Kryesore

Çfarë fshihet pas numrave?  

               Publikuar në : 09:34 - 06/04/21 liberale

Ai që pritej të ishte një proces zgjedhor me lista të hapura, rrezikon të bëhet i paqartë për votuesit që do të duhet të përkthejnë kandidatët në numra dhe t’i mbajnë mend, ndërsa hedhin votën.

Të pakënaqura, të dy forcat kryesore politike e çuan edhe çështjen e fletës së votimit në Kolegjin Zgjedhor. Dje, kreu i KQZ-së njoftoi se kishte një fletë përfundimtare votimi, jo me emra siç u propozua fillimisht dhe u ankimua nga Partia Socialiste, por me numra.

Kjo do të thotë që çdo kandidat përkthehet me një numër, siç është renditur në listat e dorëzuara zgjedhore. Nëse, sipas përfaqësuesit socialist modeli i fletës me emra ishte i ngarkuar dhe e ndërlikonte procesin e votimit, ai përfundimtar me numra kërkon materiale shtesë si posterat që siç tha zoti Celibashi dje, do të vendosen në hyrje të qendrave të votimit, ose fletëpalosjet që do të vendosen në dhomën e fshehtë,  ku votuesi që nuk ka kujtesë të fortë, mund të konsultohet para se të hedhë votën e tij, më 25 prill.

Celibashi tha dje në konferencën për mediat, se KQZ do të bëjë gjithçka që votuesit të kuptojnë procedurën dhe fletën e votimit.

Ky model i fletës së votimit vjen në zgjedhjet kur votuesit do të mund të zgjedhin përveç partisë apo koalicionit edhe kandidatin e tyre të preferuar, të cilin do të duhet ta  identifikojnë saktë me numër.

Ndërsa këtë vit votohet për partinë, koalicionin dhe kandidatin, kreu i KQZ-së bëri të qartë dje se votuesi mund të zgjedhë një kandidat të parapëlqyer, jo dy.

“Nuk mund të zgjedhë një parti apo koalicion dhe kandidatin e një partie apo koalicioni tjetër”, do të thoshte zoti Celibashi, ndërsa sqaroi se fleta e votimit është e vlefshme edhe kur një votues vendos të votojë vetëm për kandidatin dhe jo për partinë apo koalicionin apo zgjedh të votojë partinë pa kandidatin.

E gjithë çështja e fletës së  votimit, me pakënaqësitë nga të dyja anët për motive të ndryshme, solli vonesa të tjera, pas përplasjes me numrit e tepërt të kandidatëve nga koalicioni i PD-së, Aleanca për Ndryshim. Kolegji Zgjedhor vendosi të heqë 67 emra nga listat e koalicionit duke e çuar në 153, një vendim i ndryshëm nga Komisioni i Ankimeve dhe i Sanksioneve që e la të plotë.

Por kësaj here, Kolegji qe i një mendjeje me KAS dhe ndryshe nga mendimi i kreut të KQZ-së që propozoi një model me emra, ndërsa këto zgjedhje do të ishin me lista të hapura.

Shqyrtimet e përplasjeve mes PS-së  dhe PD-së – e cila nga ana e saj kishte pakënaqësi jo me listat me emra por me mënyrën e paraqitjes së tyre vertikalisht -sollën vonesa në shtypjen e fletës së votimit, ndërsa data e zgjedhjeve po afron.

Dy ditë më parë kompania sllovene, e pajtuar për shtypjen e tyre  ku sipas KQZ do të shtypen më shumë se 3.6 milionë fletë votimi, ngriti alarmin se nuk kishte kohë për t’i bërë në kohë. Ata ishin shprehur se afati i kërkuar 10 ditor (12 Prill-22 Prill) “është një mision i pamundur”.

Por dje, Celibashi tha kompania  sllovene “Celtis”, do t’i qëndrojë afateve.

“Ne kemi komunikuar herët në mëngjes me përfaqësuesit e sllovenë, kemi marrë konfirmimin që në këtë format ata mundet t’i qëndrojnë afateve që kemi kërkuar për printimin dhe sjelljen në destinacion në KQZ”, do të shprehej ai, ndërsa të gjithë qarqet do t’i kenë fletët me përmasa të njëjta.

“Në disa,  veç partive dhe koalicioneve ka dhe në 4 qarqe të pavarur, Tirana, Gjirokastra, Berat, Lezha, Shkodra”, do të thoshte Celibashi dje.

Por, përtej vonesave të shkaktuara nga përplasjet mes PS dhe PD në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, një tjetër pikëpyetje janë edhe emrat e kandidatëve të cilët janë dërguar në Prokurori, pasi siç do të thoshte Celibashi kishte dyshime mbi integritetin dhe pastërtinë e figurës.

Një prej tyre është kreu i PSD-së, Tom Doshi, për të cilin ambasadorja amerikane ka bërë thirrje PS-së të mos jenë në koalicion dhe të sqarojnë publikun se nuk janë aleatë.

Prokuroria, përmes një letre, i kërkoi ambasadës së ShBA-së në Tiranë informacione mbi zotin Doshi, i shpallur “non grata” nga Departamenti Amerikan i Shtetit.

Për sa kohë nuk ka hetime të përfunduara nga Prokuroria, kandidatët janë të përfshirë në fletën e votimit, me numra.

Ndërsa PD ka në koalicion aleatët e saj, disa syresh të përfshirë në vende të favorshme në listat zgjedhore nëpër qarqe, PS ka zgjedhur një strategji të ndryshme nga vitet e tjera duke i vendosur emrat e vjetër të partisë në kufij. Vetë kryeministri është i teti në Vlorë dhe Durrës, Gramoz Ruçi i nënti në Fier, Taulant Balla i teti në Elbasan dhe emra si Xhafa, Majko apo Kodheli janë renditur shumë poshtë në listën e Tiranës. Ajo që kryeministri Rama e cilëson si vija e zjarrit, me bindjen e plotë se PS do ta shtyjë kufirin e rezultatit të zgjedhjeve parlamentare të 2017-s, mund të rezultojë në pasiguri për shkak të paqartësive që mund të sjellë fleta e votimit vetëm me numra.

Përfaqësuesi i PD-së, Ivi Kaso ngriti shqetësimin se logoja e partisë Bindja Demokratike do të ngatërrohej me atë të PD-së, pasi janë të ngjashme në dizajn, pretendim të cilin Kolegji Zgjedhor ia njohu, duke e  bërë BD-në të ndërrojë logo në fletën e votimit.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka nisur nga data 3 prill testimin e pajisjeve të votimit elektronik, pjesë e projektit pilot për votimin dhe numërimin elektronik.

Në fund të konferencës për mediat, kreu i KQZ-së Celibashi u bëri thirrje partive politike të bënin fushatë të qetë.

“Kjo thirrje vlen për partitë politike, kandidatët. Çfarë vlen për të korrigjuar, duhet ta bëjmë me qëllim që këto zgjedhje jo vetëm të jenë më të mira se zgjedhjet e shkuara, por në përputhje me standardet. Jemi të gjithë të vëzhguar, në fund të ditës, për secilin nga ne do të ketë gjykim”, do të shprehej Celibahsi, ndërsa ambasadorja amerikane Yuri Kim shprehu dje mbështetjen për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

“Përgjegjësit për mospërmbushjen e Kodin Zgjedhor, do e mbajë përgjegjësinë dhe do të paraqitet në sanksionet përkatëse. Bëj thirrje partive politike dhe kandidatëve të bëjnë një fushatë të qetë dhe të lejohen qytetarët të zgjedhin kë të dëshirojnë”, përfundoi Celibashi.

Për PD-në, e  cila ishte dakord që fleta e votimit të paraqitej me emrat e kandidatëve- duke e bërë atë të hapur, vendimi për t’u paraqitur me numra është truk i kryeministrit.

“Sa i përket vendimit për numra jemi të keqardhur që kolegji mori këtë vendim pasi le të themi është Edi Rama ai i cili nuk ka pasur asnjëherë vullnet që listat të cilat i cilësoi si të hapura nuk ishin”, do të shprehej Kaso, duke shtuar se Ram kishte turp nga kandidatët dhe kërkon ti fshehë me numra. Kreu i PD-së, Basha do të ngrinte akuza pas publikimit të listave zgjedhore, se PS kishte ende emra dhe figura të lidhura me botën e krimit. Kreu i qeverisë nga ana tjetër do të ironizonte listat e koalicionit të PD-së si humbëse dhe të vjetra.

“Na vjen keq se koalicioni ka kandidatët më të mirë dhe na vjen keq se zgjedhësit s’do të  kenë mundësi ti shohin dhe identifikojnë me emra. Çfarëdolloj truku që u përdor nga mazhoranca ska për ta ndalur ndryshimin, një ndryshim i cili do të jetë pa Edi Ramën”, do të shprehej Kaso.

Pas ditësh përplasjesh dhe paqartësish, votuesit kanë më në fund modelin përfundimtar të fletës së votimit, por për të votuar do të duhet të konsultohen me posterë dhe fletëpalosje, që nuk dihet sa do të lehtësojnë apo komplikojnë më shumë procesin. Ndërsa përfaqësuesi i PS-së, Eridian Salianji fliste për një fletë të thjeshtë për votuesit, ajo u thjeshtëzua apo u bë më e shkurtër në variantin final, por që asesi nuk mund të dalë e pashoqëruar me fletëpalosjet për të identifikuar se kush emër  i korrespondon aksh numri.

Ambasadorja e SHBA: Mbështesim përpjekjet e KQZ

Ambasadorja e SHBA, Yuri Kim ka përshëndetur lajmin e Celibashit se fletët e votimit do të jenë të printuara dhe dërguara në kohë pranë KQZ për zgjedhjet e 25 prillit.

Znj.Kim thotë se SHBA mbështet përpjekjet për të siguruar që rregullat e kushtet e zgjedhjeve të jenë të drejta, në kohë e transparente.

“Sapo pashë konferencën për shtyp të Ilirjan Celibashit  – shumë mirë të dëgjosh që formati i fletëve të votimit është rënë dakord në mënyrë që ato të shtypen në kohë për zgjedhjet 25 prillit. Ne fuqimisht mbështesim përpjekjet e KQZ për të siguruar që rregullat dhe kushtet e zgjedhjeve të jenë të drejta, në kohë dhe transparente”.

Rama për opozitën: Një sallatë ruse që vjen era qepë dhe raki

Nga Korça, kryeministri Edi Rama nuk la pa ‘thumbuar opozitën, ndërsa tha se lista e tyre e kandidatëve për deputetë është “një sallatë ruse që vjen era qepë dhe raki”.

Sipas Ramës, opozita nuk ka lidhje me urbanizimin dhe se “kudo ku gjejnë shesh bëjnë përshesh”.

“Fleta e votimit nuk është biletë për të shkuar në stadium, por autorizim për interesat e tua, një kontratë pune, se kur të ngjisësh gomarin për të marrë dru, do e shohësh sa ngarkesë mban, nuk merr një gomar blu që të hedh drutë në rrugë, mund të lyesh banjën që të duket vetja si në det kur bën dush, por për hir të ngjyrës të lesh drutë në rrugë? Më mirë se ne për Korçën këta nuk gjejnë dot, aq më tepër tani, se ishte njëri këtu, ai i kërnackave dhe ne të merremi me të. Ai ishte yll bote, tani kanë sjellë atë të Babales, ça do bëni do punësoni njerëz për përgjime, për manipulime videosh? Përmes punës ne mund ta transformojmë këtë vend. Nuk flemë gjumë dhe nuk merremi vetëm me sharje e shpifje dhe të bëjmë si vizionar në fushatë dhe pas kamerave flemë gjumë ku të na zëri këmba. Ata nuk e kanë marrëdhënien me të bukurën si hapësirë bashkëjetese, ata po panë një shesh, duan të bëjnë përshesh. Po panë një hapësirë, duan të ngrenë kioska. Nuk kanë lidhje me urbanizmin, me zhvillimin, kështu janë gatuar dhe nuk ndryshojnë. Çdo parti humb zgjedhjet, por nxjerr mësime. Ne nxjerrim mësime pa qenë nevoja të humbim. Ne kemi këtu një skuadër deputetësh që është reflektim i nevojës për të qenë më pranë pritshmërisë së njerëzve. Ajo e atyre është një sallatë ruse që vjen era qepë dhe raki”, tha Rama. /Gazeta Liberale

 


KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back