Aktualitet

Çfarë do të ndodhë me ushtarët ukrainas të Azovstal?

Shkruar nga Liberale
Çfarë do të ndodhë me ushtarët ukrainas të

Të premten në mbrëmje, Rusia shpalli rrethimin e uzinës së çelikut Azovstal, një zonë e madhe industriale ku qindra ushtarë ukrainas të izoluar dhe të paaftë për të siguruar furnizime nga jashtë, i rezistuan për disa javë sulmeve të ushtrisë ruse.

Të premten, sipas burimeve zyrtare ruse, 500 ushtarët e fundit ukrainas ishin dorëzuar dhe kjo do të thotë se Rusia, pas muajsh luftimesh, ka pushtuar përfundimisht Mariupolin. Është e mundur që në Azovstal të kenë mbetur ende pak ushtarë ukrainas, por tashmë edhe analistët perëndimorë gjithashtu bien dakord në lidhje me këtë, tani me plot gojën mund të thuhet se fabrika e çelikut dhe qyteti janë pushtuar.

Sipas Rusisë, 2,439 ushtarë u dorëzuan nga uzina e çelikut Azovstal, megjithëse është e pamundur të verifikohet në mënyrë të pavarur ky numër. Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq, i cili duhet të ishte në gjendje t’i ndihmonte ata, foli më tepër për “qindra” njerëz.

Gjatë javës së kaluar, ndërsa ukrainasit u dorëzuan, mediat ruse kanë postuar video dhe foto të ushtarëve duke hipur në autobusë si pengje ruse. Tani është e vështirë të kuptohet se çfarë do të ndodhë me ata ushtarë ukrainas, të cilët konsiderohen si robër lufte; madje nuk përjashtohet mundësia që ata të jenë në qendër të një përplasje diplomatike mes Rusisë dhe Ukrainës.

Forcat ruse kanë dhënë informacion mjaft të pakët se çfarë synojnë të bëjnë me ushtarët e Azovstal. Dihet se deri më tani të gjithë autobusët me ukrainas të marrë peng janë çuar në rajonet ukrainase që kontrollohen nga Rusia, edhe pse është shumë e vështirë të mësohen informacione të reja.

Disa të burgosur u dërguan në një burg në rajonin e Donjeckut, i cili kontrollohet nga Rusia, ndërsa televizionet shtetërore ruse shfaqën fotografi të ushtarëve ukrainas që po trajtoheshin në një spital.

Prej ditësh autoritetet kanë kërkuar shkëmbim të robërve dhe thonë se janë gati të dorëzojnë robër rusë të luftës në këmbim të ushtarëve të Azovstal. Rusia nuk është shprehur ende për këtë çështje, megjithëse është spekuluar se rusët e kanë fryrë numrin e ukrainasve të dorëzuar, pikërisht për të fituar sa më shumë gjatë një shkëmbimi të mundshëm.

Presidenti rus Vladimir Putin foli gjithashtu për të burgosurit, duke thënë se ata do të trajtohen “sipas standardeve që parashikon e drejta ndërkombëtare”.

Në këtë rast, e drejta ndërkombëtare është Konventa e Tretë e Gjenevës, e cila nënvizon se të burgosurit e luftës trajtohen me dinjitet dhe mbi të gjitha ata s’mund të torturohen apo t’u nënshtrohen llojeve të tjera të keqtrajtimit. Për më tepër, Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq, duhet të ketë gjithmonë akses për të parë nga afër robërit e luftës.

Në teori, ushtarët e marrë peng nuk mund të gjykohen nga vendi që i ka burgosur ata për pjesëmarrje në luftë, përveç rasteve kur dyshohen për krime lufte, siç është vrasja masive e popullsisë civile. Mirëpo, gjasat janë që ushtarët e Azovstal, të cilët janë mbyllur për disa javë brenda fabrikës së çelikut të kenë kryer krime lufte, edhe pse propaganda ruse prej kohësh ka riprodhuar argumente se ushtarët ukrainas të Azovstal janë “kriminelë nazistë”.

Në emisionet televizive ruse, të ftuar të ndryshëm thanë se ukrainasit e dorëzuar në Azovstal, duhet të gjykohen dhe të dënohen me vdekje. Të martën, disa anëtarë të Dumës, parlamenti rus i kontrolluar nga regjimi i Putinit, paraqitën një projekt-ligj për t’i cilësuar ata si “kriminelë nazistë” që nuk mund të shkëmbehen me pengjet ruse.

Edhe Prokurori i Përgjithshëm i vendit i ka kërkuar Gjykatës së Lartë ruse që ta gjykojë batalionin Azov si një “organizatë terroriste”, kjo me qëllimin për të parandaluar shkëmbimin e të burgosurve.

Pavarësisht se nuk ka asnjë konfirmim se këto ide mund të realizohen, Rusia ka një histori të gjatë, madje së fundmi, gjyqesh të padrejta dhe të paargumentuara të kryera për arsye politike apo propagandistike; më i fundit është ai i realizuar kundër liderit të opozitës ruse, Alexei Navalny, i dënuar me nëntë vjet burg me akuza që sipas të gjithë vëzhguesve të pavarur janë të motivuara politikisht./Përgatiti Liberale.al/

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH