historianët apo njerëzit që përcjellin idetë dhe tezat e tyre nuk pranojnë kurrë se ata bëjnë krime. Përkundrazi ata janë të mirët që luftojnë me armiqtë. Po krimet brenda partizanëve apo brenda komunistëve në luftën e brendshme për pushtet kush i bëri? Po lufta ndaj nacionalistëve?

Pandehma e dytë është ajo se komunistët luftuan kundër fashizmit, ishin antifashistë, siç vazhdojnë të thonë me forcë edhe sot njerëzit që mbrojnë tezat e atij regjimi. Partia Komuniste shqiptare nuk luftoi kundër fashizmit, as komunizmi dhe fashizmi. Janë të dyja ideologji totalitare që prodhuan krimet më të mëdha që ka njohur njerëzimi.

Harry Binswager, filozof i njohur amerikan, thotë se ekuivalenti politik i spektrit arsenik-cianur është fashizëm-komunizëm. Pra komunizmi dhe fashizmi janë si cianuri dhe arseniku: helme vdekjeprurëse. Ayn Rand, një nga mendjet më të mprehta të filozofisë politike shekullin që kaloi, thotë se për ideologjinë komuniste, si dhe për atë fashiste, puna dhe jeta e njeriut i përkasin shtetit, i cili mund t’i marrë ato në varësi të asaj që atij i duket e mirë kolektive apo tribale.

Dy prej historianëve më të mëdhenj të Europës së Pasluftës së Dytë Botërore, francezi François Furet dhe gjermani Ernst Nolte, autorë të një libri monumental mbi këtë çështje, thonë se fashizmi dhe komunizmi përfaqësojnë dy mishërime të pranisë shkatërrimtare të djallëzores në histori. Profesori i Universitetit të Maryland-it, Vladimir Tismaneau, thotë se këto dy totalitarizma shfarosin çdo ide politike, sociale, kulturore tradicionale në lidhje me të mirën dhe të keqen. Në librin, “E keqja në histori: fashizmi, komunizmi dhe disa mësime nga shek. 20”, ai shkruan se “fatkeqësitë që mbjellin këto ideologji prodhohen nga e njëjta forcë shkatërruese, ato janë dy anë të një monedhe”. Stiven Pinker, një filozof i Harvard-it, barazon në mënyrë të veçantë ideologjinë komuniste me dhunën dhe gjenocidin. Në hyrjen e “Librit të Zi të Komunizmit”, historiani francez, Stéphane Courtois, thotë se komunizmi, si edhe nazizmi është një destruksion i përkufizuar nga krimi dhe gjenocidi. Ndryshimi është se nazizmi drejtohet nga raca, ndërsa komunizmi nga klasa sociale.

Partia Komuniste në Shqipëri ka kryer përgjatë viteve të luftës shumë krime, por gjatë viteve kur drejtoi vendin ajo e shndërroi shtetin në një mekanizëm vrasës në shërbim të saj. Është e pakuptueshme se si një totalitarizëm i tillë mund të tejkalojë vlerat që mbron dhe të luftojë në emër të së mirës, fashizmin. Partia Komuniste nuk ka qenë antifashiste. Ajo mund të ketë qenë kundër fashizmit për arsye se nuk mund të kishte vend për të dyja ideologjitë njëkohësisht dhe për shkak se kundër tij ishte gjithë komunizmi botëror, pas sulmit të Gjermanisë ndaj Bashkimit Sovjetik (para këtij sulmi komunistët ishin aleatë me fashistët).

Pandehma e tretë e komunistëve që mbrohet me zell sot nga po ky grup është se komunistët dhe Partia Komuniste çliruan vendin dhe sollën lirinë. Liria është një kategori e diskutuar gjatë dhe shumica e mendimit mbi të, që prej Greqisë së vjetër, e sheh atë të përkufizuar nga trupi te shpirti, nga politikja te socialja, nga individualja te komunitarja. Ruhus Fears, një profesor i historisë së qytetërimit të Universitetit të Oklahomës, thotë se ajo ka tri komponentë: 1) liria kombëtare, liria nga dominimi i huaj; 2) liria politike, liria për të zgjedhur drejtuesit dhe qeverinë dhe 3) liria për të jetuar sipas mënyrës që gjithkush e gjen më të drejtë, por pa dëmtuar shoqërinë dhe perspektivën e saj.

Sa i takon lirisë kombëtare, lirisë së vendit ndaj dominimit të huaj, gjithkush e ka të qartë se qeveria shqiptare më 1944-n apo 1945-n ishte të paktën po aq e varur nga jugosllavët sa ishte e varur secila nga qeveritë shqiptare të viteve 1939 – 1944, në mos edhe më shumë. Është i njohur roli i jugosllavëve në politikat e qeverisë komuniste, në arrestime, vrasje patriotësh, por edhe kundërshtarësh, torturime etj. Fakti që nuk kishte ushtri të huaj nuk e bën më të lehtë mungesën e lirisë. Një robëri apo një krim është njëlloj i tmerrshëm, pavarësisht kombësisë së atij që e bën. Në lidhje me liritë politike, lirinë për të zgjedhur drejtuesit e vendit, dihet se qeveria e Enver Hoxhës mbyti gjithçka. Shqipëria qe një diktaturë e egër ku nuk lejohej as liria e të menduarit, le pastaj ajo e të shprehurit e më tej, ajo e organizimit politik. Po kështu edhe liria për të zgjedhur mënyrën e jetesës nuk ekzistonte në Shqipëri. Kështu, të thuash sot se Partia Komuniste dhe Enver Hoxha sollën lirinë apo ndihmuan në ardhjen e saj, është mashtrim.

Pandehma e katërt e historiografisë komuniste është se Enver Hoxha dhe Partia Komuniste e renditi Shqipërinë në anën e koalicionit antifashist fitues. Fakt është se komunistët shqiptarë menjëherë iu kundërvunë Perëndimit sapo mbaroi lufta, gjë që tregon se ata nuk kishin lidhje me asnjë vlerë të Perëndimit. Ata mbetën të lidhur me Jugosllavinë dhe Bashkimin Sovjetik. Pra komunistët shqiptarë nuk e renditën Shqipërinë në asnjë koalicion fitues apo antifashist. Ata e renditën Shqipërinë në koalicionin stalinist që kërkonte të mundte fashizmin për të qenë ata ideologjia e vetme totalitare që do të merrte pushtetin. Shqipëria më 1944-n u pushtua nga një regjim totalitar.

Sot historianët, politikanët apo të tjerë zëra që flasin për luftë antifashiste të komunistëve dhe Enver Hoxhës, që mbrojnë idenë se komunistët shqiptarë çliruan vendin apo na renditën në anën e fituesve, që nuk pranojnë krimet e tyre në luftë, nuk bëjnë gjë tjetër vetëm se dëshmojnë përpjekjen për të normalizuar të pamendueshmen. Ata sillen njëlloj si hetuesit e diktaturës, gjyqtarët, oficerët e Sigurimit, të degëve të punëve të brendshme, njerëzit e propagandës, njerëzit e lidhjes, njerëzit e Komitetit Qendror etj., që kishin secili rolin e tyre rutinor në makinerinë çnjerëzore ku masakroheshin jetë dhe njerëz. Ata janë në një përpjekje të pandalshme për të normalizuar të pamendueshmen.

Filozofi Edward Herman dhe antropologia Lisa Peattie e zhvilluan këtë koncept të normalizimit të së pamendueshmes nisur nga koncepti i banalitetit të së keqes. Për të kuptuar më mirë arsyet pse kemi sot historianë, politikanë apo gazetarë që “normalizojnë të pamendueshmen” duhet të shohim pak ç’është banaliteti i së keqes. Këtë koncept na e ka dhënë Hannah Arendt. Ajo u përpoq të shpjegojë se cilët janë njerëzit që përfshihen në zinxhirin kriminal të totalitarizmave. Arendt ndoqi nga afër gjyqin (në Jerusalem) ndaj Adolf Eichmanit, një funksionar i lartë nazist, i akuzuar se kishte luajtur rol të rëndësishëm në holokaustin ndaj hebrenjve.

Arendt u trondit kur pa se Eichmann ishte një njeri i zakonshëm, mesatar, që fliste shtruar dhe që nuk kishte asnjë brejtje ndërgjegjeje. Eichmann u shpreh në gjyq se ai i besonte Hitlerit dhe doktrinës së tij dhe se gjithçka e kishte kryer në përmbushje të imperativit kategorik kantian, “vlerësimin e motivit apo qëllimit për të vepruar”. Me fjalë të tjera ai tha se kishte bërë detyrën. Eichmann kishte çuar drejt dhomave të gazit mijëra hebrenj, në një proces rutinor, me zell, pa menduar asnjë çast mbi jetët e tyre. Arendt thotë se ai funksiononte me klishe dhe nuk mendonte: thjesht ndiqte liderin. Për Hannah Arendt, ky është banaliteti i së keqes: të vepruarit me klishe, verbërisht dhe pa menduar, në bindje ndaj liderit. Këta njerëz e kanë shumë të thjeshtë të normalizojnë të pamendueshmen, sepse ata nuk mendojnë. Kjo ndodh me historianët tanë e me gjithkënd që normalizon me shkrime, intervista, takime e shaje të kuq, të pamendueshmen mbi atë çfarë ka qenë Enver Hoxha dhe Partia Komuniste. Klisheja ka fuqinë të shkëpusë kontaktin me realitetin dhe të vdesë mendimin./ Gazeta Liberale

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *