Aktualitet

Çështja çame, jo si moment politik por si kazus evropian

Shkruar nga Liberale

Kolana UET Press – 15 vjet

Titulli: Epiri i Jugut, Çamëria

Grup autorësh

Shpëtim Idrizi

Botimi i këtij albumi dhe leximi i materialit në të, fryt i punës së profesoratit të UET-it  dhe i shumë  universiteteve shqiptare, si edhe i mbështetjes nga Agjencia për Mbështetjen e Shoqërisë Civile, më krijon dy impresione. Së pari, që çështja çame mbi të gjitha është një çështje shkencore e së vërtetës historike, dhe së dyti, ndërtuar mbi këtë të vërtetë shkencore dhe historike ajo është një çështje thelbësore e të drejtave të njeriut, parë në planin evropian të standardeve evropiane. Duke lënë mënjanë të gjitha premisat thjesht patriotike apo nacionaliste, edhe pse ato janë vlera shumë të respektueshme për të gjitha shoqëritë dhe komunitetet në Ballkanin tonë, përfshi dhe ne shqiptarët, përfshi dhe ne çamët e Shqipërisë, dua të ndaj me publikun, në parathënien e këtij botimi, disa konsiderata.

Nga shqyrtimi i  të gjitha këtyre shkrimeve  të studiuesve, historianëve shqiptarë dhe turistëve shqiptarë, del një e vërtetë e madhe. Sipas të gjitha të dhënave, dokumenteve, dëshmive, fotove dhe gjithçkaje tjetër, çështja çame është një realitet i dëshmuar historikisht, i provuar historikisht, dhe me gjurmët e veta në histori, të cilat me gjithë represionin grek, mes gjithë qëllimshmërive fashiste, neofashiste, “demokratike” apo, fatkeqësisht, edhe të kësaj shoqërie demokratike në Greqi, nuk mund të zhbëhen. Ato janë aty, janë të tilla, janë të dëshmuara tashmë ndërkombëtarisht. Si i tillë, ky libër i ndihmon fort plazmimit të së vërtetës historike të çështjes çame, jo thjesht si artikuj gazetash, jo thjesht si dëshmi individësh, jo thjesht si përshtypje udhëtimi, jo thjesht si kujtime të pleqve, të sakatuar dhe të masakruar, që morën rrugën e ikën; që morën dhenë në Shqipëri apo gjetkë, por tashmë si fakte historianësh profesionistë, akademikësh profesionistë, e vërteta e të cilëve nuk mund të vihet në diskutim sepse është lehtësisht e vërtetueshme për këdo.

Konsiderata e dytë, që dua të ndaj, është fakti që nisur mbi këtë të vërtetë historike burojnë një numër të drejtash dhe detyrimesh për shtetin grek, të cilat janë universalisht të patjetërsueshme në çdo epokë dhe në çdo regjim, sado që ka kaluar koha, sidomos në dritën e proceseve evropiane, të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Juristët, që kanë kontribuar në këtë botim, mbështetur mbi këto të vërteta shkencore historike, kanë argumentuar pse-në e një procesi të drejtë, legjitim dhe efikas, dhe në kohë në lidhje me kthimin edhe kompensimin e pronave të konfiskuara dhe të grabitura të qytetarëve çamë, me origjinë shqiptare, të cilët sot jetojnë në Greqi ose jashtë saj. Përballja e profesionistëve të jurisprudencës shqiptare në lidhje me këtë çështje, është tashmë jo thjesht një çështje avokatie, jo thjesht një çështje palësh të kontraktuara për të mbrojtur një të drejtë, por  një dëshmi historike, një dëshmi e profesionistëve të jurisprudencës shqiptare në lidhje me këtë proces. Për të gjitha këto, ky botim, kontribut i madh, me financimin e Agjencisë për Mbështetjen e Shoqërisë Civile, është një mundësi e jashtëzakonshme që çështja çame të mos jetë thjesht një çështje përfaqësimi politik, jo thjesht çështje e këtij grupi, por të jetë çështje evropiane. Ndaj unë do të uroja fort, përkthimin dhe botimin e këtij libri në gjuhë të huaja, dhe nga ky libër mund të mbështeteshin shumë prej argumenteve dhe të drejtave historike në lidhje me popullin çam, të drejtat e tij dhe çdo gjë tjetër që lidhet me kuadrin e të drejtave të njeriut. Duke e nderuar  kontributin e këtyre akademikëve, shpresoj se ky shndërrim i problematikës çame në funksion të momentit historik dhe momentit juridik, është një risi që sjell ky botim dhe një risi për emancipimin e shoqërisë shqiptare, drejt standardeve evropiane. /Gazeta Liberale

 

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH