Aktualitet

"Çfarë e përgatiti 8 Dhjetori-n" lëvizjen studentore të 1990?/ Rrëfimi i pazakontë i Blendi Fevziut në librin "Piedestale pa statuja", një botim i UET Press

Shkruar nga Liberale
"Çfarë e përgatiti 8 Dhjetori-n" lëvizjen

Lëvizja studentore e dimrit të vitit 1990 i dha fund de facto dhe de juro njërës prej diktaturave më të ashpra të Europës, ndryshoi një regjim që kontrollonte vendin që prej gjysmë shekulli, si dhe hapi një perspektivë demokratike për Shqipërinë, duke e orientuar atë sërish drejt perëndimit. Në librin e tij, “Piedestale pa statuja”, një botim i shtëpisë botuese UET PRESS, gazetari i njohur Blendi Fevziu ka shpjeguar me detaje, pasi dhe vetë ka qenë një protagonist i kësaj lëvizje, e cila si e tillë arriti të krijoje edhe klasën politike që drejton ende Shqipërinë.

MBRËMJA E 8 DHJETORIT

Asnjëherë, nuk do të kisha besuar, mesditën e 8 dhjetorit, se jeta ime, do të ndryshonte rrënjësisht atë natë. Ndërsa zbrisja nga Fakulteti Filologjik, poshtë rrugës së Elbasanit, për tek bordura e parkut Rinia, përballë hotel Dajtit, pa e ditur po i ktheja shpinën një periudhë të tërë të jetës sime. E bashkë më mua, edhe një brez i tërë. Isha larguar nga Fakulteti i qetë, duke zbritur bashkë me Ben Blushin anës rrugës së Liceut, me po atë kënaqësi që të jep një e shtunë e herët dhe me padurimin për t’u përfshirë në bisedat politike të kohës. Në ato debate plot trazim ku emigracioni, ideja e një jete të re që na priste dhe dëshira e ankthshme për ndryshim, përziheshin së bashku, duke u bërë temë mbizotëruese e gjithë 20-vjeçarëve të kohës.

Në ato kohë pas ikjes së ambasadave, bisedat e zymta për emërimet në veri dhe jetën atje, thuajse nuk qenë më shqetësim për diplomantët e atij viti. Madje as ishin më pjesë e bisedave. Të gjithë ishim të bindur se ajo që vinte pas, ndoshta disa muaj, më e shumta një vit, do të ishte diçka tjetër. Diçka që ne vete nuk dinim ta përcaktonim, por që po merrte formë çdo ditë. Në fakt, ndërsa ecja rrugës me hapin e qetë dhe të ngadalshëm, pak nga pak, pa e kuptuar, po lija pas më shumë se 20 vite të jetës sime. Gjithë atë pjesë nën diktaturë, edhe sot, dy dekada më pas, e kam ende të vështirë t’i vë një emër. Ndërsa ikja me bezdinë që duhej të kthehesha sërish të nesërmen në mëngjes, nuk e dija, që ai kthim, do të ndryshonte tashmë përgjithmonë jetën time, jetën e brezit tim dhe të gjithë Shqipërisë. 24 orë më vonë, do të ringjitesha sërish në atë rrugë, por nuk do të ishte me një ngjitje drejt studimeve që tashmë kishin marrë fund, por një ngjitje drejt pluralizmit, një shoqërie të re, të ndryshme, të ëndërruar, por krejtësisht të panjohur për ne. Drejt një jete, që edhe pse e mendoja brenda vetes, atë çast nuk e parashikoja dot.

Deri atë moment kishte diçka më shumë se 20 orë. 20 orë ku protagonizmi im mungonte, por që më pas i kam ndjekur çdo moment, me shumë vëmendje dhe pasion, për të zbuluar, mekanizmin dhe frymëzimin që në një natë të errët dhjetori, transformoi Shqipërinë.

Në të vërtetë, gjithçka që përgatit 8 Dhjetorin, është në mos e panjohur, së paku një pikëpyetje e madhe. Në rrëmujën e ndryshimeve të përbotshme, nën trysninë e brendshme dhe mbi të gjitha në pamundësinë absolute për t’u imponuar, pushteti dukej se kishte humbur tashmë betejën. Në Qytetin Studenti kishte kohë që flitej për protesta. Pritja e studentëve, madje qe shndërruar në një ankth që në verë, kur furia e ambasadave kishte tronditur vendin; dhe kur 1 shtatori, kishte filluar jo si çdo vit me rreshtimin në oborrin e shkollës, por me një miting absurd që shprehte solidaritetin me partinë! Java e parë e dhjetorit kishte qenë edhe më tronditëse në qytetin ku strehoheshin afro 14 mijë studentë.

Faktet ndërlikoheshin më tepër nga fjalët për djegien e qëllimshme të transformatorit prej një korçari gjeologjikas, si dhe shkëmbimet prej disa ditësh të parullave antikomuniste në godinat 22 dhe 26 përballë njëra-tjetrës.

Si për të përforcuar të gjitha këto, pikërisht mëngjesin e 8 Dhjetorit, mbërriti në Qytetin Studenti, për një vizitë të nxituar, kryeministri Adil Çarçani. Një ngjarje e rrallë, shumë e rrallë në historinë e qytetit, por që befas, u zhvleftësua nga intensiteti i ngjarjeve të asaj darke. Çarçani kish mbërritur për t’i dhënë përgjigje një letre që Organizata e Rinisë e Fakultetit Mekanik, e drejtuar nga Pandeli Majko, kish afishuar dy ditë më parë në koridoret e Korpusit Qendror të Universitetit. Takimi në një nga sallat e godinave të vajzave të Qytetit Studenti qe tejet i tensionuar. Një vajzë, Mimoza Ferraj, i tha Çarçanit në mëri e sipër: Unë s’kam përse të lind fëmijë për ju!

Në çdo kohë tjetër një deklaratë e tillë do të kish marrë një ndëshkim të rëndë, por ato ditë regjimi e kish humbur aftësinë për të reaguar. Siç dukej, edhe nga vetë qëndrimi i kryeministrit, vetë ai s’dinte përse kish mbërritur aty. Ai u përpoq të premtonte se dritat do të vinin patjetër në ora 21.00. Një orë më vonë kur iku duke ecur nëpër baltë me një palë çizme që i kishte dhënë me ngut policia, mori me vete edhe mallkimet e studentëve që ndërkohë ktheheshin nga fakultetet. Ishte mesditë. Që të binte mbrëmja duheshin ende disa orë.

Ishte ajo natë shumë e përfolur, kur në Institutin e Arteve pë kujtohej 10-vjetori i vdekjes se Xhon Lenonit, sipas një formule asnjëherë kaq publike, dhe kur unë shëtisja i qetë me një shoqen time në afërsi të stadiumit “Qemal Stafa”, pranë Muzeut Arkeologjik. Qe natë e butë, me hënë.  Në  të vërtetë gjatë gjithë atyre ditëve kishte qenë kohë e butë. Nga lart nuk dëgjohej asnjë zhurmë e dyshimtë.

Rreth orës 19.30 u përballa më një shok tek kafe “Flora”. Ai vinte nga Qyteti Studenti, nga një mbrëmje e vitit të dytë Histori.

-Si kaloi mbrëmja? – e pyeta.

– Asgjë,- më tha,- mirë.

Edhe rrugët ishin krejt të qeta, thuajse si përnatë. Me çifte të dashuruarish, me të rinj të dëshpëruar që shtrëngonin në xhep pashaportat, me letrarë gjimnazistë që vazhdonin të ankoheshin përvajshëm për Kadarenë që i la, si dhe me atë mungesë absolute shprese që shoqëronte Tiranën ato ditë. Nuk e di sa ka qenë ora kur rashë të fle. Nuk ndihej asgjë e dyshimtë…

PO ATO ÇASTE QYTETI STUDENTI…

Në Qytetin Studenti po ajo qetësi. Të grumbulluar në dhoma, studentët prisnin me një besim të vagullt orën 21.00. Orën kur, sipas zërave që qarkullonin në koridor dhe në mensë, në mungesë të dritave do të dilnin të gjithë në shesh, përpara Drejtorisë. Vetëm në godinat 22 dhe 26 kishin nisur si në tre netët e fundit, parrullat. Ato fluturonin të mbrojtura nga errësira e natës prej inxhinierisë mekanike drejt gjeologji-minierave e në të kundërt. Rreth orës 20.00 dukej se hedhësit e parrullave qenë nxehur më shumë se ditët e tjera. Parrullat u shtuan.

“Ne pritnim, tregon Spiro Cura, një student i Mekanikës. Ora 21.00 po afronte. E kishim vendosur: po të mos vinin dritat do të dilnim jashtë. Tri ditë më parë shkëmbimet e parullave qenë tensionuar shumë. Binte shi.

-T’i nxjerrim jashtë,- i pata thënë shokut tim.

-Bie shi,- ma ktheu ai i menduar.

Atë ditë njerëzit dukeshin po aq të nxehur.

Dikush e krahasoi Nexhmijen me një lesbike të keqe.

– Enver pederasti- thirri një tjetër.

Një çast parullat heshtën.

Qe një heshtje e rëndë. Pastaj pasoi një parullë tjetër akoma më e guximshme.

“Në ora 21.00 dola në dritare, vijon Curra. Gjithandej errësirë. Nga brendësia e dhomave vinin vetëm dritat e zbehta të qirinjve.”

– Dalim,- u thashë shokëve.

Ata po visheshin. Nëpër koridore po lëvizte Ilir Dizdari me disa vetë. U ndamë në dy grupe. Nga poshtë, nën dritaret, gjithçka qe më e frikshme. Thirra fort:

-Të shkojmë te drejtoria.

Zëri më mbytej nga zhurmat. Disa vetë që dëgjuan zbritën. Ishin të elektrikes. Tek cepi i godinës së gjeologjisë qenë gati 50 vetë. Më dukej se ju printe një djalë që quhej Abdyl Demirazi, që e njihja fare pak. Pa u kuptuar edhe ata kërkonin të bënin të njëjtën gjë. Rreth 70 vetë u nisën për tek drejtoria…

Në godinën e gjeologji-minierave ndodhte po ajo skenë. Të nxehur nga parullat, studentët po bëheshin gati të dilnin poshtë, në qendër të Qytetit Studenti. Qenë të acaruar pa ditur se me kë. Pranë godinës së pedagogëve grupi qe shtuar. Rruga qe e përbaltur dhe shumica  e tyre rrëshqitnin. Nata ishte tejet e errët nga mungesa e dritave. Ndërtesa e drejtorisë qe afër, disa metra më larg, pas një kanali.

– Dy herë u bëra gati të kaloj kanalin,- tregon një student. – Të tjerët qenë trembur. Nga dritaret e drejtorisë nuk vinte  asnjë lloj ndriçimi. Vetëm hëna ndriçonte baltën e squllur të kanalit. Herën e tretë e kalova. Eca disa hapa. Grupi lëvizi nga pas me ndrojtje. Nga lart, prej godinës së pedagogëve dëgjuam disa thirrje mbështetëse. Asnjëherë nuk e kam marrë vesht se kush qe inkurajuesi ynë. Por atë çast e ndjemë se profesorët ishin me ne, kjo kishte rëndësi. Sapo qemë afruar te drejtoria kur një i sapoardhur thirri: “Tek sheshi”.

Turma lëvizi drejt sheshit. Mjaftonte një komandë që të gjithë të lëviznin në grup, pa e ditur se si qenë kompaktësuar ashtu. Pellgjet e shiut pasqyronin ndriçimin e vagullt të qytetit. Pothuaj gjithë Qyteti Studenti qe zgjatur në dritare. Grupi nuk ishte më tepër se 150 vetë. Diku, në një interval të ndërmjetëm, si për të thyer frikën apo si për t’ju gjendur pranë me të vetmen mënyrë që mundte, nga dritarja, një vajzë nisi të këndonte këngën e njohur.

-Se mjaft në robëri, o e mjera Shqipëri…

Dhe grupi nisi të këndojë. Kënga sikur e largonte frikën. Pak minuta më vonë nisi xhiroja nëpër godinat e djemve. Grupi po shtohej. Te godina 14-të disa vetë goditën me gurë dritaret e ndriçuara. Nga brenda fikën dritat. Po atë moment, godina e vajzave fiku dritat në shenjë solidariteti dhe vajzat dolën në shesh. Djemtë u bënë edhe më trima nga prania e tyre. Ishte një moment i rëndësishëm kthese.

Tregon një anonim:

“Ne nuk kuptonim ç’ndodhi kur një djalë me xhakonventë të zezë u ngjit mbi bordurën e një vazoje betoni. Nuk kemi punë me dritat, thirri, po, qetë, trima, hajdeni në shesh. Unë jam me ju. Dijeni. Kam dy fëmijë. Po  të jetë për të vdekur le të vdes unë. Fëmijët do të ma marrin hakun.

Dy-tre vetë që e njihnin nisën të thërrasin emrin e tij. Një student i elektronikës, u shkëput nga grupi dhe i futi krahun.

-Nisemi, – i tha.

U nisëm vërtet. Pak më vonë mora vesh se prijësi ynë i asaj nate ishte student i filozofisë dhe e quanin Azem Hajdari. Ai që u bashkua me të quhej Arben Lika.

E NDËRMJETME

Në zyrat e KQ të PPSH-së qe dhënë alarmi. Gjysmë të përgjumur, instruktorë, operativë, funksionarë të lartë apo thjesht vullnetarë të përhershëm lëviznin plot zhurmë koridoreve. Po ato momente Xhelil Gjoni dhe Pirro Kondi qenë mbledhur në KP të Tiranës. Lajmi qe tronditës: Studentët po zbrisnin drejt Tiranës.

Ministri i Arsimit Skënder Gjinushi ndodhej në një darkë familjare atë natë. Ai kontaktoi për një problem mësimor Rektorin e Universitetit, por në shtëpinë e tij iu përgjigjën me një fjali të vetme. Rektori nuk ndidhej aty. Studentët qenë ngritur në demonstratë.

Skënder Gjinushi e la darkën. U nis drejt Qytetit Studenti. Pirro Kondi kish mbërritur më parë atje. Sheshi përpara drejtorisë qe mbushur me makina zyrtare.

PËRSËRI QYTETI STUDENTI

Grupi i studentëve pati mbërritur në kryqëzimin pas Ambasadës Italiane (aktualisht Ambasada Amerikane). Rradhët qenë shtuar ndjeshëm dhe tani ishin ndoshta 1000 vetë. Parrullat qenë bërë më të guximshme dhe me protestuesit qenë bashkuar edhe banorë të lagjes. Me vështirësi ata vazhdonin të çanin drejt Ambasadës Italiane (aktualisht Ambasada Amerikane), kryqëzimit të Liceut Artistik e pas tij drejt qendrës së Tiranës.

“Isha në rreshtin e parë, tregon Spiro Curra, kapur për dore me Alma Bendon dhe një tjetër. Ecnim me kujdes për të mos u shkëputur nga grupi. Dikur, pas Ambasadës Italiane, në rrugicë, pata përshtypjen se nga pas na ndiqte njeri. Ktheva kokën. Pothuaj ngjitur me mua një ARO me drita të fikura zbriste poshtë . ARO-ja  ndaloi. Prej saj zbriti Pirro Kondi. Ai u fut midis grupit. Pak çaste më vonë e dëgjova të fliste me megafon. Turma kishte ndaluar”.

Ardian Klosi, një përkthyes dhe shkrimtar i ri, i sapokthyer nga Austria kishte qenë ndër organizatorët e mbrëmjes me rastin e 10-vjetorit të vrasjes së Xhon Lenonit. Ai ishte ende në Institut kur mbërrit lajmi për protestën e studentëve. Pak vite më vonë, ai kujton në librin e tij:

“Pastaj, kur do të iknim na thanë se plasi andej nga konviktet. U ngjitëm të gjithë. Koret e zymta të studentëve na dolën përballë në rrugën që zbret për tek Ambasada Italiane. “S‘kemi punë me policinë”; “Mos na lini vetëm”. Turma ishte e ngjeshur me ballin e ndriçuar dhe fundin që humbiste në errësirë. Ajo herë lëvizte poshtë, herë zbrapsej përpjetë. Studentët më të frikësuar ishin ngjitur tek gardhet mbi rrugë. Shokët e tyre demostrues kthenin kokat dhe ju thërrisnin në kor: “Mos na lini vetëm, mos na lini vetëm”.

Historia është fare e thjeshtë, madje rastësore, kujton një student i asaj nate. Kur grupi u gjend përballë trupave speciale të policisë pranë gardhit të Ambasadës Italiane, dy – tre rreshtat e parë deshën të kthehen. Por rrethtat e fundit, që ishin shumë herë më shumë shtynin drejt qendrës me idenë, o sot o kurrë! Në këtë mënyrë, pjesa kryesore mbeti e bllokuar mes policisë që kërkonte t’i shtynte në Qytetin Studenti dhe shokëve të tyre që i shtynin drejt qendrës së Tiranës.

Po atë moment një grup i dytë qe formuar lart pranë sheshit të qytetit. Studentët shkonin e vinin. I afroheshin nga pas grupit qëndror pastaj ktheheshin përsëri për t’ju dhënë lajmet më të fundit shokëve. Lajmet përcilleshin me zë të lartë jo vetëm poshtë në shesh, por edhe prej aty-lart, ose nga një dritare në tjetrën. Kujdestarët kishin mbyllur dyert e shumë godinave dhe më të padurueshmit patën lidhur në bordurat e katit të dytë çarçafët, me të cilat vareshin poshtë drejt rrëmujës. Në shesh, mes një grupi të vogël fliste ministri i Arsimit, Skënder Gjinushi.

Tregon Akli Fundo, student i matematikës: “Ne ishim një grup shokësh që kishim vendosur të mos votonim në shenjë proteste. Atë natë vija nga rruga tjetër drejt qytetit. Dëgjova thirrje. Studentë të nxituar që nguteshin për diku më thanë veç ca fjalë të veçuara. Kur arrita në shesh, pashë Skënder Gjinushin. Ai kishte qenë për një vit pedagogu im. Iu afrova.

-Ti je njeri i mirë,- i thashë,- më mirë ik.

Më njohu, vështroi nga ne dhe nuk reagoi.

Së bashku me një grup të madh zbritëm poshtë. Turma i qe afruar  liceut. Thirrja “Fikni dritat” i kishte bërë banorët e pallateve të përjetonin gjithçka në errësirë. Pati mbetur vetëm një dritë shkallësh në një pallat. Dikush doli nga apartamenti i tij dhe e fiku. Turma brohoriti. Ishte veprimi i parë, që edhe pse i thjeshtë mund të meritonte fjalën aq të nevojshme për ne: solidaritet. Te kopshti, pas Ambasadës Italiane, pamë fillimisht murin e policëve me mburoja”.

Grupi u bllokua. Dikush pëshpëriti se sapo kishte mbërritur Ministri i Brendshëm, Hekuran Isai. Si për të vërtetuar fjalët e tij një makinë e bardhë çau mes për mes grumbullin e studentëve. Ajo ndaloi pak më tutje. U dëgjuan thirrje me megafon. Zëri i parë pëshpëriti edhe një herë se ai ishte Hekuran Isai. Ishte një burrë i shkurtër që thuajse kish humbur në turmën e studentëve të nervozuar. Megafoni bënte thirrje për qetësi. Duke përfituar nga pushimi, shumica kishin ndezur cigaret. Moria e tyre dukej në errësirën e natës si një grumbull i mrekullueshëm xixëllonjash. Dikush thirri se ata pranonin të bisedonin vetëm me presidentin Ramiz Alia dhe megafoni heshti. Ishte një heshtje e rëndë që e thyenin aty-këtu vetëm kërcitjet e mburojave të rënda të policisë. Asnjëherë deri atë ditë nuk qe dëgjuar emërtimi: Presidenti Alia. Ai njihej si Shoku Ramiz, Sekretari i Parë i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë. Studentët po e ndanin tashmë nga partia, për ta vendosur në rolin e presidentit, që sipas tyre, duhej të ishte asnjanës.

Hekuran Isai dhe Pirro Kondi hezituan. Studentët përsëritën edhe një herë se nuk do ta ndërprisnin protestën pa u takuar me Ramiz Alinë. Kaluan thuajse 30 minuta. Mespërmes grupit, i shoqëruar nga sigurimsat, kaloi si hije Hekuran Isai. Ai u vendos midis studentëve dhe gardhit të policëve.

– Shoku Ramiz pranon të takohet me një grup tuajin,- thirri megafoni.- Do t’ju çojmë me makinë.

Nga grupi heshtën. I pari e hodhi hapin Azem Hajdari. Ai iu afrua njërit prej rreshtit të fillimit.

-Ti rri këtu,- tha. Po qe se ne nuk kthehemi për 45 minuta nuk do të kthehemi më kurrë. Ju çani drejt qytetit.

Studentët nuk pranuan të hipin në makinë. Përfaqësia prej 13 studentësh u nis nga rruga e Elbasanit, në rrugën e Liceut, përpara godinës së TVSH- së, në drejtim të Korpusit Qendror të Universitetit. Ramiz Alia do t’i priste aty.

Sekretari i Parë i KQ të PPSH- së ishte duke fjetur kur shefi i rojeve e zgjoi duke i thënë se nga Ministria e Brendshme kishin një mesazh urgjent. Ramiz Alia e kujton kështu atë moment:

“Ishte diçka përpara mesnatës, kur oficeri i shërbimit më zgjoi dhe më tha se kishte një lajm urgjent. Më thanë se studentët kishin filluar një protestë për probleme të trajtimit në Qytetin Studenti, kryesisht për dritat dhe se nuk ktheheshin as në konvikt dhe as nisnin mësimin pa biseduar me mua. U thashë të më sillnin drejtuesit e tyre dhe u nisa në këmbë nga shtëpia, pranë Selisë së Komitetit Qendror, për në Korpusin Qendror të Universitetit”.

Ishte ora 01.10. Studentët kishin më shumë se 20 minuta që prisnin në një nga sallat e Korpusit Qendror të Universitetit së bashku më Xhelil Gjonin. Ramiz Alia hyri i qetë dhe në dukje miqësor. Biseda nuk zgjati shumë. Përfaqësia kishte vendosur të bëhej zëdhënëse e masës. Ishte e kuptueshme që studentët e ndjenin se mund të sugjestionoheshin nga prania e njeriut nr.1 të Shqipërisë. Dialogu i zhvilluar qe pak a shumë ky:

Presidenti   –    Ç’kërkoni?

Studentët     –     Duan t’ju takojmë.

Presidenti    –     Ja ku jemi, flisni!

Studentët     –     Jo tani. Duam të hartojmë kërkesat e t’jua paraqesim në takim.

Presidenti    –     Po, ç‘kërkoni, ç‘kërkesa keni? Më thanë që ju mungojnë dritat dhe ngrohja.

Azem Hajdari – Ne s’kemi ardhur për një pjatë grosh apo pak sheqer më shumë në çaj, se edhe fëmijët e mi në Bajram Curr nuk hanë më mirë, ne kemi probleme të tjera.

Presidenti    –     Aaaa, po kjo është gjë tjetër, kjo është serioze.

Studentët     –     Po, ne duam të hartojmë kërkesat tona dhe të flasim me ty.

Presidenti    –     Kur doni? Po përse nuk flisni me Organizatën e Rinisë?

Studentët     –     Ne nuk kemi punë me atë organizatë, ajo nuk na përfaqëson!

Presidenti    –     Ç’domethënë kjo, ju e keni Organizatën e Rinisë!

Studentët     –     Nuk kemi asnjë punë me të. Nesër? Takohemi nesër në Qytetin Studenti?

Presidenti    –     Nuk keni mundësi. Tani është vonë. Shkoni flini, nesër bëni shkollë, hartoni kërkesën dhe takohemi të martën. Për çdo gjë njoftoni ministrin.

Grupi i studentëve i stepur pranoi. Presidenti u bëri edhe një ekspoze të shkurtër të gjendjes ekonomike duke i siguruar se gjithçka do të rregullohet shpejt në Qytetin Studenti. Ai mundohej ta paraqiste të gjithë këtë si një revoltë të thjeshtë ekonomike. Studentët u larguan pasi morën garancinë e tij se askush nuk do të ndëshkohej për këtë që po ndodhte.

Ramiz Alia ka thënë gjithnjë më vonë se që atë moment ai e kuptoi se kjo nuk ishte më një protestë e thjeshtë ekonomike. “Kur më thanë se nuk duan Organizatën e Rinisë dhe kur shtuan se do të ngrenë një organizatë të tyren, unë e kuptova që s’ishte një protestë ekonomike, është shprehur Alia më vonë. E kuptova që thelbi ishte politik dhe që shpejt, nëse nuk shuhej ajo do të shkonte tek pluripartitizmi”.

Ramiz Alia nuk tregoi kurrë faktin që 25 ditë më parë, shërbimi i kundërzbulimit shqiptar, i kish përcjellë atij një letër tepër sekrete, që njoftonte se në Qytetin Studenti priteshin trazira. Informatori i mbetur ende anonim, sqaronte se kjo mund të ndodhte rreth datave 28 dhe 29 nëntor, për festa dhe sugjeronte që ato ditë të ndërpritej mësimi dhe studentët të shpërndaheshin nëpër shtëpi. Siç edhe ndodhi realisht. Studentëve iu dhanë pushime dhe ata duhej të zëvendësonin ditët e humbura me mësim në datën 9 dhjetor. Sigurimi kish besuar se shmangu një protestë duke i larguar studentët më 26 nëntor, por befas, i kish dhënë krahë protestës duke i thirrur ata në mësim në datën 9 dhjetor.

Edhe pse ai e ka pasur vështirë të imagjinonte që atë moment përmasat e saj, Ramiz Alia padyshim e ka kuptuar që ky ishte fillimi i fundit për partinë e tij, partinë që Enver Hoxha kishte themeluar 49 vjet më parë dhe që drejtonte me dorë të hekurt Shqipërinë që prej 46 vjetësh. Ndërsa kthehej në këmbë në shtëpinë e tij, ai ka menduar, padyshim, që pluralizmi ishte thjeshtë punë orësh. Vite me vonë, ai u shpreh se nëse Lëvizja e Studentëve nuk do të kishte filluar, ai nuk do ta kishte dekretuar pluralizmin politik dhe se mbi të gjitha, nuk ishte i përgatitur për atë.

Përfaqësia kishte mbërritur ndërkohë tek studentët. Grupi i madh priste atje në ankth, i bllokuar nga trupat speciale dhe hekurat e rrethimit të Ambasadës Italiane. Ishte pothuajse ora 02.00 e mëngjesit. Përfaqësia zbriti nga makina përpara Hekuran Isait. Dikush i zgjati megafonin Azem Hajdarit të jepte shpjegime për takimin. Ky ende nuk kishte mbaruar, kur nga radhët e para të turmës një oficer thirri:

– Më vodhën revolverin.

Kuptohet kjo, “më vodhën revolverin” ishte shkopi magjik për të hyrë rishtas në metodat e përjetshme të dhunës.

– Qëlloni! – thirri Hekuran Isai.

Dhjetëra sambistë u hodhën duke goditur fort me shkopinjtë e gomës. Grupi i kap i papërgatitur. Disa mundën të kthehen e të ikin, disa u penguan te ca stola te betontë, të tjerët që vinin pas shkelën mbi ta. Të parët u mblodhën  kruspull nga furia e goditjeve. Vajzat ulërinin, djemtë rënkonin. Arben Lika, i ndodhur pas shpinës së policit, iu afrua Hekuran Isait.

-Presidenti garantoi se nuk do të na prekni – i pëshpëriti me frikë.

-Presidentin e njoh unë, – ia ktheu ai me inat.

Ardian Klosi, që qëndronte ende aty që prej momentit të mbërritjes, e kujton kështu në librin e tij atë moment:

“Kishte kaluar mesnata dhe ne po prisnim përgjigjen që do të na sillte Sekretari i Parë, tek i cili ishte dërguar një përfaqësi. “Poshtë diktatura, poshtë Dinastia”. Përgjigjja e Sekretarit të Parë erdhi andej nga ora 1.00. Ishte e menjëhershme, nuk kishe kohë të mendoje për asgjë tjetër. Dëgjova në fillim ulerima femrash, të cilat i kishin nxjerrë në ballë, pastaj ndjeva turmën që ishte kthyer mbrapsht, nën kërcënimin e kërbaçëve të policisë dhe pata frikë. Frikë, jo nga ndonjë shkop, se sa ngaqë turma po më ngjeshte pas një muri të pasuvatuar. Arrita t’ia mbath në një hyrje ku kisha lënë biçikletën. Dola një një çerek ore më vonë. Njerëz të shpërndarë në sheshin e rrahjes. Diku, rrethuar nga vajza dhe djem që e shanin, ndodhej ministri i Brendshëm.

– Çare ka mor jau, sikur u vra njeri!- Dëgjova që po thoshte me një aksent peqinas.

Ndërkohë, grumbulli kryesor tërhiqej me panik drejt Qytetit Studenti.

Në kaos, pa e kuptuar ç’po ndodhte, duke u përplasur me njëri-tjetrin dhe me stolat e betonit, studentët nisën të tërhiqen drejt qytezës së tyre. Ata më të guximshmit nisën të hedhin gurë mbi sambistët dhe makinat e Hekuran Isait dhe Pirro Kondit. Shumica ikën me nxitim, po të tjerë nisën të organizohen, të tërhiqen thuajse në formacion luftimi, drejt fjetoreve, aty ku besonin se nuk do t’i arrinte askush. Në fakt, sambistët dhe policia nuk arritën dot deri në Qytetin Studenti, nuk hynë në qytetin ku ata banonin. Nuk dihet se cili qe shkaku i ngurimit të tyre: fakti që aty mund të kish rezistencë më të madhe apo bindja që duke hyrë në qytetin e tyre, studentët do të qenë të izoluar nga qytetarët e Tiranës. Cilido që të ketë qenë arsyetimi, ai ishte padyshim gabimi fatal i komunizmit shqiptar. Me ngurimin e tyre ata i dhanë padashje Qytetit Studenti një status të vecantë, atë të zonës së lirë. Një zonë, ku për herë të parë nuk drejtonte Partia e Punës, por një grup studentësh, drejtuar nga një 27-vjeçar i guximshëm nga Tropoja, i quajtur Azem Hajdari, student i drejtësisë.

Të mbledhur në Qytetin Studenti, për herë të parë në historinë e Shqipërisë, studentët ose demostruesit antikomunistë, nuk u futën në dhoma. Shumica nuk u fshehën. Por edhe këtë moment një rastësi tjetër, siç dëshmojnë shumë vetë ka luajtur një rol deciziv: shumë prej studentëve nuk qenë kthyer në konvikte. Në rrëmujë e sipër dhe të trembur nga represioni i pritshëm, ata qenë strehuar tek të afërmit në Tiranë ose shokët që ishin nga qyteti. Duke mos e ditur këtë, shumica i menduan të arrestuar nga policia dhe një djalë korçar, e rrumbullakosi numrin në 200 vetë. Ideja për të shpëtuar 200 shokët e arrestuar, i bëri studentët të grumbullohen sërish. Qëndruan në shesh, duke dëgjuar fjalën e Azem Hajdarit dhe premtimin e tij:

– Nesër nuk do të shkojmë në shkollë! Nuk do të shkojmë derisa të gjenden ata që shkaktuan dhunë mbi studentët dhe ata që kanë shkaktuar këtë gjendje dhe derisa të lirohen shokët tanë!

Ende të paqartë, studentët kërkuan të hartohen kërkesat e tyre dhe për herë të parë, sipas dëshmitarëve, thirrja pluralizëm doli në skenë. Një fjalë që ata s’e kishin artikuluar ende, por që do të merrte formë dy ditë më pas.

– Do të protestojmë sërish, ishte fjala e fundit. Nesër s’ka shkollë dhe do të presim Ramiz Alinë këtu për bisedime. Ai duhet të vijë të thotë se përse na rrahën. Në heshtje, u vendos që po atë natë të kërkohej ndihma e pedagogëve:

8 dhjetor 1990, pas mesnate. Misteri i revolverit. Kronikë

A u vodh revolveri vërtet a jo? A ishte ajo thjeshte një alibi për të tentuar shpërndarjen me dhunë? A mendoi ministri i Brendshëm se duke u shpërndarë atë moment, studentët nuk do të mblidheshin më? Është e vështirë të thuhet, edhe pse ky ngjan varianti më i besueshëm. Skënder Gjinushi, ministri i Arsimit, që ishte aty, vite më vonë gjithnjë e ka konsideruar këtë një alibi: “Pas takimit me Alinë, u la takim tjetër, shpjegon ai. Pritej qetësim i situatës. Dhuna u bë për një revolver. Se çfarë lidhje ka humbja e revolverit me dhunën, s’e kuptoj. “

Vetë Ramiz Alia u duk ose bëri si i befasuar tre ditë më pas, gjatë Plenumit të XIII të KQ të PPSH-së kur informoi anëtarët e Plenumit për atë që kish ndodhur dhe kur debatoi me Hekuran Isain:

– Ramiz Alia: Disa të rinj atje zunë një oficer të ushtrisë ja marrin koburen në errësirë, nuk di a është vërtetuar kjo?

– Hekuran Isai: Po, është e konfirmuar!

– Ramiz Alia: Dua numrin e kobures që t’jua jap kur t’i takojë dhe i morën koburen. Oficeri bërtiti dhe goditi. Ndërhynë dhe policët dhe goditën edhe një nga studentët që ishte në takim me mua. Në fakt ata u shpërndanë nëpër konvikte. (Plenumi i 13-të i KQ të PPSH së, 11 dhjetor 1990).

Ramiz Alia i ka qëndruar gjithnjë idesë që atë natë gjithçka ka qenë spontane dhe dhuna nuk ka pasur asnjë urdhër nga lart. Në një intervistë të vitit 2006 ai ka deklaruar: “Nga ana e Ministrisë së Brendshme, më dhanë një arsyetim, sipas të cilit dikush, një oficer, humbi koburen dhe kjo shkaktoi një zënkë. Por unë nuk besoj që dikush nga udhëheqja e Ministrisë, të ketë dhënë urdhër që të rriheshin”.

Me këtë ndërhyrje, Ramiz Alia shfajësoi edhe Hekuran Isain dhe mori mbi vete një pjesë të madhe të mërisë së studentëve.

E NESËRME 9 DHJETOR

Grekët e vjetër kanë patur një legjendë ku nata paraqitej si një grua shtatzënë që lind ditën. Dhe dhuna e natës lindi po atë mëngjes vendosmërinë e ditës. Protesta e demonstrime disaorëshe në Shqipëri kishte patur edhe herë të tjera kohët e fundit, por asnjë prej tyre nuk qe ringjallur të nesërmen. Kësaj radhe dhuna kishte vepruar si një lavjerrës që do të godiste pikërisht shtysit e saj.

Më vonë kam pyetur gjithmonë se ç’do të ndodhte sikur ai oficer të mos thërriste:  “Më vodhën revolverin.” Sikur stambistët të mos vringëllinin shkopinjtë e gomës. Ndoshta turma do të shpërndahej vetë. Ndoshta do të tentonte të zbriste drejt qytetit. Ajo e para kish më tepër mundësi. Por nuk ndodhi ashtu. Sepse një oficer (ndoshta i parapërgatitur) thirri: Më vodhën revolverin. Dhe revolveri qe për diktaturën fillimi i fundit të një dhune 46-vjeçare.

Shumë studentë nuk kishin fjetur atë natë. Herët në mëngjes, thuajse 30 vetë qenë mbledhur në mensën e Qytetit Studenti. U vendos që të nesërmen të mos shkohej në shkollë dhe që t’u bëhej thirrje edhe studentëve tiranas dhe konviktorëve të mjekësisë, bujqësisë dhe të Institutit të Fizkulturës të bashkoheshin me ta.

Grupimi pas asaj nate pa gjumë, hartimi i peticionit, marrja e vendimit për bojkotimin e mësimit dhe vazhdimin e protestave zgjatën pak. Erdhi një moment, një çast i çuditërisht i ngatërruar, kur të ndodhur në një gjendje komplekse, mbase ireale, të papërsëritshme, studentët vendosën të zbresin nga lartësitë e Qytetit Studenti nëpër rrugët e Liceut drejt Tiranës e pa dashur drejt Shqipërisë. Ishin afro 3 mijë vetë.

9 dhjetor, mëngjes

Ishte e diel, një mëngjes i hirtë dhe i vrenjtur. U zgjova me një dhimbje koke të fortë. Në të vërtetë koka nuk më kishte dhembur prej kohësh. U kujtova që ishte ditë shkolle.  Mendova të mos dilja fare, por kur ndjeva zhurmën e lavatriçes e kuptova se si përherë të dielat janë të pamundura të përballohen në shtëpi. U vesha dhe u nisa për në shkollë.

Me të mbërritur tek ura e Lanës, pranë rrugës së Elbasanit, dëgjova thirrje të largëta. Demonstratë, mendova, dhe diçka më lëvizi në gjoks. Shpejtova hapat. Pastaj në çast u ftoha. Besova se zhurmat vinin nga stadiumi ku me sa dukej zhvillohej një ndeshje. Kisha mbërritur ndërkohë te Liceu kur pashë studentë të fakultetit tim që zbrisnin me vrap drejt qytetit.

– Ç’ka?- pyeta katër studente të vitit të dytë letërsi.

– Demonstratë- ma kthyen – ik shpejt!

Ngela i habitur. Nga lart po tërhiqeshin disa prej shokëve të mi. Në rrugicat anësore dallova policë të armatosur me shkopinj. Dy makina të mëdha ndaluan tek Liceu dhe sambistë të armatosur me shkopinj, lopata xheniere, mburoja dhe helmeta zunë rrugën. I vura re kur qenë përballë meje. Ishin fare të rinj dhe asnjë prej tyre nuk kishte sigurinë që diktatura u jep ushtruesve të saj të dhunës.

-Mbajuni fort, mbajuni për dore, – dëgjova që i thoshin njëri-tjetrit!

– Mos u ndani, shtrëngohuni!

Kishin frikë, si rrallë ndonjëherë. Frika e tyre më bëri të ndihem mirë. Ndjeva një lehtësim që e humba sërish. Sapo e kuptova që u ndodhëm të rrethuar. Demonstruesit ende nuk po dukeshin. I ndodhur midis policëve ndjeva diçka të çuditshme. Ishte frikë, patjetër frikë. Ushtarë me helmeta, shkopinj gome, shteti, ligji… Për herë të parë në jetën time ndodhesha fare pranë këtyre tabuve të tmerrshme komuniste. Dhuna ishte aty, edhe egërsia socialiste. E perceptueshme, gati e prekshme. Kushdo që ka jetuar në një diktaturë e di se në ç’raporte është personi me diktaturën. E di frikën që rritet tek çdo individ që në momentet e para të jetës së tij; e di tmerrin që ngjall ideja e një sfide ndaj diktaturës. Në diktaturë, ka një hapësirë ku individi mund të lëvizë, kufijtë e kësaj hapësire janë përherë të përcaktuar qartë, rreptësisht. Kalimi nga njëra te tjetra përbën mëkatin më të tmerrshëm. Ligji nuk ekziston, ndaj institucionet e shtetit mbeteshin përherë misterioze, të frikshme dhe ideja për t’i sfiduar ato i shkaktonte mendimtarit të guximshëm vuajtje të rënda.

Nuk isha tërhequr plotësisht kur kolona e gjatë në katërsh u gjend përballë meje. Aty, në rreshtin e parë pashë Artan Mirakën, shokun tim të grupit nga Librazhdi. Një prej djemve më të urtë dhe të qetë të grupit. Nuk kisha folur kurrë me të për politikë dhe nuk më dukej se e shqetësonte kjo gjë. Ngriva. Me nofullat e shtrënguara fort, kapur për dore, djemtë e rreshtit të parë sikur i jepnin zemër njëri-tjetrit. Frika m’u zhduk. Është e çuditshme. Në një çast të vetëm, sapo pashë disa fytyra të njohura në ballë të grupit. Gjithmonë më është dukur se ai çast fatlum nuk do të përsëritet më. Ankthi, tensioni, 50-vjet frikë dhe terror të zhvleftësuara lehtësisht, shkopinjtë e gomës, thirrjet përballë: “Hiqni policinë”. Ishte nga ato momente që padashur ndryshojnë jetën e njerëzve. Ndjeva që trupi më ishte bërë akull dhe qeshë mbushur me mornica. Ishte një emocion i pabesueshëm. U rrotullova nga shtëpia e G. Pashkos (rruga Budi) pas muzeut Lenin – Stalin (Aktualisht Rezidenca e Ambasadorit Italian) dhe nëpër fushën krah Ambasadës Italiane (sot nuk ekziston më sepse janë ndërtuar pallate) u bashkova me studentët. Policia e ndau turmën më dysh. Mbetëm vetëm rreth 1000 vetë të bllokuar te Liceu Artistik. Pas shpinës tonë vështronte personeli i Ambasadës Italiane.

Ishte ora 10.00. Rreshtat e parë vazhdonin të protestonin me thirrjet: “Hiqni policinë”, “Nuk duam dhunë”, “Jemi paqësorë”, “Mos e bëni si në Kosovë”. Nga fundi gjendja qe më e qetë. Duhanxhinjtë të lodhur shtegtonin nga fillimi drejt fundit, kërkonin cigare, i ndiznin dhe niseshin përsëri në krye, të vendosur për të mos humbur asnjë moment. Gjithça qe tensionuar. Nuk e di sa ishte ora kur nga mesi erdhi urdhri që të parët të rrinin fare pranë stambistëve për të mos u dhënë hapësirë t’i godisnin. Çdo çast pritej shpërthimi i tyre.

10 minuta më pas ankthi sikur qe fashitur. Pak më vonë nga kreu u dëgjuan zhurma. Kishte mbërritur për dialog sekretari i parë i Komitetit Qendror të Rinisë, Lisen Bashkurti: Ai seç foli diçka që e dëgjuan fare pak vetë pastaj thirri:

-Protestën tuaj ekonomike po shfrytëzojnë elementë armiq të futur aty.

-Jo, zoti Lisen,- iu përgjigj Azemi.- Ne jemi të vendosur. Iku koha kur rininë shqiptare e drejtonte një çoban. Tani do të bëhet vullneti i studentëve.

Azemi ishte ngritur mbi supet e dy djemve, i veshur me nje xhakovento lëkure të zezë dhe me pantallona bluxhins të çelura. Ishte hera e parë që e shihja, por zëri i tij në megafon më ngjalli siguri. Më thanë se ishte nga Tropoja dhe 6 vjet më i madh se ne të tjerët në moshë. E njihnin pothuaj të gjithë.

Vite më vonë, Azemi tregonte se atë moment ai nuk kishte më kthim pas, se kishte vendosur të qëndronte dhe se kishte llogaritur gjithçka. Kur mendon edhe vdekjen si të fundit gjë, je gjithnjë më trim, më deklaronte në një intervistë të dhjetorit 1997, 7 vjet pas protestave.

Lisen Bashkurti mbeti aty dhe unë mendova se në praninë e tij nuk do të na godisnin.

Po shkonte ora 10. 30. Pas shpinës së policisë qenë mbledhur disa qindra qytetarë. “Bashkohuni me ne”, “Tirana është me ne”,  “Shqipëria është me ne”, “Nuk duam spektatorë”. Parrullat thirreshin e herë-herë përziheshin me njëra-tjetrën.

– Vëlla, parullat me komandë, – thirri një student i ardhur prej fillimit. Ai vazhdonte më tutje duke përsëritur të njëjtat fjalë.

Nga mesi filluan të këndojnë himnin e flamurit. Një pjesë e ngatërronin me Internacionalen. Ose më saktë, fjalët e njohura të himnit i këndonin me muzikën e këngës së njohur proletare. U krijua një rrëmujë zhurmash. Kreu e ndërpreu këngën dhe rinisi parullat. Ato sa vinin bëheshin më të guximshme. “Liri-Demokraci”, “E duam Shqipërinë Demokratike”, “Edhe ne si gjithë Evropa”, “Mos qëlloni mbi studentë”.

Një orë më vonë mbeti po ajo. Unë isha mbështetur mbas murit të një oborri së bashku me Ben Blushin, Dritan Islamin, Redin, Anxhela Jançen, Rrelin, Pirro Thanasin dhe Manjola Lalajn, të gjithë studentë të një moshe. Pothuaj kudo rrotull njihja studentë të Filologjikut. Nga diku më larg Saimir Sinani, një student nga Fieri më shkeli syrin. Ai ishte së bashku me Aida Saken, Kujtimin Gjunkshin, një student nga Peshkopia dhe të fejuarën e tij. E fejuara e shtrëngonte Kujtimin fort për dore. Unë e dija se ajo i kishte kërkuar gjithnjë të iknin nga Shqipëria, siç do të bënin vërtet më vonë, por atë moment, ata nuk shmangeshin. Ishte një kohë, kur secili donte të ishte aty.

Mund edhe të qëllojnë, – tha një tip me cigare në dorë, i mbërritur s’di prej ku.

Si? – e pyeta.

Mund të qëllojnë, si më 2 korrik. Këtu e kanë lehtë, mund të vrasin sa të duan.

Ai qe krejt i qetë. Më vështroi në sy dhe thithi fort cigaren.

Ç’je?

Urith, – ma ktheu (ky ishte epiteti i studentëve të Gjeologji-Minierave).

Unë heshta dhe tipi u zhduk përsëri. Studentët e parë nisën të ulen. Pak më vonë i gjithë grupi i studentëve qe ulur përdhe.

Dëgjo, dëgjo,- thirri Pirro.

Një student i mekanikës me sy të shtrembër imitonte lajmin për ngjarjet në Qytetin Studenti që do të transmetonte atë natë televizioni. Sipas një stili të drunjtë të përdorur për ngjarjet e 2 korrikut, ai po perifrazonte tashmë duke i dhënë një ton televiziv.

“Sot në mëngjes disa huliganë të Qytetit Studenti, duke ëndërruar të prishin qetësinë publike të qytetarëve paqësorë, filluan të thërrasin rrugëve parulla të turpshme. Këta huliganë në bashkëpunim me armikun e brendshëm e të jashtëm u përpoqën të prishnin marrëdhëniet vëllazërore të Shqipërisë me Italinë duke thirrur përpara Ambasadës Italiane, e duke i prishur gjumin ambasadorit. Forcat e 326-tës ndërhynë menjëherë. Këta kanë qenë huliganët më kokëfortë që nga korriku i këtij viti”.

Ora po shkonte 12.30.

U afrova në krye. Rreshti i parë po përpiqej të vazhdonte bisedimet. Midis tyre takova Edvin Shvarcin, një bashkëstudent i letërsisë, që prej muajsh ishte kritik i hapur i regjimit.

– Ikni,- më tha,- hapuni ju që të tërhiqen edhe të parët. Kanë marrë urdhër të na shpërndajnë me dhunë.

Asnjëherë nuk e mësova se nga kush e mori atë informacion. Fjala kaloi nën zë, por pakkush reagoi. Në fakt, një orë më vonë, në 14.30 fillonte derbi i futbollit shqiptar Dinamo – Partizani dhe mbi 20 000 vetë, të gjithë të rinj do të kalonin nga ajo rrugë për në stadium. Nuk arrita të bashkohesha me shokët kur pas shpine dëgjova ulërima. Turma u turr në kaos të plotë drejt fushës krah Ambasadës Italiane, e vetmja rrugë kalimi. Renda së bashku me të tjerët me vrull. Kisha kohë pa vrapuar ashtu. Tek një rrëpirë e përbaltur rrëshqita. Kur u ngrita pata mbetur nga të fundit.

Përpara meje, shihja djem që iknin duke tërhequr vajzat, të guximshëm që ndalonin për të marrë të plagosurit, trima që ktheheshin përballë sambistëve me thirrjet: “Mos ikni, mos shtini, nuk kanë çfarë të na bëjnë”; libra që binin dhe civilë të armatosur që na ndiqnin pas e godisnin me forcë. Ulërimat e dhimbjeve thernin qiellin e lagësht. Fare pranë pallatit të parë një djalë ecte gati këmbadorazi. Ai thërriste. Ktheva kokën. Një fragment sekonde vura re Noela Panaritin, studente korçare e letërsisë midis tre sambistëve dhe Eptan Lohjen, një student mekanike, i njohur për filmat që kish luajtur në fëmijëri, që përpiqej të organizonte një grup rezistence.

– Mos ikni,- bërtiste fort,- mos ikni se nuk kanë ç’na bëjnë, jemi më shumë.

Të tjerët përpara meje po hynin në apartamentet e familjeve që kishin hapur dyert. Një turmë e vogël qëllonte me tulla sambistë të veçuar. Studenti pranë meje vazhdonte të ecte këmbadoras. E ngrita. Nuk kishte asnjë shenjë plage.

– Më goditi polici i ambasadës në kokë,- tha,- tani nuk shoh.- Ai çuditërisht as ankohej as ulërinte. E futa në një nga apartamentet e katit të parë.

– Mos e lajmëro babin,- më tha përpara se të ikja.

– Nga je?

– Nga Kolonja.

Gruaja e shtëpisë po qante. Në hyrjet e pallateve dhe rrugët kish nisur raprezalja. Konviktorët qenë rigrupuar në hyrje të Qytetit Studenti dhe tërhiqeshin drejt tij në rregull, si një formacion i vërtetë luftimi. Ata godisnin vazhdimisht me gurë reshtin e sambistëve me helmeta. Sambistët nuk bënë asnjë tentativë të sulmonin qytetin. Ky vendim qe padyshim fatal për ta. Por ndoshta edhe një mision i pamundur, që ata e kishin kuptuar që në fillim.

Sali Berisha, kardiologu që më pas do të bëhej Presidenti i parë i Shqipërisë postpluraliste e kujton kështu atë moment në një intervistë të 14 viteve më vonë:

“Mëngjesin e datës 9 dhjetor kisha lënë një takim për kafe me Kujtim Çashkun dhe Besnik Mustafajn tek 15-katëshi. Asnjë nga ne nuk dinte gjë. Pak më vonë erdhi Qemal Sakajeva me dikë tjetër. Më tha: “Studentët mbrëmë kanë dalë në demonstrata, i kanë rrahur, kanë arrestuar shumë në 02.00 të natës”. U gëzova. Ikim,- ju thashë Besnikut dhe Kujtimit. U nisëm të tre. Arritëm të penetrojmë me ta pas shumë kohe nëpër një rrugicë që është përtej Televizionit Shqiptar. Për fatin tonë, dolëm ballë tyre.

Studentët ishin të vendosur midis Liceut dhe rezidencës së ambasadorit italian. Brohorosnin: “Poshtë Dinastia”. Aty pashë për herë të parë Azem Hajdarin, i cili ngrihej mbi supet e studentëve. Pas 10 minutash, jo më shumë, policia ndërhyri brutalisht, në mënyrë mizore kundra tyre. Ishte një skenë shumë dramatike. Pas rreth 7-8 minutash, ata u shpërndanë. I thashë drejtuesve të policisë që ishin aty: “Bëtë një ndërhyrje barbare. Unë do t’ju denoncoj, do të njoftoj gjithë botën për aktin barbar, sepse këta nuk po bënin asgjë, përveçse hidhnin parrulla”. Më thanë: “Jo, na gjuajtën me gurë”. Asnjë gur nuk u hodh, s’kishte gurë fare.”

Ndërsa Ardian Klosi, që gjendej sërish aty, e kujton kështu atë moment:

“Pasi e vunë turmën e studentëve përpara duke e rrahur dhe duke e shkelur me egërsi përpjetë bregores që të çon tek konviktet, mundoheshin të veçonin të rinj mënjanë për t’i rrahur në qetësi mes tyre. Mua po më merreshin mendtë. Gjithë ato që qenë bërë në këtë vend fshehurazi, skutave, birucave dhe vilave të panjohura, papritur kishin dalë sheshit, me mes të ditës. Më vinte rëndë nga njerëzit që më rrethonin dhe doja të isha edhe një herë student, të shkoja për të banuar në konviktet, larg miqësive, fisnive dhe cergës së këtij pushteti që na i kishte hedhur të gjithëve, përveç atyre studentëve, fijet e veta të pështira nëpër këmbë…”

Një orë më vonë, kur dola nga shtëpia ku qeshë strehuar, vështrova dhe një herë fushën. Ajo ishte e shkretë, ndërsa mbi sipërfaqen e përbaltur zbardhin fletët e shqyera të librave e leksioneve. Është vizioni i fundit që më ka mbetur në sy. Për të ardhur deri këtu demokracisë i duhej të shkelte doemos mbi leksionet tona. Më vonë, kur gjendja u qetësua dhe distancimi kohor nga ngjarja bëri efektin e tij, gjithmonë kam pyetur veten: Pse vallë ajo ndjekje për minuta të tëra, ato shkopinj ndaj një turme paqësore?

9 dhjetor, pasdite e herët dhe mbrëmje! Kronikë

Sali Berisha u nis në drejtim të Qytetit Studenti, me bindjen se mes tyre kishte të lënduar dhe kishin nevojë për një mjek. Në një intervistë të viteve më vonë, ai deklaronte:  “Shkuam lart, tek konviktet na dolën para: më thanë të kemi kërkuar. Ju thashë nuk di gjë”.

Bashkë me kardiologun Sali Berisha ishte edhe Besnik Mustafaj, njeriu i vetëm që kishte një njohje me Azem Hajdarin dhe mund të fliste me të. “Ne u ngjitem që në drekë në Qytetin Studenti, sqaron Besnik Mustafaj vite më vonë. Në fakt, unë u ngjita me tepër për të mos e lënë vetëm Saliun se nuk kam ndonjë dell heroi.

Ishte ora 16.00 e 9 dhjetorit 1990, një ditë që po hynte befas në historinë e Shqipërisë. Ishte pikërisht kjo dite, kur unë për herë të parë prezantova Sali Berishën me Azem Hajdarin, dhe kur Saliu u foli studentëve per pluralizmin, vijon Besnik Mustafaj”. “Aty takova Azemin, sqaron në një intervistë të vitit 2004 Berisha. Më nxori një listë ku ishin edhe kërkesat e tyre. Në fakt, aty ishte edhe pluralizmi. Ju thashë mbani vetëm këtë”.

Sali Berisha dhe Besnik Mustafaj zbritën sërish poshtë, me kërkesën e vetme të studentëve që të interesoheshin për shokët e tyre në spital dhe ata që ishin ndërkohë në burg. Nuk kish asnjë statistikë, asnjë listë, por shumica e studentëve besonin se të arrestuarit duhet të ishin me qindra, të plagosurit po ashtu dhe duhej të kishte të vrarë. Siç rezultoi më vonë, asnjë prej të dhënave nuk ishte e saktë. Studentët e plagosur nuk qenë strehuar në spital, ndërsa të arrestuarit qenë vetëm 32 vetë. Por demonstrata e përsëritur, ishte bërë tashmë lajm ndërkombëtar.

Elez Biberaj, shefi i VOA mori një telefonatë në shtëpi mëngjesin e herët të 9 dhjetorit 1990. Një zë i panjohur e njoftoi se në Qytetin Studenti kishin nisur protestat. Shefi i seksionit shqiptar të VOA nuk qëndroi pushim. U nis për në zyrë, duke tentuar të mësonte atë që kish ndodhur realisht. Ai i telefonoi një burimi që kishte në Tiranë, por njeriu që ai nuk i dinte as emrin nuk ia konfirmoi. Dikush po kërkon të të ngatërrojë, i tha. Pak para mesditës me orën amerikane, lajmi u bë publik nga agjencia Rojter.

Lajmi që do të jepej atë mbasdite në VOA do të ishte lajmi që do ta mësonin të gjithë shqiptarët. Tashmë sfida me regjimin qe shpallur publikisht. Por ndryshe nga një betejë e hapur, dukej qartë se sfida e re mund të kishte vetëm një fitues. Komunizmi s’kish më fuqi ta ndalonte protestën që kish nisur në Qytetin Studenti, por shumë vetë në Tiranë, mendonin dhe kishin frikë, se ai kish ende forcë për ta përgjakur Shqipërinë.

– A do të ndërhynte përdhunshëm Ramiz Alia?

Kjo ishte pyetja kryesore dhe thuajse e vetme që shqetësonte Shqipërinë atë natë. Ishte një natë kur shumë prindër, po udhëtonin nga qytetet e tyre me trenat e fundit për të takuar fëmijët studente në Tiranë. Të cfilitur nga meraku, ata u befasuan nga fakti, që fëmijët, ndoshta për herë të parë në jetë, nuk iu bindën prindërve. Nuk pranuan të ikin!

Ndërkohë, Sali Berisha dhe Besnik Mustafaj kishin mbërritur në zyrën e Robert Kolit, sekretar i Partisë së Tiranës. Në prani të Xhelil Gjonit, Sali Berisha kërkoi që studentët të liroheshin, duke kërcënuar se ata do të zbrisnin mbasdite në qytet nëse kjo nuk ndodhte. Xhelil Gjoni i telefonoi Ramiz Alisë për t’i thënë se dy veta po sillnin lajme nga Qyteti Studenti!

Në fakt, Sali Berisha nuk e dinte se ato momente përfaqësia e studentëve po gatitej të zbriste realisht në sheshin Skënderbej. Qe llogaritur që ata të zbrisnin grupe grupe drejt qytetit dhe në ora 19.00 të mblidheshin në shkallët e Pallatit të Kulturës për të kërkuar kështu mbështetjen e qytetit të Tiranës. Deri ato momente, banorët e Tiranës kishin hapur dyer, por nuk mund të thuhet ende se qenë solidarizuar me ta. Por vendimi përfundimtar do të merrej në një mbledhje që zhvillohej në mensën e Qytetit Studenti në ora 17.00.

Ndërkohë, në Komitetin e Partisë së Tiranës merr rrugë një ndër historitë më interesante të dhjetorit të vitit 1990. Një nga historitë, që do të vijonte të mbante peng thuajse gjithë tranzicionin shqiptar me misterin e saj. Takimi i Sekretarit të Parë të KQ të PPSH-së, Ramiz Alia, njeriu më i fuqishëm i regjimit, me kardiologun Sali Berisha, njeriu, që 48 orë më pas do të bëhej një ndër personazhet më të rëndësishëm të opozitës së re dhe do të dominonte për thuajse 20 vjet politikën postkomuniste. Po si ndodhi ky takim? Sa e rastësishme ishte përballja e dy njerëzve që befas po shkëmbeheshin në koridorin e historisë, në momentin e ndryshimit të sistemeve, njeri po dilte dhe tjetri po hynte? Ç’u bisedua në dy takimet që ata patën mbrëmjen e 9 dhjetorit dhe mëngjesin e datës 10? Përse Alia kërkoi të takonte Berishën dhe a pati marrëveshje mes tyre? Kjo hamendje ka mbajtur pezull për shumë kohë historinë e atyre ditëve dhe me sa duket do të mbajë edhe historinë e Shqipërisë që lidhet me këtë kapitull. Sepse një vit më pas, presidenti Ramiz Alia, do t’i linte vendin presidentit Sali Berisha, që do të bëhej lideri i parë postkomunist i Shqipërisë pas një historie 48-vjeçare të dominimit të tyre. Alia dhe Berisha nuk kanë nguruar asnjëherë të flasin për takimet mes tyre. Versionet e tyre nuk ndryshojnë në kohë dhe që duket se më shumë i mbeten përkimit të rastësisë. Por rastësi apo jo, duket se fati do t’i bashkonte dy njerëzit që do të bënin rrokadën më të fortë të pushtetit një vit e gjysëm më pas.

Alia gjithnjë deklaron se takimi i tij me Berishën ka qenë i rastësishëm siç deklaron edhe Besnik Mustafaj që ka qenë aty dëshmitar. Duke kujtuar bisedën me Xhelil Gjonin për lirimin e studentëve: “Sigurisht qe ai nuk pati guximin që të thotë menjëherë po, por u lidh në telefon me Ramiz Alinë ku i tha se ka persona që vijnë nga Qyteti Studenti. Menjëherë Alia kërkoi njërin prej nesh në telefon. Me të foli Sali Berisha i cili më pas u takua me Ramiz Alinë në një takim të shpejtë”.

“Më tha Xhelil Gjoni, a e takon Ramiz Alinë. E takoj i thashë, sqaron Sali Berisha!”

Berisha dhe Alia u takuan në shtëpinë e këtij të fundit, në Bllokun e udhëheqësve, në një takim që sipas tyre duhet të ketë zgjatur thuajse 15 minuta. Besnik Mustafaj e shoqëroi Berishën deri në hyrjen e shtepisë së Alisë, por vetë qëndroi jashtë.

Biseda e tyre ka mbetur thuajse e panjohur, me përjashtim të asaj që ata vetë kanë deklaruar më pas. Në një intervistë të vitit 2005, Alia sqaronte: “Një nga këta profesorë ishte Berisha, të cilit unë i kërkova që të shkonte të transmetonte nga ana ime fjalën se unë nuk shkova në orën 5.00 mbasdite tek studentët, sepse ata s’mbajtën fjalën në mengjes, s’vajtën në shkollë. I thashë se të nesërmen unë jam gati të vetë prapë tek ta, që nuk heq dorë nga takimi dhe biseda me ta. Kjo ishte tërë sa dija unë në atë kohë. Dhe këto janë fjalët e vetme që i kam thënë Sali Berishës”.

Edhe versioni i Berishës nuk dallon shumë nga ai i Alisë: “I them se studentët i kishin rrahur pasi ishin takuar me ju. Nuk e rreh kush dërgatën në botë as në kanun, as në ligj, asnjëherë. Kanë ardhur dhe keni nxjerrë njerëz për t’i rrahur”. “Po se i morën revolen, ia morën revolen oficerit- tha. Thotë: “Unë jam dakord të takohem me ta, ata kane kërkesa të cilat janë kështu”, nëse një, unë i them: “Unë përfaqësoj veten time, unë atyre, ato që u thashë edhe ne mbledhje, nga e cila po vij, do t’u këshilloj të vendosin dialogun, ta zgjidhin me dialog, por është e rëndësishme qe kërkesat e tyre te merren seriozisht”.

Ramiz Alia ka dëshmuar gjithnjë se shkaku që thirri Berishën ishte se drejtuesit e protestës qenë nga Tropoja dhe ai kërkoi një njeri influent që të fliste me ta. Dy ditë më vonë, në mbledhjen e Plenumit ai sqaroi edhe Byronë Politike për faktin se cilët kishin qenë ndërmjetësit në takimin me studentët. Por ai dëshmon se Berishën, e kishin kërkuar ata: “Ndërkohë të dielën në darkë me ta vazhdonte të kishte kontakte Skënder Gjinushi  dhe nja 2 shokë të tjerë. Ishte ai Lisen Bashkurti dhe Sali Berisha që i kërkuan dhe ata” (Plenumi i 13).

Por Ramiz Alia nuk sqaron dot mirë një moment të dytë. Ai pretendon se Berisha është kthyer në mesnatën e 9 dhjetorit për t’i thënë se ata nuk pranonin gjë dhe nuk merreshin vesht: “E vërteta është se unë i thashë Berishës të transmetoj vetëm kaq nga ana ime dhe Berisha ka shkuar atje. Çfarë u ka thënë studentëve, unë nuk e di, s’jam fare në djeni për këtë. Ai është kthyer tek unë pas orën 12.00 të natës dhe më tha se me ata s’merresh vesh. Më tha, natën e mirë; i thashë natën e mirë. Kaq. Dhe unë me Berishën më nuk kam pasur kontakt”.

Me sa duket Alia gabon në kohë ose e afron qëllimisht takimin e dytë. Midis tyre qëndronte një natë e tërë. Në fakt, Berisha nuk u kthye atë natë tek Alia, nuk i dha atij asnjë përgjigje. Kjo ndodhi të nesërmen në mëngjes, më 10 dhjetor, rreth orës 10.00, kur regjistrohet edhe takimi i dytë mes tyre. Atë moment, Berisha kish kuptuar me sa duket se loja, ishte shumë më e thellë dhe se nga pluralizmi i ndante vetëm një hap.

Po ç‘kish biseduar Berisha me studentët. A i kish përcjellë ai fjalët e Ramiz Alisë, apo thjesht kish përdorur kartën e ndërmjetësit për t’u gjendur më bindshëm në tryezën e tyre kaotike. Personi i vetëm që e ka shoqëruar Berishën atë natë, Besnik Mustafaj e dëshmon kështu atë bisedë: “Në këtë moment mendova se detyra jonë përfundoi këtu. Isha pa drekë, pa cigare edhe i thashë Berishës të ikim. Aty ai me tha, jo se tani filloi. Ishte pikerisht momenti kur pashë tek Berisha, politikanin. Menjëherë ikëm sërish në Qytet Studenti aty ku Berisha takoi Azemin”.

E  dielë  pasdite

Gjithë atë ditë Tirana foli vazhdimisht për studentët. Gjendja qe tensionuar. Makina ushtarake dhe policë të armatosur patrullonin sheshit. Njerëzit që shëtisnin në bulevard qenë si të shokuar. Nga MBP, makina me ushtarë të armatosur me automatikë për diku nxituan.

Lart, në Qytetin Studenti ra qetësia. Studentët e mbledhur nëpër dhoma bënin bilancin e përpjekjes së parë. Numëronin të arrestuarit, mjekonin të plagosurit. Mjekë të veshur civilë, me çantat e pajisjeve në duar, hynin e dilnin në qytet në fshehtësi, nga mbrapa, duke çarë baltat e arave.

Ndërkohë, afër mbrëmjes, një grup i guximshëm, rreth 100 vetë, u ribashkuan në Tiranë përpara kinema “Partizani”. Manifestuesit përshkuan nxitimthi lulishten në krah të Pallatit të Kulturës me thirrjet: “Tirana është me ne” qëndruan në platformën e tij, mbi sheshin Skëndërbej. Brohoritjet aty zgjatën fare pak. Nga dyzimi midis policëve dhe qytetarëve tiranas, ruajtësit e rendit u zgjuan më shpejt. Ata u hodhën të rrethonin demonstruesit. Qe vonë. Studentët u shpërndanë në çast. Qytetarët e Tiranës mbetën vetëm dëshmitarë. Ishte ende shpejt. Ngjarjet qenë zhvilluar me temp të pabesueshëm dhe ata ende nuk qenë zgjuar nga topitja. Por më shumë se sa nga efekti, ai grup kurajoz, çimentoi bindjen se tashmë nuk kishte kthim prapa, se studentët qenë të vendosur dhe se ata nuk kishin më zgjidhje tjetër.

Në xhiron e mbrëmjes në bulevard nuk kish asnjë lajm tjetër veç atij të protestës. Bashkë me Ben Blushin, Dritan Islamin dhe Dritan Çelën, ecnin ngadalë, të trishtuar nga ideja që e gjitha kjo mbaroi kaq shpejt. Asnjë prej nesh nuk e dinte që historia do të niste sërish më e fortë në mëngjes dhe që ato momente, studentët qenë organizuar shumë herë më mirë se sa një ditë më parë dhe që Ramiz Alia po kërkonte të negocionte me ta.

Lajmi i transmetuar në darkë në të gjitha seritë e emisioneve të lajmeve qe pothuaj ai që pati ironizuar që në mëngjes studenti mekanikas. Aty shpjegohej fikja e dritave, difektet, protestat e studentëve dhe përpjekjet për manipulim të asaj nga elemente të caktuara. Lajmi u transmetua të nesërmen edhe nga ATSH-ja si dhe u botua në të gjitha gazetat kryesore. E rëndësishme ishte që në lajm lihej të kuptohej se protesta nuk kishte përfunduar.

Me një zëdhënës të rastësishëm u përgënjeshtrua lajmi për të vdekur në përleshje. Bilanci përfundimtar qenë disa dhjetëra të plagosur, me plagë, thyerje apo fraktura, një pjesë e të cilëve, të shtruar në spitalin e Tiranës.

Ishte natë vonë dhe në të dy ekstremet (në të dy kampet ndërluftuese) po zhvilloheshin mbledhje të gjata. Në godinën e Komitetit të Partisë së Tiranës, Xhelil Gjoni, figura e hekurt e kësaj partie, në një mbledhje të mbyllur me sekretarët e byrove të institucioneve dhe ndërmarrjeve kryesore të kryeqytetit hartonte strategjinë e luftës kundër studentëve. Ata duan privilegjet tona, deklaronte ai, ata po prekin familjet dhe fëmijët tanë dhe ne s’do ta lejojmë këtë kurrë. Pushtetin e kemi marrë me gjak dhe do ta mbrojmë me gjak.

– Kjo është luftë me djemtë tanë,- ia priti një grua nga fundi.

– Edhe me ata- vazhdoi ai.

– Tani na duhet kohë dhe zgjuarsi sa të mobilizohemi plotësisht. Drejtuesit të vendosin krevatët në qendrat e punës dhe të …

14 vjet më pas Sali Berisha e kujton kështu atë mbledhje:

“Ishte një mbledhje shumë e keqe. Diskutohej për të futur trupat, për të mbyllur universitetin. U thashë se nëse përdornin forcën, do ta zhysnin vendin në një luftë civile, sepse nuk do t’i linte kush që të gjakosnin fëmijët e tyre. Nga e gjithë Shqipëria do të vijnë, ju thashë, plus janë qindra e mijëra qytetarë që ndodhen me studentët. Me studentët duhet vendosur dialogu dhe kjo është e vetmja rrugë që mund të jap për zgjidhje”. Mbështetja aty ishte shumë e pakët. Ishte një person, i cili tha: Unë jam dakort me shokun Sali, por rezulton se kishte qenë pak i dehur”.

Po ato momente, disa qindra metra më tutje, në godinën nr. 15 të Qytetit Studenti, krejtësisht të rrethuar nga forcat e policisë, zhvillohej e para mbledhje e llojit të saj në Shqipëri. Një grusht studentësh kurajozë, ende të hutuar e të trallepsur nga e gjitha kjo që po bënin, kishin guxuar të formonin të parën opozitë të organizuar kundër komunizmit. Themelet e mbytura nga gjaku i flijimeve të diktaturës po dridheshin. Rreth mbledhjes qenë grumbulluar edhe disa intelektualë të njohur (siç doli më vonë qenë dërguar personalisht nga Ramiz Alia për të qetësuar studentët dhe për të mësuar se cilat qenë kërkesat e tyre të vërteta). Ata vështronin me sy të zgurdulluar pa e besuar këtë që po ndodhte. Ishin vetëm disa studentë, disa çunakë të veshur keq, që pasi kishin sfiduar frikën e fortë 46-vjeçare të diktaturës, tani po përcaktonin të ardhmen e saj.

“Atë natë nuk kisha menduar asnjë moment për familjen time në Tropojë, deklaronte Azem Hajdari në një intervistë të 7 viteve më vonë. Nuk kisha pasur kohë të mendoja dhe nuk dija se ç‘bëhej me gruan, djalin dhe vajzën. Po isha i bindur se nëse atë natë shpërndaheshim, nuk do të mblidheshim më kurrë. Kishim arritur në një pikë, që vetëm rrezistenca mund të na shpëtonte. Ndaj vendosëm që s’kishte më kthim”.

Ishte natë e vonë kur mbaruan. Studentët e tjerë të pagjumë i prisnin jashtë. Nuk ishte ftohtë. Të gjithë së bashku u futën nëpër dhoma. Qenë të lodhur e të vrarë. Ëndrrat rinore dolën nga auditorët dhe që në përplasjen e parë me realitetin  u tronditën rëndë. Ai zbrazi mbi ta furinë e shkopinjve të gomës si të donte t’i detyronte që ëndrrat të mbeteshin vetëm ëndërra. Përpara se të flinin ata u kthyen edhe një herë nga shokët. Mbi fytyrat e shumicës dukeshin njollat e goditjeve. Koha i kishte rritur befas, njeheshin shumë më të pjekur dhe thellë – thellë, e kuptonin, qoftë edhe vakët, se tashmë, kishin në dorë jo më fatin e tyre, jo më të ardhmen e tyre, por edhe atë të gjithë Shqipërisë. Ishin të vendosur për të mos u tërhequr.

Do të vazhdojmë, belbëzuan dhe u shtrinë.

Ishte pothuaj në të gdhirë. Në të dy kampet pati rënë qetësia…

10 DHJETOR 1990  E  HËNË

Heshtja kish pllakosur natën e vonë. Një qetësi e tillë, e frikshme, të trembte. Herë – herë dilja në ballkon, thuajse doja të dëgjoja një zhurmë të largët, një ovacion brohoritjesh, si të shuar nga errësira. Përsëri asgjë. Heshtje pipëtitëse. Nuk e di sa mund të ishte ora, dy, ndoshta katër. Mbaroi, thosha me vete, mbaroi. Përsërisja atë referen që gati e kisha besuar në mbrëmje vonë. Iku edhe ky rast, mbaroi, e shuan! Një lëmsh më mblidhej në gjoks si kob. Më vinte të qaja. Herë-herë më bëhej sikur dëgjoja ulërimën e atij studentit të gjeologjisë që vraponte pas meje në demostratë me kokën e çarë, gjithë gjak. Herë një si pathos më bënte të përsërisja me vete parrullat e mëngjesit. Ishte errësirë dhe qetësi. Një qetësi varri, thuajse asgjë e jashtëzakonshme nuk kishte ndodhur atë ditë. Qe pothuajse mëngjes. Pas pak do të gdhinte.

Bashkë me mëngjesin, grupe të mëdha studentësh tiranas dhe qytetarësh që shkelnin me ndrojtje frikën e tyre nisën të ngjiten lart në Qytetin Studenti. Forcat e 326-ës që rrethonin atë, i vështronin nën xhamat e fortë të helmetave pa i ndaluar. Auditorët mbetën shkretë, ndërsa në oborret e fakulteteve, studentë të lëkundur, frikacakë apo fëmijë të funksionarëve të lartë të PPSH-së mundoheshin të kuptonin përmasat e kësaj që po ndodhte dhe rrezikun. Thuhej se sambistët do të sulmonin në mesditë, se pritej të vinin nga Sauku repartet e tankeve apo krejt ndryshe, që Ramiz Alia pas një nate të pagjumë kishte shpërndarë në të gjithë Qytetin Studenti spiunë për të marrë vesh kërkesat e studentëve e për t’i plotësuar ato.

Ndërkohë, sheshi para mensës kryesore (ato ditë nisi të quhej për lehtësi “Demokracia”, ndërsa në shkurt, pas kërkesave të përsëritura të studentëve dhe këmbënguljes së tyre, Komiteti Ekzekutiv i rrethit të Tiranës u detyrua të marrë një vendim që i jepte sheshit këtë emër) ishte mbushur plot. Mësimi qe paralizuar në të gjitha shkollat e larta të Tiranës. Kishin mbërritur  pothuaj gjithë studentët e Institutit të Lartë të Arteve, që për arsye raastësore, nuk kishin marrë pjesë në demonstrimin e 9 Dhjetorit, si dhe pritej një përfaqësi e Institutit të Lartë Bujqësor. Studentët e Arteve kishin qenë pothuaj prej një viti në ballë të lëvizjeve demokratike. Lart, në mensën qendrore, Azem Hajdari, Shinasi Rama, Tefalin Malshyti, dhe nja dhjetë studentë të tjerë po përgatitnin 11 kërkesat e tyre studentore. Kishin punuar gjithë natën, kishin shkruajtur dhe fshirë disa herë pa e kuptuar as vetë se ku duhej të përqendroheshin. Ishte një mundim i skëterrshëm, gati-gati vrastar. 50-vjet vuajtje dhe mëri, urrejtje dhe jetë do të gjente formë aty, në ato 11 kërkesa që do të mbeteshin sidoqoftë programi i lëvizjes opozitare më të çuditshme në Shqipërinë e këtij shekulli. E vetmja gjë e përcaktuar ishte: asnjë kërkesë ekonomike. Lëvizja studentore qe levizje e pastër politike.

Ora ishte gati 09.00 kur në mikrofon u ngjit Azem Hajdari. Sheshi qe mbushur plot. Studentët thërrisnin parrullat e demonstratës. Azemi lexoi kërkesat. Turma aprovoi menjëherë.

Kërkesat e studentëve të paraqitura në mitingun e madh mbajtur në Qytetin Studenti

Drejtuar presidentit Ramiz Alia

–     Ne jemi përkrahës të reformave demokratike të nisura nga presidenti Alia dhe jemi për shpejtimin e tyre. Ky ishte dhe qëllimi i manifestimeve tona paqësore.

–     Kërkojmë fajtorët të cilët dhanë urdhër të përdoret dhuna mbi studentët. Kërkojmë që ata të gjykohen para Qytetit Studenti.

–     Kërkojmë të krijohet një komision prej studentësh dhe mjekësh për të verifikuar gjendjen e studentëve të plagosur.

–     Kërkojmë pluralizëm politik si shkala më e lartë e demokracisë së sotme. Si pasojë :

Të lejohet krijimi i Organizatës së Pavarur Demokratike të Studentëve dhe Intelektualëve të Rinj. Statusi i së cilës do të paraqitet për legalizim në Ministrinë e Drejtësisë.

Duam që ajo organizatë të ketë deputetët e vet në Kuvendin Popullor.

–     Të botohen kartat e OKB-së, Karta e Helsinkit 1 dhe 2, si dhe Karta e Parisit.

–      Kërkojmë liri të shtypit dhe të fjalës, pa çensurë.

–     Kërkojmë të sqarohet opinioni publik mbi të vërtetën e lëvizjes studentore.

–     Kërkojmë të gjenden rrugë dhe zgjidhje sa më të shpejta dhe efikase për të dalë nga gjendja e krizës ekonomike në të cilën ndodhemi.

–     Kërkojmë takim me Presidentin Alia.

Për sa më sipër, në mbrojtje të të cilave janë gjithë studentët dhe ashtu siç ju garanton ligji, kërkojmë që studentët të mos ndiqen penalisht, kategorikisht të mos përdoret dhuna dhe presioni dhe të mos persekutohen në mënyrë të tërthortë.

U bëjmë thirrje të gjithë intelektualëve, personaliteteve, të gjithë atyre që e duan SHQIPËRINË, të mbështesin kërkesat tona dhe të bashkohen me ne.

Qyteti STUDENTI më 10.12.1990

Kërkesat e shkruajtura në tabakë të mëdhenj kartoni u afishuan në pikat më kryesore të Qytetit Studenti. Bashkë me aprovimin e mijëra vetëve, një përfaqësi e studentëve u nis t’i dërgonte ato te presidenti.

Megjithë afrimin e mesditës, sheshi mbeti përsëri plot. Një shi i imët, por i dendur nisi të rigonte, ndërsa studentët të mrekulluar nga e gjithë kjo që po ndodhte mundoheshin të ruheshin nën strehët e rralla. Për orë të tëra shkallët përpara hyrjes së mensës kryesore u shndërruan në tribunë. Ishte tribuna e parë demokratike në Shqipëri gjatë 50 vjetëve, ose më tepër, gjatë pothuaj 70 vjetëve. Studentë me fytyra të vrara nga shenjat e plagëve, indiferente të ndjeshëm që nata i kishte hedhur më të vendosur se kurrë në kampin e luftës, duke kryer kështu transformimin e tyre të çuditshëm në pak orë, poetë, ndonjë punëtor i guximshëm si dhe një gazetar i porsambërritur nga Durrësi. Ishte fundi i fjalimeve kur në tribunë u gjendën pedagogët e parë, ose më saktë, asistentët e tyre.

Ato çaste Tirana ishte e qetë. U detyrova të zbrisja deri në zyrat e redaksisë së “Zërit të rinisë” për të marrë kopjen e fjalimit të Xhelil Gjonit, që Ilir Kadia, gazetar i “Zërit të Rinisë” dhe më pas korrespondent i BBC-së kishte regjistruar një natë më parë. Redaksia e “Zëri të Rinisë” gjendej në zyrat e KQ të PPSH-së dhe kudo në të ndiheshin lëvizje të nxituara, një ngut i përgjithshëm e absurd. Zyrat ishin bosh, ndërsa koridorët dhe hollet plot. Një pjesë e madhe rrinin e përgjonin në dritare jehonën e zhurmave që vinte nga Qyteti Studenti si të donin të deshifronin prej tyre domethënënien e asaj që po ndodhte atje.

Kur dola bulevardi ishte i shkretë. Pa njerëz, pa vetura, vetëm ca gjimnazistë të hutuar që rrinin pranë Pallatit të Kongreseve. Në të dy anët e stadiumit “Qemal Stafa” dhe pas shkollës së gjuhëve të huaja qenë rreshtuar dhjetëra makina me policë. Nuk e kuptoja se nga kishin dalë gjithë këta njerëz me uniforma! Lart kishin mbërritur intelektualët e parë. Takova Preçin dhe Remziun që vështronin të mrekulluar. Preçin e kisha njoftuar po atë mëngjes me një letër që i lashë në redaksi që të vinte në Qytetin Studenti.

– Trima për besë. Nuk pyesin fare,- tha Remziu në momentin, kur njëri prej studentëve nisi të sulmonte ashpër Sigurimin e Shtetit.

Pak më vonë ndesha Spiro Deden, anëtar i Byrosë Politike dhe kryeredaktor i gazetës “Zëri i Popullit”, që kish ardhur të shihte se ç’po ndodhte aty. Shok shkolle i tim eti, unë e njihja që prej fëmijërisë. Ishte një ndër drejtuesit e rinj komunistë që po ngjitej shpejt dhe fort në vitet e fundit.

– Kjo punë nuk mbyllet me kaq,- më tha,- me një zë përmes të cilit nuk kuptohej emocioni.

Ishte pothuajse ora 16.00 kur nisi shiu. Rrebeshi përplasej me forcë pas xhamave të mëdhenj të mensave ku qëndronin rreth 3 000 – 4 000 studentë. Të tjerët qenë futur nëpër dhoma. Jashtë u err shpejt. Vetëtima të frikshme shkrepnin papushim dhe për një çast, ndriçonin sheshin jashtë. Ata dukeshin si ca blicë viganë që përpiqeshin të fotografonin të pabesueshmen. Herë-herë dukej se në atë fragment sekonde që sheshi bëhej dritë do të shiheshin sambistët e vendosur në formacion luftimi. Por ishte e kotë. Në mbrëmjen e vonë, kur ikëm për në shtëpi i pashë edhe një herë sambistët që mundoheshin të ruheshin nga shiu, hipur në makina. Një çast të vetëm, vështrimi m’u përball me atë të njërit prej tyre, dhe i drithëruar u kujtova se edhe ata ishin njerëz. Domethënë në fund të fundit, pavarësisht nga bindjet dhe detyrimet e ndryshme, ne kishim një instikt të përbashkët, përpiqeshim të mbroheshim nga ky shi.

Brenda në mensë të qullurit qenë zhveshur dhe rrekeshin të ngroheshin te njëri-tjetri. Intimiteti thyhej nga lajme të gëzueshëm, që përshkonin herë-herë sallën.

Dikush lajmëroi se minatorët e Kërrabës kishin lënë punën që në mëngjes dhe nga çasti në çast priteshin këtu. Nuk qe shuar ende jehona e këtij lajmi, kur një skënderbegas i vogël lajmëroi se makinat e ardhura në Shkollën e Bashkuar për të mobilizuar kadetët kundër studentëve qenë kthyer mbrapsht. Studentët ushtarakë i kishin ndjekur me thirrjet: “Studentët vëllezërit tanë” edhe “Edhe ne si ata”.

Përgjigjjja e Ramiz Alisë vonoi. Kur ajo erdhi, të gjithë ishin të lodhur. Azemi lajmëroi se presidenti pranonte takimin me një përfaqësi studentësh në Pallatin e Kongreseve ose me 3 000 prej tyre në pallatin e sportit “Partizani”. Debatet vazhdonin. Dikush thirri fort. Pastaj të gjithë. Sapo dikush ngjitej në tavolinë për të thënë mendimin e tij të tjerët e ulnin me forcë… E gjitha kjo zgjati gjersa një pedagog i regjisurës, Arben Imami, midis zallahisë së përgjithshme, refuzimit të gjithçkaje dhe britmave që s’e linin të fliste i bindi studentët që kjo përfaqësi duhej të shkonte te presidenti. Imami ishte padyshim personazhi më i njohur në atë sallë. Aktor filmash, ai ishte bërë i famshëm në fillim të viteve ’80-të. Ndërhyrja e tij qe decizive. Llogjika e tij ishte e hekurt, zëri i tij i plotë dhe kjo ngjalli shumë besim. E ndjeva se shumë vetë pranë meje sikur u lehtësuan. Shumë vite më vonë, Arben Imami tregon se ndërhyri pikërisht për t’i dhënë një zgjidhje atij kaosi, për ta orientuar ashtu siç duhej atë forcë shpërthyese që kishte nisur papritur dhe që mund të sillte ndryshimet që të gjithë i ëndërronin.

Turma u shpërnda. Të tjerë vazhdonin të thërrisnin:“Presidenti te ne, jo ne te presidenti”.

Atë natë, drejtuesit kryesorë zhvilluan një mbledhje të gjatë deri vonë për të renditur punën. Shumë intelektualë të njohur, prej kohësh në pritje të një rasti të tillë, u gdhinë pas dyerve të mbledhjes studentore. Padashje, lëvizja e studentëve kishte marrë përmasa të pamenduara dhe ky moment fatlum mund të lindte atë që nuk e lindën muaj, biseda, artikuj dhe ikja e Ismail Kadaresë: pluralizmin.

Mbledhja vazhdonte. Grupe të intelektualëve, të ndarë prej kohësh në klane bindjesh, preferencash apo mërish profesionale e ndjenë që pavarësisht nga të gjitha këto kishin një ideal të përbashkët: demokracinë. Të tjerat duheshin reduktuar përpara këtij kulti, që më së fundi, krejt papritur e në mënyrë të ndryshme nga ç’e mendonin ata, kish nisur të adhurohej së pari në këtë qytet rinor.

Ishte vonë, natë e lagësht dhe intelektualët prisnin. Tashmë gjithçka varej nga vendosmëria e studentëve. Ata qenë mbyllur në një nga dhomat e godinës 15 dhe mundoheshin të gjenin rrugën e përbashkët. Dikur mbaruan, u shtriqën të lodhur, qeshën dhe u kujtuan që kishin harruar të flinin. Por një harresë tjetër më e madhe i pati pushtuar. Harresa e së sotmes për hir të së nesërmes. Dhe ashtu, të përhumbur në ëndrrën e bukur, pa e kuptuar se ç’kthesë po i jepnin jetës shqiptare, se ç’kapitull të ri po i shtonin historisë, duke dalë, mbetën të nemitur nga pamja që u hapej. Shiu pati pushuar. Qielli kishte sfiduar përmasat që i vendoste këmbana e reve. Ai shtrihej i errët, i gjerë, në hapësirën e spërkatur me vezullime yjesh, e diku në skaj të  tij, varej vathi i bronxtë i hënës…

Sali Berisha dhe Gramoz Pashko dy njerëzit që do të njiheshin si liderët kryesorë të opozitës së re, u takuan atë mbrëmje në Tiranë. Pa e ditur, se kjo do të ishte mbrëmja e fundit e regjimit komunist dhe mbrëmja e fundit në tyre në profesionet që i ushtronin prej thuajse 20 vitesh…

11 dhjetor 1990, mëngjes

Të  martën në mëngjes gjithçka ishte më e ndryshme e njëherazi më euforike. Ndryshimi ndihej kudo. Nuk ishte vetëm koha e bukur pas atij shiu të fortë, por edhe mijëra tiranas që patën mbushur prej mëngjesit të herët Qytetin Studenti. Trupat e 326-tës kishin tërhequr rrethimin, qenë larguar makinat e ushtarëve, qe përcaktuar vendi dhe ora e takimit të një përfaqësie prej 30 studentësh me presidentin (ora 18.00 Pallati i Brigadave) si dhe qe mbledhur Plenumi i Jashtëzakonshëm i KQ të PPSH-së. Shenjat qenë të mjafta për të kuptuar se pas një nate misterioze në vendimet e saj, udhëheqësit e PPSH-së kishin pranuar rrugën e arsyes në zgjidhjen e problemit.

Tribuna qe më e sistemuar dhe drejtuesit e lëvizjes kishin vendosur ndoshta për herë të parë në jetën e tyre, kravata.

Tek mikrofoni Blendi Gonxhe po zihej me dikë. Aty qenë afruar  Sali Berisha dhe Hamit Beqja. Dukej se diçka nuk shkonte. U afrova.

– Duan të na kthejnë në mësim,- më tha një student që nuk e njihja.

Azemi përpiqej të sqaronte diçka, kurse Gonxhja nuk pranonte. Azem Hajdari dhe një përfaqësi studentësh konviktorë qenë takuar mbrëmjen e një nate më parë me një grup intelektualësh, mes të cilëve Sali Berisha dhe Gramoz Pashko. Arben Imami, ishte tashmë një ndër drejtuesit e protestës. Gonxhja kapi mikrofonin, foli me tonin e tij të përhershëm duke kritikuar Sali Berishën.

– Mua po të isha djali i tij do të më vinte turp,- tha.

Berisha e kapi vetë mikrofonin. Tha që pati biseduar me Ramiz Alinë dhe se duhej të kishte një zgjidhje. Tha se gjendja mund të shfrytëzohej nga serbët në Kosovë. Dikush e kundërshtoi.

Berisha u largua nga tribuna dhe erdhi fare pranë meje.

– Profesor, edhe sot,- i thashë.

Ai më vështroi pa vëmendje.

– E ke gabim,- më tha Besnik Mustafaj,- profesori ka bërë shumë për demokracinë. Ai më sqaroi se Berisha kishte liruar studentët e arrestuar dhe se kishte biseduar me Ramiz Alinë që të mos kishte ndërhyrje policore ndaj studentëve.

Hamit Beqja që afruar te mikrofoni, por nuk mundi të thoshte më tepër se një fjali. Ajo qe fatale. Me një seriozitet të pakuptueshëm deklaroi:

– Unë jam komunist.

Më pas u krijua një pështjellim i plotë dhe Shinasi Rama bëri thirrje për të bërë zgjedhjet e përfaqësisë në  fakultete.

Të hipur në bordurën e gurtë të shatërvanit pranë godinës 26, Tefalin Malshyti dhe unë drejtuam zgjedhjet e Filologjikut. Kudo përrreth, fakultetet e Universitetit të Tiranës vazhdonin edhe ato zgjedhjet. Ishte delegacioni i parë demokratik i këtyre 50-vjetëve. Një delegacion i dalë nga zgjedhje të lira e të drejtpërdrejta.

Nga fakulteti i Gjuhë-Letërsisë u zgjodh Shenasi Rama dhe Tefalin Malshyti, studentë të anglishtes, Ilir Hoxha, student i italishtes, Edvin Shvarci i letërsisë dhe Skënder Minxhozi i gjuhës dhe i letërsisë frënge. Nuk e di pse kisha fare pak besim në këtë ndërmarrje. Më dukej se Ramiz Alia do të arrinte t’i neutralizonte përsëri dhe se gjithçka do të merrte fund. Ia thashë këtë grupit të studentëve dhe përfaqësisë. Ata u larguan për një mbledhje në godinën nr.15. Që nga ai moment (pas futjes së përfaqësisë në godinën nr. 15 për mbledhje) për orë të tëra Qyteti Studenti i ngjante një vendi pelegrinazhi. Mijëra njerëz ngjiteshin nga të gjitha drejtimet e pasi vërtiteshin plot kureshtje nga një fakultet te tjetri. Pasi dëgjonin të beasuar e të tronditur oratorët studentë, pasi lexonin listën e gjatë të kërkesave dhe merrnin vesh lajmet e fundit, shpejtonin të zbrisnin prapë në qytet, për t’u treguar të tjerëve, pra atyre që nuk e kishin parë mrekullinë të pabesueshmen. Ishte një qytet i lirë, një qytet ku nuk ekzistonte autoriteti i dhunshëm i qeverisë komuniste ose qyteti i parë i një Shqipërie të re që pritej të lindte.

Ndërkohë ata që vinin nga Tirana bashkë me lajmet shpesh kontra­diktore për zhvillimin e Plenumit sillnin ca lajme të tjera argëtuese. Kështu në qytet qe nisur të pëshpëritej me zë gjithmonë e më të lartë për qytetin e çliruar Studenti. Thuhej se pas fitores së pavarësisë së tyre, studentët kishin kërkuar jo vetëm dënimin me vdekje të Hekuran Isait dhe Xhelil Gjonit, por edhe të Nexhmije Hoxhës, si dhe denoncimin e pasurive kombëtare që bashkëshorti i saj, Enver Hoxha, kishte përvetësuar dhe vendosur në bankat e huaja, në emër të familjes së tij.

Pavarësisht nga të gjitha, ajo që po ndodhte në Qytetin Studenti e kishte paralizuar gjithë Tiranën. Ndërkohë, pas të rinjve të papunë, gjimnazistë dhe punëtorëve, disi të frikësuar kishin nisur të mbërrinin edhe intelektualët e paangazhuar. Më të shkathtit nisën të përpilonin një peticion të gjatë që i drejtohej presidentit Alia apo dikujt tjetër. Në fakt dukej sikur kjo ishte dita e peticioneve. Ato mbinin aty-këtu, lloj-llojesh dhe në çdo moment, dikush zgjaste një letër të gjatë për ta firmosur.

Ndryshimi ishte kaq i shpejtë dhe kaq intensive sa në qytet ishte e vështirë të imagjinohej. Ndërkohë, afër mesditës, punëtorët e mbledhur në fushën e sportit u bashkuan me studentët dhe në mikrofon vazhduan të ngjiteshin oratorë të tjerë. Nuk harrohet një prind, i cili i trembur nga lajmi i TV, kishte ardhur të merrte vajzën e tij.

-Më falni,- tha.- Erdha këtu për të marrë vajzën dhe për ta çuar në shtëpi, por gabova. Se edhe 10 fëmijë po t’i kisha, të dhjetë këtu do t’i sillja.

Fjalimet e oratorëve ndërpriteshin nga përfaqësuesit e ndërmarrjeve e minierave si dhe nga mesazhet e solidaritetit. Ishin me dhjetëra që kishin lënë punën dhe çdo moment vazhdonin ta linin të tjerë.

Po ato çaste, në Tiranë, ndodhte diçka tjetër vendimtare. Plenumi i KQ të PPSH-se vendosi heqjen nga byroja politike të shtatë anëtarëve të saj dhe faktikisht, pa e shpallur, shkrirjen e kësaj të fundit. Gjithashtu, vonë në drekë, pas diskutimesh të lodhshme dhe me kundërshtimin e vetëm dy personave (për ironi Spiro Koleka dhe Rita Marko), u vendos që në Shqipëri të lejohej pluralizmi politik. Por ishte vonë. Këtë e kishin vendosur tashmë mijëra shqipëtarë në Qytetin Studenti. Unanimiteti i tyre kishte edhe një arsye. Gjatë gjithë zhvillimit të  plenumit, rregullisht, vinin njoftime nga studentët. Kohë më kohë, në prill, sekretari i parë i BRPSH-së Lisen Bashkurti tashmë anëtar i PSDSH, më tregoi se kur lajmëroi kuvendin për vendimet e Shtypshkronjës së Re dhe pamundësinë e daljes së gazetave të nesërmen gjithçka kishte mbaruar.

– Nuk kishin më fuqi as të kundërshtonin,- tha ai.

Por ajo që po ndodhte në Pallatin e Kongreseve do të merrej vesh vetëm shumë më vonë, kur procesverbalet e Plenumit do të dilnin të plota:

Plenumi i 13 i KQ të PPSH-së, 11 dhjetor 1990, paradite. Kronikë

Ramiz Alia: Motivi është padyshim politik. Kemi të bëjmë me një veprimtari politike kundër partisë, kundër qeverisë. Duket sheshit nga parrullat që përdorin që janë hapur kundër partisë, kundër qeverisë kundër socializmit. Duket hapur dhe nga qëndrimi që mbajnë lidhur me kërkesat që bëjnë.

Ata janë mbledhur sot në mëngjes gjasme për të zgjedhur delegacionin por prapë kanë vijuar tezën, jo të vijë këtu shoku Ramiz. Por në të njëjtën kohë janë vënë në lëvizje, ILKF, IB, Mjekësia bile dhe qendra punëtore, poligrafiku, miniera dhe duan sqarime. Nuk thonë se çfarë. Bile pati shenja dhe nga shkollat e mesme, dhe atje në miting shkuan nga të gjitha anët dhe shokët na thonë se janë bërë 10.000 veta. Janë ndarë në grupe të vogla dhe po caktojnë se kush do të jetë në takim me mua. Por në mësim nuk kanë shkuar.

Siç e shikoni situata është në një drejtim të keq, mori drejtim të keq në kuptimin politik të fjalës. Që nuk ka dyshim se e shfrytëzojnë armiqtë tanë, kundër partisë kundër socializimit. Armiku përfiton nga situata e krijuar në vendin tonë nga aspekti ekonomik, situata është vështirësuar  e pergjithshmja dhe e ditës.

Në 1.30 vajta unë për të takuar studentët në Tiranë pashë që kishte radhë për qumështin, në 1.30 të natës.

Argumentat e diskutimit tonë me masën janë tepër të dobëta sepse njerëzit shtrojnë hapur, por ky socializëm çfarë bëri, si do t’i zgjidhi këto probleme.

Nga ana politike duhet thënë se organizatat e partisë nuk janë aktive, Organizata e Rinisë në universitet nuk ekziston fare. Kjo mund të shtrihet dhe në vende të tjera, prandaj problemi është tepër serioz. Të shprehim mendimet si dhe çfarë të bëjmë. Natyrisht duhet të mundohemi me të gjitha mjetet që të mbajmë dialogun me studentët, por që është tepër e vështirë sepse ata nuk e duan dialogun, por është çështje që dhe të hysh në dialog me ta duhet të jetë e vështirë.

Mendoj se duhet ta mbajmë lidhjen dhe dialogun me ta. Sepse rruga tjetër do të ishte ajo e ndeshjes. D.m.th neve të futemi t’i shpërndajmë me forcë. Natyrisht dhe kjo bëhet, por aksioni do të sjellë reaksionin. Ne do t’i shpërndajmë me forcë sot, nesër do dalë dyfishi, puntorët e fëmijët.

Shtrohet çështja çfarë duhet bërë, të përdoren armët? Edhe ky propabilitet ekziston, që të trembësh njerëzit. Mundet ta bësh, nuk është e pamundur dhe kjo.  Por a na çon kjo në zgjidhje, sepse këto armë do t’i përdorësh kundër masës, djemve dhe femijëve tanë. Dhe nuk është se do t’i përdoresh kundër diversantëve apo kryengritjes së armatosur. Apo me këtë do të shkëputeshim përfundimisht me popullin duke marrë dhe një njollë të madhe si parti? Personalisht nuk jam për goditje me armë. Nëse populli të del në shesh me mijra dhe nuk jemi në gjendje t’i përmbajmë do të thotë se populli nuk ka besim.

Një mendim tjetër që ka qarkulluar është të mbyllet universiteti. Mundet dhe të ndodhë, por të mbyllim bujqësorin, ILKF çfarë do bëjmë? A ikin këta studentë nga Tirana? Kemi 3300 studentë vetëm nga Tirana, ky reaksion mund të kalojë në rrethe të tjera, d.m.th a zgjidhim gjë? Apo do të shkaktojmë një zemërim më të madh dhe jo vetëm në rininë por dhe në prindërit e tyre. Prandaj ky ishte dhe një version që u dha nga shokët.

Pyetja kryesore është: A duhet të pranojmë shoqatën e tyre që të çon drejt pluralizmit partiak, të jemi të ndërgjegjshëm për këtë?

A të mbyllet universiteti apo jo?

Ç’masa mund të marrim për gjendjen në universitet?

Do të bëjmë gjë lidhur me këto që thuhen kundër udhëheqjes së partisë.

Çfarë mendoni për këtë çështje.

Ç’qëndrim duhet të mbajmë ndaj këtyre lëvizjeve. Dialogun si rrugë apo do të shkojmë drejt përplasjes.

Pyetje nga salla: po bëhen 6 muaj me këtë situate politike, që prej 2 korrikut dhe asnjë organizator nuk është gjetur, kush janë këta?

Hekuran Isai: – Për sa u përket organizuesve, një nga organizatorët është Azem Shpendi? Ka dhe organizatorë të jashtëm që ne i dimë. Ne i kemi bërë prezent emrat e tyre. Por  a jane kushtet ligjore për t’i arrestuar, këtë Azemin p.sh., ja të vendosim këtu a e arrestojmë dot. Organizatorë të jashtëm janë ambasadat. Ne nuk arrestojmë dot ata që janë të dukshëm, që bien në sy.

Ramiz Alia:  Është një gjë, ja ky Azemi, Azemi tani të doli, u ekspozu vetë, ju nuk dinit gjë, nuk dinit gjë prej gjëje.

E dyta nëse fjala është për ata që shkruajnë artikuj, p.sh Sali Berisha ose ai Mustafaj etj, unë nuk mendoj që bëri ndonjë zbulim Sigurimi.

Hekuran Isai: Sali Berisha që ta dini ju nuk ka qenë objekt i Sigurimit të Shtetit.

Ramiz Alia: Prandaj po them, nuk kam parasysh të zbulohet ndonjë gjë, duhet t’i themi hapur gjërat. KQ nuk ka asnjë të dhënë, sigurimi i shtetit nuk na ka dhënë asnjë gjë, sigurimi i shtetit nga kjo pikpamje është zbuluar.

Spiro Dede: Situata është mjaft komplekese dhe e vështirë, tepër e acaruar. Isha nja 2 orë në godinat e universitetit. Është një situatë me të cilën duhet të matesh mirë. Me irritimin që po krijohet po depërtojnë punëtorë, të dehur të padehur që lëshohen me vështirësi. Mendoj që rruga e dialogut është e vetmja rrugë që duhet të ndjekim. Duhet dhe do të jetë efikase.

Ramiz Alia: Vajte ti atje?

Spiro Dede: Po

Ramiz Alia: Të pranuan.

Spiro Dede: Po, u thashë që jam kryeredaktor i ZP. M’u lëshuan, me ashpërsi në fillim, pse keni dhënë lajme jo të saktë dje, pse keni thënë 2 godinat pse keni thënë disa njerëz. Nga më të ndryshmit, edhe punëtorë. Pastaj e shtruan muhabetin, u morëm vesh mirë. Kishte nga ata që ishin të egër. Për mua mund të bëhet dialog, bëra me Hamit Beqjen, ishte edhe Sali Berisha atje me ta. Mund të gjendet fjala me ta, edhe me të ashpërit. Ç’është për t’u pranuar do pranohet, ç’është jo.

Aty ka manipulim, patjetër nga jashtë. Por unë gjithë asaj rinie nuk mund t’i vë etiketime, krijohen situata të caktuara psikologjike të cilat është vështirë t’i vësh në kontroll. Ka duar qe i vënë nën kontroll ka. Duan t’i jepen të gjithë ato të drejta që duhet t’i jepen.

Hekuran Isai: Situata është mjaft e rëndë dhe mund të komplikohet edhe më tepër duke u bashkuar puntorët, shkollat e mesme duke u shtrirë në rrethe të tjera. Këtu kjo del nga kuadri i stabilizimit në kuadër të policisë. Ne arritëm të shpërndajmë 5000, kjo nuk mund të bëhet kur të bëhen 20.000 kur të jenë përpara gra dhe fëmijë. Prandaj them se ajo që propozohet është e vetmja rrugë shpëtimtare. Ne po bëjmë kujdes të mos biem në provokacion, siç thote dhe shoku Ramiz që të mos shpërthejë arma në çdo rrethanë edhe nëse vritet një polic të mos shpërthejë arma kundër këtyre njerëzve do të ishte katastrofe e madhe kombëtare. Policëve që dolën atje pistoleta i ishin heq, polici që ishte atje nuk ishte i inkuadruar në polici, policia është pa pistoletë, dhuna me armë zjarri nuk duhet përdorur. Tani në këtë situatë mendoj se luhen skenarë të mëdhenj. Nuk mendoj se përpara 20 vjetësh studentët kanë qenë në kushte më të këqija se sot …6 herë mish në javë po hanë.  Jo se u bë dhe këtu si në Kosovë, për një pjatë supe. Jemi të vonuar në pluralizmin partiak, në një ditë do të shkojmë drejt saj këtu pse se pranojmë, pse se kemi pranuar. Tani po krijon Azemi një parti demokrate, le ta krijojë. Po qe se është më e fuqishme se ne atëherë s’jemi ne për të drejtuar popullin, por partia e punës duhet të jetë më e fuqishme.

Nexhmije Hoxha: Kam bindjen e madhe që shoku Ramiz në takimin që do bëjë, do bëjë ç’është e mundur që kjo organizatë të mos jetë në kundërshtim të plotë me interesat e larta të Partisë. Prandaj në këtë frymë duhet ta zhvillojmë dialogun.

Spiro Koleka: Me këtë pluralizmin kemi lëshuar një kartë të madhe Ne e kemi marrë pushtetin me luftë nuk e lëshojmë pa luftë, është padëgjueshme.

Ramiz Alia: Shoku Spiro, t’ua lexoje këtë se ju nuk jeni në terezi ç’po ndodh. Në kombinatin poligrafik kërkojnë që ballafaqimi i studentëve me shokun Ramiz të jepet në TV, në një brigadë të 21 dhjetorit u lexua peticioni i studentëve. Në mbledhjen e parë morën pjesë edhe komunistët. Në mbledhjen e parë thonë që janë dakort me ndryshimet demokratike pa gjakderdhje. Në Institutin Bujqësor janë nisur 3 studentë për të lexuar peticionin. Studentët po lëvizin ne rrimë këtu akoma.

Për mendimin tim më delikatja është kjo e fundit, ne gjendemi përballë kësaj situate të vështirë e cila po precipiton nga minuta në minutë. Po precipiton në Shkodër, Gjirokastër, nuk di ç’ndodh në Durrës bile në Kavajë janë më agresivë, dhe në Vlorë. Thelbi i tërë kësaj nuk janë vetëm faktorët e brendshëm, por të jashtëm. Ja ç’na shkruajnë punëtorët e shtypshkronjës: kërkojmë të jepet drejtëpërsëdrejti në TV takimi që do kesh me studentët.

Çështja është se gjendemi përpara një situate që në thelb është pluripartitizmi.

Nëse ne do ta pranojmë këtë tezë, ose do ta pranojmë siç është, ose e pranojmë të plotë dhe e mbyllim këtë muhabet. Duke e pranuar të plotë e dimë që pranojmë një gjë shumë të rëndë, që do kërkojë një punë kolosale nga partia. Po tashti ca njerëz do na dalin kundra, ca…këtu do te matet vlera e punës tonë. Kush është pro (ngrenë duart anëtarët e Plenumit)? Ata që jane kundër? Spiro Koleka, Rita Marko.

Dakort, u mbyll!

11 dhjetor 1990, mesditë. Sheshi Skënderbej

Pallati i Kongreseve, duke qenë pjesa më konservatore e Tiranës, pati po atë mëngjes edhe antipodin e saj. Rreth orës 11.00, në Tiranën e shokuar nga vrulli i studentëve, në sheshin Skënderbej një i ri sfidoi frikën e 200.000 qytetarëve. Për t’u solidarizuar me studentët, për të treguar se ata s’mbeten vetëm, u ngjit lart, mbi momumentin e Skënderbeut, duke hedhur parrulla demokratike. Njerëzit përherë vigjilentë të sigurimit, të armatosur, u ngjitën dhe orvateshin ta zbrisnin poshtë. Djali u kap pas bishtit të bronxtë të kalit dhe shtrëngohej fort. Ata e tërhiqnin. Nxorën revolverët dhe e godisnin me dorezat e tyre në shpatulla dhe gishtërinj. Kur e zbritën, plaçkat i qenë grisur, gjoksi i hovte me forcë dhe nga cepi i gojës i rridhte një curril gjaku. E futën në makinë dhe ikën.

11 dhjetor 1990, pasdite

Vazhdonte pelegrinazhi i banorëve të Tiranës në Qytetin Studenti. Dritat shponin natën dhe binin mbi grumbujt e njerëzve që lëviznin të entuziasmuar. Pranë godinës 15-të përgatitej nisja e përfaqësisë. Autobuzi që do t’i çonte një Saviem i vjetër i Shërbimit Urban, ishte aty dhe në dritaret, dyert apo dhe paretet anësore të tij qenë varur qindra vetë. U përpoqa të dalloja diçka në atë kaos. Lart kishin filluar të bërtistnin. Një grup intelektualësh po përpiqeshin të jepnin disa udhëzime të fundit. Më sa duket ata po i paralajmëronin se pluralizmi qe vendosur atë mbasdite. U përpoqa të flas me Tefalin Malshytin. Qe e pamundur. Autobuzi u nis. Ai çante me vështirësi midis grumbullit që e rrethonte. Një djalë i ra në gjunjë para tij dhe puthi targën. Të tjerë ngrinin dy gishtat te xhamat, bërtitnin: “Mos na tradhtoni, mos kini frikë”. Autobuzi ngeci përsëri. Studentët thirrën edhe një herë. U deshën gai 15 minuta që ai të bënte 100 metrat që e ndanin nga kryqëzimi pranë shatërvanit.

Brohoritjet dukeshin sikur do t’i shqyenin llamarinat e tij të kuqe. Shoferi përshëndeti me bori. Për një kohë ai vazhdoi të zbresë poshtë me bori të ndezur. Qindra vetë thërrisnin si fëmijë, pedagogë të rreptë që fshinin lotët, shkrimtarë dhe shkencëtarë të dëgjuar. Disa dhjetëra vetë e vazhduan vrapin e ndjekjes deri në të dalë të Qytetit Studenti, aty ku duke i përshëndetur edhe një herë me borinë e tij, autobuzi mori rrugën drejt pallatit ku i priste presidenti.

DISA MINUTA MË VONË NË PALLATIN E BRIGADAVE

Autobuzi përshkoi gjithë oborrin e pallatit midis ushtarëve me automatikë për të ndalur pranë derës qëndrore. Së bashku me studentët ishin edhe disa pedagogë: Arben Imami, Arben Demeti, Edmond Budina, Zef Broci etj. Ne ishim veshur me rrobat më të mira, kujton Blendi Gonxhe. Po shkonim të pinim kafet e fundit të regjimit. Por shumica qenë ende me këpucë të përbaltura. Në koridoret e gjatë të shtruar me mermer, kishte sigurimsa me kostumet e tyre demode pothuaj të gjithë ngjyrë blu. Presidenti priste në një sallë të vogël, në krah të hyrjes qëndrore, së bashku me Skënder Gjinushin dhe Lisen Bashkurtin. Studentët shkelën me këpucët e përbaltura në një nga tapetet e rëndë. Ndoshta një nga tapetet e Viktor Emanuelit të III-të. Studentët hezituan të shkojnë më tej. Vështruan këpucët dhe pantallonat e tyre të përbaltura deri lart. Edhe presidenti vështroi ato. Ai nuk pati kohë të fliste, kur si të shtyrë nga një urdhër i brendshëm dy-tre të parët ecën përmes tapetit për t’i dhënë dorën. Mbi të mbetën gjurmët e përbaltura të këmbëve.

– Ju shkodranët do të më kompromentoni,- tha ai duke qeshur duke takuar Arben Brocin dhe Arben Likën.

– Ty të njoh,- iu drejtua më pas Arben Imamit.

Studentët nuk qeshën. U ulën njëri përballë tjetrit. Në qendër ishin vendosur Azem Hajdari, Arben Imami, Shinasi Rama, Arben Lika e Tefalin Malshyti. Ramiz Alia, Skënder Gjinushi dhe Lisen Bashkurti qenë ulur përballë tyre. Ranë dakord që biseda të regjistrohej dhe filluan.

Pakkush nga të pranishmit në atë mbrëmje, mund të thotë se cili ishte thelbi i asaj bisede të gjatë, të zvarritur, të së parës bisedë të ngjashme në historinë e Shqipërisë. Një bisedë tërësisht e dominuar nga dëshira e ethshme për ndryshim, por njëkohësisht nga padija se si arrihej ai. Në më shumë se tre orë të gjata, ajo dërgatë heterogjene, e panjohur mes saj, por e dominuar nga dëshira për ndryshim, do të impononte vullnetin e mbi 20 mijë vetëve e përmes tyre të miliona shqiptarëve për një kohë të re, të ndryshme e padyshim demokratike. Do ta bënte këtë edhe me vështirësi, me pak kaos, por me bindjen se kishte ardhur koha për ta bërë dhe se ajo, pikërisht ajo dërgatë heterogjene, ishte dërgata e së drejtës qytetare në vend. 15 vjet më pas, e ritransmetuar disa herë në TV, ajo bisedë ngjan çuditërisht e ndryshme, shumë herë më e vlerësuar. Brenda saj ka gjithçka: protestën për dhunën ndaj studentëve; protestën ndaj regjimit në fuqi; dëshirën për ndryshim dhe vendosmërinë për ta arritur këtë me çdo kusht, me çdo mjet, duke përfshirë edhe sakrificën. Debatet e Alisë me Azem Hajdarin, Arben Imamin, Tefalin Malshytin, Blendi Gonxhen, Arben Demetin, Shinasi Ramën etj., janë preludi i një debati real politik që po lindte në Shqipëri. Mbi të gjitha, Arben Imami kishte arritur t’i deklaronte Alisë një frazë deri atë moment tabu: Ne nuk kemi punë me partinë tuaj, ne duam një parti tonën që të japë kontribut për Shqipërinë. Kjo është e gjitha, ç‚duam ne!

15 vjet më pas, ajo bisedë dhe ai grup ka edhe një vlerë më shumë. Shumica e studentëve të përbaltur që uleshin për herë të parë në karriget luksoze të Pallatit të Brigadave, do të bëheshin më pas drejtuesit e vërtetë politikë të Shqipërisë. Ajo ishte në vetvete një lloj elite politike, që i ishte nënshtruar, pa dashje, seleksionimit demokratik, përmes zgjedhjes së lirë. Në atë grup, veç themeluesve dhe politikanëve të njohur të Partisë Demokratike që do të krijohej 24 orë më vonë, Arben Imami, Azem Hajdari, Arben Demeti, Ridvan Peshkëpia, merrnin pjesë edhe dy përfaqësues të tjerë, njëri student i ekonomisë dhe tjetri i mekanikës, që do të bëheshin më pas në vitet 1999 – 2002 Kryeministrat më të rinj të Shqipërisë, Ilir Meta dhe Pandeli Majko.

Por askush, nuk e dinte fatin dhe karrirën e tij të mëpasme atë moment.

(Marre nga Libri “Piedestale pa Statuja”)

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH