Letërsi

Çështje me Dua Lipa, Atdhe, e gjëra të tjera

Shkruar nga Liberale

Loer Kume

RrockRrëmujë është konceptuar për t’u angazhuar me tema e artistë të çimentuar në histori, në ndërgjegjen popullore, në psiqikën kolektive, e kryesisht nuk mund të negocioj poshtë, fjala vjen, Pink Floyd.

Por, është e pamundur të jetosh në kohën tonë e të mos ngacmohesh e entuziazmohesh nga ngjarjet e përditshme. E në këto ngjarje të përditshme, e muzikë të përditshme, e situata të ditës, nuk mundet kurrsesi, te jesh një hater i Dua Lipa. Faktikisht, mua më duket se tërë bota e do Dua Lipa.

Dua Lipa vjen në Shqipëri dhe, si gjithmonë, si akujt e shkëputur nga akullnajat e Arktikut notojnë opinionet pse Dua duhet (kupto – me dasht) pse Dua pritet, pse Dua respektohet, sa krenarë jemi për Duan, Dua na nderon, ç’ka bërë Dua për Kosovën, ç’ka bërë Dua për Shqipërinë.

Së pari, këto histori dëgjohen për çdo shqiptar të famshëm. Çfarë bëri Kadare për ne, çfarë bëri Nënë Tereza për ne, Inva Mula, Ermonela Jaho, Tedi Papavrami, çfarë bëri për Shqipërinë Anri Sala, çfarë bëri Rita Ora, e dreqi e i biri, duke shkuar te Jean Moreas, Karl Gega e famiglia Durrazzo; mjafton të jenë të suksesshëm, e tërë shqiptarët presin që këta njerëz të bëjnë diçka për ta.

Çdo njeri, së pari, i përket vetes dhe familjes e të dashurve të tij. Do vijë një kohë, që përveç ndonjë krenarie të largët e thellësisht antropologjike, koncepti i atdheut nuk do të ekzistojë më. Do vijë një kohë që, Toka do jetë atdheu ynë. Artistët ndërkombëtarë e kanë njohur ndërkaq këtë kohë. Bota është një fshat i stërmadh.

Në këtë koncept të lirë, asnjë artist nuk ka pse t’i detyrohet vendit të tij për asgjë. Lëre pastaj vendit të origjinës, si Dua Lipa. Dua ishte foshnje kur ndodhi Lufta e Kosovës, e sot në epokën e re që po jetojmë, nostalgjikët e marsheve të luftës duhet të mësojnë veshët me muzikën botërore elegante të Duas. Dua erdhi në Tiranë, adoptoi një kopësht, bëri Sunny Hill Fest në Prishtinë, e kaq është shumë për dikë që i mjafton ekzistenca dhe sukseset për t’i bërë mirë vendit të vet. Dua është fantastike në tërë këtë.

E dyta, ndërsa lexoj The Illogic of Cassel të Enrique Vila-Matas, një nga autorët spanjollë e europianë më të mëdhenj të kohës, diku më del para se si personazhi kryesor këshillohet të shohë disa vepra të X e Y, e sidomos nje vepër që quhet The Oblique Clock nga ‘the albanian artist Anri Sala’, sepse është shumë e rëndësishme ta shihte si shfaqe të artit kontemporan.

Dhe, këtë fakt e gjen dhe në faqet e tjera të librit.

Nuk ka sesi të mos gufohet zemra që një bashkëatdhetari yt të ketë të tillë sukses me veprën e tij, e të përjetësohet në një vepër letrare, e të njohë të tillë sukses europian e botëror. The albanian artist. Fjalë sublime për underversin tonë shqiptar.

Por, çfarë shoh unë pas këtyre fjalëve? Anri Sala vërtet etiketohet albanian artist, por nuk u bë në Shqipëri. U bë jashtë vendit të tij. Ismail Kadare nuk do kishte njohjen dhe rëndësinë qe ka sot në botë, nëse nuk do ishte botuar në frëngjisht e nuk do kishte një agjent letrar të huaj. As Inva, as Ermonela, as Tedi nuk shkëlqyen nga Shqipëria. Ka plot muzikë e muzikantë këtu që duhej të ishin minimalisht të famshëm ndërkombëtarisht. Këngë të Ritfolk, Elton Dedës, këngë të Djemtë e Detit, këngë të Minatori, Gjurmët, Genc Salihu.

Bojken Lako duhej të ishte një muzikant ndërkombëtar, Qelbanix duhej të ishin të tillë. Një grup i ri shumë interesant, Into thin Air duhet të ishin ndërkombëtarë, e plot muzikantë e muzikë që nuk i zë një shkrim i vetëm.  Por nuk janë ndërkombëtarë. Ndërkohë, ka muzikantë e autorë nga vendet fqinjë, që kanë audiencë ndërkombëtare. Dhe Dua e Rita, nëse do kishin mbetur në atdhe, pak gjëra do kishin arritur. Shqipëria e Shqiptaria është një nënë që i ha bijtë e saj. Është kuçedër e egër.

Dje, ndërsa flisja me një mik për djalin e tij rishtar futbollist, më tregoi si i kërkonin lekë për ta futur në skuadër, e pastaj lekë për ta futur në lojë. Ja, ky është mallkimi i shqiptarëve. Shqiptarët që presin nga shqiptarët e suksesshëm jashtë vendit, së pari duhet të bëhen njerëz vetë. Suksesi është vetjak, në çdo moment e çdo sekondë të jetës sonë të përditshme; suksesi është në punën tonë të përditshme, të bësh mirë atë që fati të ka përcaktuar të bësh. E si fillim, të mos t’i kërkosh lekë një prindi që t’i angazhosh fëmijën në lojë. Çdo ishte bërë Rey Manaj, nëse do kishte ndenjur në Shqipëri e nuk do kishin emigruar prindërit në Itali? Ndaj shqiptarët e shëndetshëm, para se t’u kërkojnë llogari bijve të suksesshëm të Shqipërisë, të bëhen etër të mirë e të përgjegjshëm të vendit të tyre. Çdo veprim që bën secili nga ne sot, ka një efekt ciklopik pas 10 a 15 vitesh. Ndaj riparimi shqiptar është kryefjala, jo entuziazmi, zelli tifozerik, krenaria apo kërkimllogaria shqipe.

Së treti, pse e duam Duan? Krijesa Dua Lipa, të bën ta duash. Por jo nga emri, i cili është sidoqoftë paracaktues i njeriut, mendoj unë. Dua na bën ta duam, sepse Dua bën një muzikë të ëmbël, aspak pretencioze, përkëdhelëse, të dashur, alegro, plot gëzim, me emocione shumë fine, elegante, pozitive, duke ngacmuar ndjesitë më të çiltra e të këndshme tonat, në një botë plot me trazime, halle, probleme, zvarritje, pluhur, ndjenja të rënda, zymtësi, e tinguj të angazhuar, e muzikë të rëndë, pretencioze, politike. Ku politika dhe makrondjenjat hyjnë kudo, kemi Duan, një muzikante që në mes të rrëmujës njerëzore, qesh, ulet, bën muzikë të lirë, këndon, e i dedikohet ngazëllimit njerëzor. Ndaj, Levitate with Dua, e merre jetën më me shije e gëzim. Në këtë botë rëndësi ka vetëm çfarë bën ti. Ndaj shijo, e bëje mirë.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH