Analizë

Çfarë duhet të bëjë kryeministri për të dhënë dorëheqjen?

Shkruar nga Liberale
Çfarë duhet të bëjë kryeministri për të

Klementin Mile

Kryeministri Rama nuk e dha dorëheqjen kur vendi u mbush plot me kanabis, kur sasia e prodhuar qe aq e madhe sa e bëri Lazaratin të dukej një shaka e vogël.

Kryeministri nuk e dha dorëheqjen kur vidheshin sistematikisht pasuritë publike, duke i zhvatur barbarisht për të majmur një grusht të vogël njerëzish.

Kryeministri nuk e dha dorëheqjen kur ministrat e brendshëm i rrëzoheshin njëri pas tjetrit, pasi në vend që të luftonin krimin e kishin bërë aleat, e në ndonjë rast vëlla.

Kryeministri nuk e dha dorëheqjen kur dorëheqja u kërkohej drejtorëve të tatimeve, të doganave e të institucioneve të tjera të qeverisë, për korrupsion, paaftësi dhe vjedhje të hapur të të ardhurave shtetërore.

Kryeministri nuk e dha dorëheqjen as kur kilometri i rrugës së shtruar me anë të PPP-ve të tij arriti çmime të paimagjinueshme dhe të pajustifikueshme prej cilitdo eksperti të ekonomisë.

Kryeministri nuk e dha dorëheqjen as kur punët publike u zbulua se përdoreshin për pastrim parash dhe, për më tepër, kur ministra të tij u pa se kishin lidhje direkte me këtë gjë.

Kryeministri nuk e dha dorëheqjen as kur bashkiakët e tij, deputetët e tij, dhe kur ai vetë u dëshmua se kishin organizuar një skemë shitblerje votash në vend.

Kryeministri nuk e dha dorëheqjen as kur i kapi të gjitha institucionet politike të vendit, me përjashtim të Presidencës, duke i dhënë fund praktikisht demokracisë.

Kryeministri nuk e dha dorëheqjen as pas 6 vitesh zvarritje të Reformës në Drejtësi, çka nuk do të mund të realizohej dot pa kontributin madhor të tij.

Kryeministri nuk e dha dorëheqjen as kur numri i njerëzve që duan të ikin nga Shqipëria, tashmë e varfëruar dhe pa asnjë plan ekonomik zhvillimi, është sa dyfishi i atyre që duan të rrinë.

Kryeministri nuk e po e jep dorëheqjen as tani, kur Bashkimi Europian ia refuzoi për të tretën herë hapjen e negociatave të anëtarësimit vendit të qeverisur prej tij.

Mesa duket, për kryeministrin shqiptar, këto nuk janë arsye të mjaftueshme për t’u dorëhequr. Standardi i tij i përgjegjësisë dhe llogaridhënies po dëshmohet se i përket niveleve të panjohura më parë në regjimet demokratike. Në këtë kuptim, ai na ka vendosur ne, popullin e tij, në pozitë të vështirë. Çfarë duhet të presim të bëjë kryeministri për të dhënë dorëheqjen?

Dyshimet dhe indiciet për bashkëpunim me botën kriminale, për deformim të vullnetit të zgjedhësve, për favorizim të paligjshëm oligarkësh, për korrupsion kapilar, për abuzim dhe dëm kolosal ndaj buxhetit të shtetit, për pengim dhe deformim të drejtësisë, për qeverisje të keqe dhe pa vizion, për shpopullim të vendit, për dështim të integrimit–të gjitha këto nuk mjaftojnë që kryeministri dhe qeveria e tij të dorëhiqen.

Çfarë ka mbetur? A mos duhet që kryeministri të dalë nëpër rrugë me pistoletë në dorë e të vrasë njerëz? A mos arrihet kështu standardi i tij për të dhënë dorëheqjen? A mos është ky kufiri, vija e kuqe, ylberi që nuk mund të kapërcehet? A mos e ndan kjo kryeministrin e përgjegjshëm nga ai i papërgjegjshmi? A mos është ky lakmusi që tregon se kemi një qeveri që i jep llogari popullit?

Në çdo rast, është qesharake të thuash, bashkë me ministrin e jashtëm në detyrë Cakaj, se Rama dhe ai vetë nuk kanë pse ta japin dorëheqjen, pasi nuk e kanë premtuar hapjen e negociatave. /Gazeta Liberale

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH