Kryesore

Çfarë është dhe çfarë nuk është “shkelje e rëndë e Kushtetutës” 

               Publikuar në : 09:36 - 12/06/19 Ervis Iljazaj

Ervis Iljazaj

Në përgjigje të zhdekretimit të datës së zgjedhjeve nga ana e Presidentit të Republikës, mazhoranca është duke përgatitur, ose më së paku ashtu është shprehur deri më tani, shkarkimin e Presidentit të Republikës.

Neni 90, pika 2 dhe 3 e Kushtetutës së Shqipërisë citon:

“Presidenti i Republikës mund të shkarkohet për shkelje të rëndë të Kushtetutës dhe për kryerjen e një krimi të rëndë. Propozimi për shkarkimin e Presidentit në këto raste mund të bëhet nga jo më pak se një e katërta e anëtarëve të Kuvendit dhe duhet të mbështetet nga jo më pak se dy të tretat e të gjithë anëtarëve të tij”.

“Vendimi i Kuvendit i dërgohet Gjykatës Kushtetuese, e cila, kur vërteton fajësinë e Presidentit të Republikës, deklaron shkarkimin e tij nga detyra.”

Duket qartë se, në mungesë të Gjykatës Kushtetuese, asnjë organ tjetër nuk mund të shprehet për fajësinë ose jo të Presidentit. Megjithatë Parlamenti mund të zhvillojë një votim për vënien nën akuzë të Presidentit për shkelje të rëndë të Kushtetutës, sepse askush s’e pengon, por Presidenti vazhdon të jetë në detyrë për sa kohë nuk shprehet Gjykata Kushtetuese.

Nëse lexojmë me kujdes, Kushtetuta e Shqipërisë parashikon mundësinë e shkarkimit të Presidentit vetëm për “shkelje të rëndë” të Kushtetutës dhe jo thjesht për një vendim apo dekret antikushtetues.

Duhet të sqarohen patjetër këto dy koncepte, të cilat janë dy gjëra totalisht të ndryshme me njëra-tjetrën. Një vendim antikushtetues nuk është domosdoshmërisht një “shkelje e rëndë” e Kushtetutës. Ka shumë ligje, vendime e akte të tjera normative që janë shpallur antikushtetuese nga Gjykata Kushtetuese, por nuk ka ndodhur që të shkarkohet titullari i institucionit që e kanë nxjerrë atë.

Le të presupozojmë për një moment që dekreti presidencial është antikushtetues, edhe pse këtë gjë mund ta shpalli vetëm Gjykata Kushtetuese, por duke qenë se ne nuk e kemi, thjesht po e hamendësojmë një gjë të tillë.

Por a është “shkelje e rëndë” kushtetuese ky dekret për të nisur procedurat parlamentare për vënien në akuzë të Presidentit të Republikës, apo për ta thënë allaamerikane, a përbën ky dekret kushtet e një impeachment?

Në doktrinën kushtetuese europiane, duke qenë se ky nen pothuajse ekziston në të gjitha Kushtetutat e vendeve demokratike, është zhvilluar një doktrinë e tërë për këtë çështje. Ka pasur raste, precedent dhe diskutime akademike, të cilat kanë arritur pak a shumë në disa konkluzione.

Nga kjo doktrinë kushtetuese pranohet se “shkelje të rëndë” të Kushtetutës përbën një sjellje e qëllimshme e Presidentit të Republikës që cenon personalitetin e brendshëm dhe të jashtëm të shtetit, që nënkupton një shkelje të detyrës për besnikërinë ndaj atdheut. Një sjellje e tillë prezumon bashkëpunimin e Presidentit me fuqi të huaja duke shitur territorin e vendit, ose duke cenuar sovranitetin e tij, apo ndryshe një tradhti ndaj atdheut. Një rast tjetër që, po sipas kësaj doktrine përbën “shkelje të rëndë” kushtetuese, është sjellja e qëllimshme e Presidentit që trondit institucionet dhe rendin kushtetues.

Kjo është se çfarë konstitucionalizmi europian konsideron shkelje të rëndë kushtetuese. Për t’u kthyer te dekretimi i anulimit të datës së zgjedhjeve, a përbën ai një “shkelje të rëndë” të Kushtetutës për të nisur procedurat për shkarkimin e Presidentit?

Është e qartë se anulimi i datës së zgjedhjeve për një datë tjetër nuk përbën asnjë nga kushtet e mësipërme për ta konsideruar shkelje të rëndë “kushtetuese”. Nuk ka në atë dekret asnjë bashkëpunim për shitje territori, apo tradhti kombëtare. Aq më tepër që ky dekret të tronditë institucionet e vendit dhe rendin kushtetues të tij. Të vetmin institucion kushtetues që mund të ketë prekur ky dekret është vetëm i zgjedhjeve. Por askush nuk u ka hequr mundësinë shqiptarëve për të zgjedhur pushtetin lokal të tyre. Vetëm është shtyrë për një datë tjetër, duke parë situatën e krizës politike që po kalojmë. Jo vetëm kaq, por dekreti i anulimit të datës së zgjedhjeve është një mundësi për të zgjidhur krizën politike dhe kushtetuese që Shqipëria po kalon në këtë moment. Nuk mund të cenojë institucionet e zgjedhjeve një dekret, ku në një pjesë të madhe të bashkive ka vetëm një kandidat./ Gazeta Liberale

Etiketa:

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *