Kryesore

Çelje negociatash në kohë izolimi

               Publikuar në : 21:46 - 24/03/20 liberale

Një vendim pozitiv i Këshillit të Ministrave të BE-së për çelje të negociatave me Shqipërinë, ndërsa vendit i shtohen kushtet. Kjo “po” unanime nga 27 vendet anëtare vjen në një kohë,  vjen në një kohë kur e gjithë Europa është izoluar në luftë me pandeminë e shkaktuar nga Covid-19

Suadela Balliu

Përgjigja pozitive për çeljen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian nuk mund të vinte në kohë më të çuditshme për Shqipërinë, e cila e nisi rrugëtimin e saj për të mbërritur në portat e Europës thuajse 13 vjet më parë, me nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, në dhjetor të 2007-s.

Përmes një video-konference, ndërsa thuajse të gjithë shtetet e unionit janë izoluar dhe përballen me krizën e shkaktuar nga koronavirusi, Këshilli i Ministrave të BE-së, vendosi të martën të japë dritën jeshile për çeljen e negociatave me dy kandidatet e Ballkanit, të cilat morën përgjigje negative 18 tetorin e shkuar përballë reformimit të BE-së dhe largimit të Britanisë nga ajo që presidenti Macron e quajti familja e madhe, ende jo e gatshme të priste anëtarë të rinj.Lajmi u bë i ditur nga Komisioneri për Zgjerim Oliver Varhelyi, ndërsa uroi dy vendet, duke shtuar se e ardhmja e tyre ishte në BE.

Pas vendimit, do të reagonte edhe ministri gjerman i Europës, Michael Roth. “Lajm i mirë në këto kohë të zymta: më në fund drita jeshile në video-konferencën e sotme të Këshillit të Ministrave për Evropën për çeljen e negociatave të anëtarësimit në BE me miqtë tanë nga Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria. Fitore për BE-në dhe Ballkanin Perëndimor. Urime Tiranës dhe Shkupit”,  shkruante në Twitter ministri gjerman i Evropës, Michael Roth, ndërsa edhe më herët është shprehur në favor të çeljes së negociatave me dy vendet, ashtu si edhe Bundestagu që  shtatorin e shkuar i vendosi qeverisë shqiptare nëntë kushte.

Megjithë rikonfirmimin e Komisionit Europian për rekomandim pozitiv të çeljes së negociatave pa kushte, që duket se bindën shtetet skeptike si Franca dhe Holanda, Këshilli i ministrave të BE-së kanë vendosur katër parakushte për qeverinë shqiptare, të cilat do të duhet t’i përmbushë përpara konferencës së parë ndërqeveritare.

Reforma Zgjedhore, në përputhje të plotë me rekomandimet e OSBE/ODIHR-it, tashmë me tryezën e palëve të pezulluar për shkak të pandemisë që ka prekur edhe Shqipërinë , por që i ka organizuar mbledhjet jo pa debate me maxhorancën që ka refuzuar disa nga propozimet e opozitës, do të duhet të miratohet   përpara konferencës së parë ndërqeveritare.

Një tjetër parakusht është edhe financimi transparent i partive politike dhe fushatave elektorale, i diskutuar në Këshillin Politik të Reformës Zgjedhore, ku PD propozoi fillimisht financim 100 përqind nga shteti dhe në një fazë të dytë foli për një financim miks me 60 përqind financim nga buxheti i shtetit.

Përpara konferencës së parë, Shqipëria duhet të ketë rezultate edhe në zbatimin e Reformës në Drejtësi dhe të bëjë funksionale  Gjykatën Kushtetuese – aktualisht në ngërç –dhe  Gjykatën e  Lartë – të cilës iu bashkuan tre anëtarët e parë -, duke marrë parasysh ekspertizën e rëndësishme ndërkombëtare, që përfshin opinionet e Komisionit të Venecias dhe të përfundojë krijimin e strukturave të specializuara kundër krimit të organizuar dhe kundër korrupsionit.

Lajm të bukur e ka cilësuar kryeministri Rama “po”-në në bllok të 27 shteteve anëtare, ku Franca kishte sinjalizuar qëndrimin ndryshe pak kohë më parë, duke deklaruar se nëse rekomandimi i KE-së do të ishte pozitiv, edhe Parisi do të votonte për çeljen e negociatave.

“Dera e dhomës së pritjes së shtëpisë së BE-së u hap më në fund, me një kohë të mallkuar kur dyert e gjitha shtëpive tona janë të mbyllura dhe në shtëpitë tona nuk presim dot askënd. Shqipëria hyri në një fazë të re të historisë së saj mu në mes të një lufte botërore që askush nuk e di akoma kur do të mbarojë”, do të shprehej në një prej daljeve të tij kryeministri Rama, duke theksuar edhe njëherë se përgjigja pozitive nga Brukseli, nuk vonoi për shkakun e qeverisë shqiptare, por siç e ka thënë më herët për shkak të politikave të brendshme të unionit.“Sidoqoftë nuk kemi humbur asnjë ditë duke punuar dhe duke i bërë detyrat e shtëpisë, njësoj si ta kishim marrë PO-në qëkur e merituam”, do të shtonte kreu i qeverisë.

Por ndryshe e sheh deputeti i Bundestagut, Wadephul, pjesë e grupit të hartimit të nëntë kushteve që iu vunë Shqipërisë për çeljen e negociatave shtatorin e shkuar.“Vendimi i Këshillit të Ministrave është një deklaratë mosbesimi ndaj Komisionit Europian. Ky i fundit kishte propozuar që negociatat me Shqipërinë të nisin pa kushte. Fakti që vendet anëtare sot kanë vendosur 15 kushte dëshmon se ato presin që Komisioni Europian të monitorojë progresin në mënyrë më strikte dhe me më shumë kujdes”, do të shprehej nënkryetari i grupit parlamentar CDU/CSU. Prej kohësh në Bundestag qarkullon skepticizmi ndaj raporteve të Komisionit Europian, duke i parë ato si të sheqerosur.

“Ne jemi të bindur se Komisioni i ri Europian nën drejtimin e Presidentes Ursula von der Leyen do ta marrë këtë parasysh. Grupi parlamentar CDU/CSU bashkë me gjithë partnerët e tij europianë, do të jetë i palëkundur derisa 15 parakushtet të përmbushen plotësisht përpara se të nisin negociatat e pranimit me Shqipërinë”, ka deklaruar Ëadephul.

Ministri i jashtëm holandez, Stef Blok ka theksuar se megjithëse dy vendet e Ballkanit Perëndimor kanë marrë dritën jeshile për çeljen e negociatave, Maqedonia e Veriut do të nisë menjëherë konferencën e parë ndërqeveritare, ndërsa Shqipëria do të duhet të plotësojë katër parakushte dhe duhet t’i bindë vendet e BE-së se e ka seriozisht me sundimin e ligjit dhe po ashtu dhe me luftimin e korrupsionit.

“Shqipërisë nuk po i kërkohet asgjë e jashtëzakonshme, përkundrazi po i kërkohet minimalja për një shtet të BE-së dhe disa korniza që duhet t’i ketë çdo shtet që do të hyjë në BE; sundimin e Ligjit dhe luftën kundër korrupsionit”, është shprehur Blok.

Megjithëse kreu i PD-së do ta shihte vendimin e këshillit të ministrave të BE-së si shprehej e mbështetjes për Shqipërinë dhe shqiptarët për të hapur negociatat dhe se tani ishte në dorën e politikës vendase për përmbushjen e kushteve, nga selia blu ish-deputetja Jorida Tabaku do të theksonte se vendimi i së martës ishte thjesht vullnet i shprehur nga BE dhe se negociatat çeleshin vetëm me përmbushjen e kushteve.

Ndërsa Bundestagu kishte nëntë kushte, ky dy të parat duheshin plotësuar para konferencës së parë ndërqeveritare, tashmë Shqipërisë i duhet të plotësojë gjithsej 15 të tillë.

“Nga sot bie alibia 4-vjeçare e qeverisë dhe askush nuk mund të fshihet më pas “problemeve të brendshme” brenda BE-së. Që t’i japim vlerë kësaj Po-je duhen hapa konkretë, zbatim i çdo kushti të vendosur. Shqiptarët kanë humbur mjaft kohë. Tani duhet veprim”, do të shprehej Tabaku, duke ripohuar vullnetin e PD-së për të dhënë kontributin e saj të në tryezën e Reformës Zgjedhore. “Qeveria duhet të bëjë pjesën e saj pa asnjë vonesë dhe pa asnjë alibi”, do të përfundonte Tabaku.

Edhe presidenti Meta, pasi përshëndeti vendimin e Këshillit të Ministrave të BE, si inkurajues në këto kohë të vështira, tha se nuk duhej humbur kohë me zbatimin e kushteve, që i paraprijnë konferencës ndërqeveritare për nisjen e negocimit të kapitujve .

Për ambasadorin e BE-së në Tiranë, Luigi Soreca, e marta ishte ditë historike për Shqipërinë, duke e bërë vendin me një status të ri përballë BE-së.“Tani është thelbësore që vendi të bashkohet dhe t’i realizojë këto masa. I takon kryesisht qeverisë të ndërmarrë veprime dhe të përgatisë menjëherë një plan të strukturuar veprimi për muajt e ardhshëm. Por kjo punë është një përpjekje e gjithë shoqërisë, që do të ketë nevojë për bashkëpunimin e të gjitha institucioneve, opozitës dhe shoqërisë civile”, u shpreh Soreca, duke sqaruar se shtetet anëtare i kanë dhënë mandatin Komisionit që të fillojë përgatitjen e rregullave të lojës, e ashtuquajtura kornizë e negociatave.

Vendimi i së martës u përshëndet edhe nga ambasadorja e ShBA-së në Tiranë, Yuri Kim, duke e parë si pasqyrim të punës së palodhur të qeverisë dhe qytetarëve shqiptarë.“SHBA do të vazhdojë të mbështesë fuqimisht reformat dhe hapat e tjerë të nevojshëm për të arritur anëtarësimin”, u shpreh ambasadorja.

Mes kushteve është edhe forcimi i mëtejshëm i luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, edhe nëpërmjet bashkëpunimit me vendet anëtare të BE. Prioritet mbetet  që Shqipëria duhet t’i kundërvihet fenomenit të kërkesave të pabazuara për azil dhe të sigurojë riatdhesimin, si dhe të amendojë ligjin për mediat në përputhje me rekomandimet e Komisionit të Venecias, thuhet në draft raportin e Këshillit të Ministrave të BE-së.

Kuadri i negociatave duhet të miratohet nga Këshilli dhe duket të pasqyrojë faktin që Shqipëria i ka zbatuar me sukses pesë prioritete si, nisjen e procedurave penale ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve që janë akuzuar gjatë procesit të Vettingut për sjellje kriminale, nisjen e procedurave ndaj personave të akuzuar për blerje të votës, një goditje të dukshme të krimit të organizuar e korrupsionit në të gjitha nivelet, duke përfshirë nisjen e procedurave dhe plotësimin e procedimeve të para ndaj zyrtarëve të lartë shtetërorë e politikanëve.

Progress i dukshëm pritet në reformën e administratës publike, zbatimin e reformës së ligjit elektoral, vendimin përfundimtar rreth ligjshmërisë së zgjedhjeve vendore të 30 qershorit 2019, si edhe përparim të mëtejshëm në zbatimin e mbetur të legjislacionit të vitit 2017 lidhur me kuadrin ligjor  në mbrojtje të pakicave kombëtare, miratimin e ligjit për censusin e popullsisë në përputhje me rekomandimet e Këshillit të Evropës dhe përparim në procesin e regjistrimit të pronave.

Përfshirja e kërkesave për pakicat kombëtare në Shqipëri, kanë bërë që edhe Greqia e lëkundur të jepte miratimin në Këshillin e Ministrave të BE-së. Pak ditë më parë, pas miratimit nga Kuvendi i ligjit për pronat, Ministria e Punëve të jashtme të Greqisë, do të reagonte duke e cilësuar sanksionimin e të drejtave të minoritetit, si grup prove për  thirrjen e konferencës së parë ndërqeveritare për hapjen e negociatave për  integrimin e Shqipërinë.

Ky vendim pozitiv për çeljen e negociatave me dy kandidatet ballkanike, vjen pasi BE shprehu solidaritetin për vendin në Konferencën Ndërkombëtare të Donatorëve më 17 shkurt, ku Shqipëria mori për rimëkëmbjen pas tërmetit 1.15 miliardë euro në formë donacionesh, grantesh dhe huash.

Po ashtu, BE ka akorduar për Shqipërinë 50 milionë euro për luftën ndaj Covid-19, megjithëse vetë gjendet në luftë me virusin që po merr jetët e mijëra qytetarëve europianë, ku më të prekurat janë Italia dhe Spanja. Kjo përgjigje e shumëpritur për Shqipërinë, që pret t’ bashkohet familjes së madhe europiane,  vjen në një kohë ku janë rritur pakënaqësitë ndaj unionit prej vetë vendeve anëtare, me italianët që u ndjenë të lënë vetëm në mes të krizës shëndetësore, ndërsa  Italia ka ndërmarrë disa masa për kapërcimin e krizës, të njohura si “Cura Italia”.

Ndonëse vetëm pak ditë më parë, Gjermania u shpreh e gatshme të merrte pacientë italianë për t’i kuruar në spitalet e saj, ndërsa ato italianë janë të tejmbushur dhe në mungesë të pajisjeve mjekësore, ndihma me ekipe mjekësh dhe furnizime mjekësore Italisë i erdhën nga Kina, Rusia dhe Kuba, duke sinjalizuar kështu lëvizje të reja gjeopolitike.

Shqipëria duket se do të nisë rrugëtimin drejt Bashkimit Europian, ndërsa kriza e shkaktuar nga koronavirusi pritet të sjellë narrativë të re në union, i cili prej kohësh po hasej në vështirësi, me qëndrimet e liberalëve si Macron që nuk e shohin kohë për zgjerim, por për reformim të brendshëm.

Megjithë dritën jeshile të çelur të martën, ajo pritet të çelet përfundimisht në samitin që do të mbahet në Zagreb në muajin maj, mes vendeve të BE-së dhe atyre të Ballkanit Perëndimor.Në rajon, pakënaqësi të shprehura për rolin e BE-së në menaxhimin e krizës së koronavirusit  vijnë edhe nga Serbia, ku presidenti Vuçiç do të shprehej se  Bashkimit Europian nuk i interesojnë vendet e Ballkanit dhe i bëri thirrje për ndihmë Kinës.

Mes liderëve të BE-së ka ekzistuar gjithnjë frika se lënia jashtë e vendeve kandidate të Ballkanit, do të bënte që hendeku të mbushej nga fuqi si Kina dhe Rusia, që tashmë duket se me formën e ndihmave në krizën shëndetësore kanë mbërritur deri në Romë.Megjithatë kryeministri shqiptar vijoi i patundur në besimin tek BE, duke e kundërshtuar deklaratën e presidentit serb, me bindjen se Europa nuk do ta lërë vetëm Ballkanin as në këtë krizë, nga e cila është mbërthyer vetë.

“Ne nuk do ndalemi në plotësimin e çdo detyre, deri sa të hyjmë dhe të ulemi në dhomën e madhe të ndenjjes në shtëpinë e BE-së ku më në fund fëmijët tanë do të luajnë në të njëjtin kopsht të fëmijëve të mbarë Europës dhe ku më në fund eshtrat e rilindësve e të heronjve tanë do të prehen të qeta në varrezat e dëshmorëve të Europës”, do të shprehej kryeministri Rama, me nota idilike, duke përfunduar se derisa flamuri shqiptar të valëvitet mes anëtarëve rruga vazhdon e përpjetë dhe puna e madhe, ndërsa vendi pashmangshëm do të përfshihet nga pasojat ekonomike të shkaktuar nga koronavirusi dhe Bashkimi Europian me gjithë semaforët e çelur në ngjyrë të gjelbër, fizikisht i ka të gjitha dyert e mbyllura, për këdo.

 

 

 

 

 

 

 

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back