Aktualitet

Certifikohen 443 policë të rinj

Shkruar nga Liberale
Certifikohen 443 policë të rinj

Policisë së Shtetit do t’i bashkohen 443 efektivë të rinj. Të rinjtë përfunduan trajnimin në Akademinë e Sigurisë dhe tashmë pritet të nisin punën në terren. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano, i pranishëm në ceremoninë e certifikimit të tyre në Akademinë e Sigurisë tha se imazhi i policisë së shtetit po ndryshon pozitivisht.

“Dëshira juaj dhe e mijëra të rinjve, që çdo vit aplikojnë për t’u bërë pjesë e strukturave të Policisë së Shtetit, na mbush me shpresë se imazhi i Policisë së Shtetit po ndryshon me shpejtësi në kahun pozitiv dhe besimi i gjeneratës së re, por edhe i mbarë qytetarëve po rritet nga dita në ditë. Të jesh punonjës policie nuk është privilegj, as vend pune, është përgjegjësi morale, humane dhe ligjore. Kurrë mos e harroni këtë trekëndësh, në rast se doni që të lexoni në sytë e qytetarëve, vlerësim, besim dhe mbështetje”.

Kreu i Policisë së shtetit u dha edhe këshillat e tij efektivëve më të rinj

“Qytetarët presin shumë nga unë në radhë të parë, por edhe nga ju, brezi i ri, që të shikojnë një polici më profesionale, më etike, më humane dhe më të ashpër me kriminelët dhe shkelësit e ligjit. Ju sot po lini klasat, auditorët, ambientet e studimit dhe të stërvitjes, për t’u hedhur me vendosmëri në veprim në skajet ku përballet e mira me të keqen, paqja me rrezikun. Ne kemi nevojë për një revolucion të forcës policore dhe unë bashkërisht me pjesën e shëndoshë dhe ju brezin e ri të Policisë do ta kryejmë atë pa vonesë e pa justifikime, duke mos u stepur nga vështirësitë apo pengesat”.

Nano u shpreh se zyra dhe telefoni i tij do të jenë të hapura për çdo iniciativë pozitive që është në interes të qytetarëve dhe imazhit të Policisë. 443 efektivët e rinj do të jenë në shërbim të Patrullës së Përgjithshme në Policinë e Shtetit.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH