1

Çasti kur Amerika mbeti pas

               Publikuar në : 09:07 - 12/06/20 Jules Kortenhorst 

Jules Kortenhorst

Ndërkohë që qeveritë në mbarë botën miratojnë politika për të adresuar ndikimin e menjëhershëm ekonomik të COVID-19, ato po marrin vendime që do të përcaktojnë gjithashtu konkurrencën e vendeve të tyre për dekadat në vazhdim. Nëse projektohen si duhet, paketat stimuluese dhe ato të rimëkëmbjes mund t’i ndihmojnë vendet dhe rajonet të korrin përfitimet e industrive të së ardhmes.

Bashkimi Europian tashmë është i vendosur të vazhdojë para me Marrëveshjen e Gjelbër Europiane. Dhe Kina do të vazhdojë në mënyrë të pashmangshme avantazhet e saj konkurruese para-pandemike në energjinë diellore, automjetet elektrike (EV) dhe bateritë. Shtetet e Bashkuara, nga ana tjetër, po rrezikojnë gjithnjë e më shumë të mbeten pas.

Marrëveshja e Gjelbër Europiane është modeli i përsosur për hartimin e paketave stimuluese dhe të rimëkëmbjes për të krijuar avantazhe ekonomike të menjëhershme dhe afatgjata. Në planin afatshkurtër, investimet e propozuara të kësaj marrëveshjeje do të prodhonin shumë punë me pagë të lartë në infrastrukturën me energji të pastër, do të financonin vendosjen e më shumë paneleve diellore, stacione karikimi për automjetet elektrike, impiante të prodhimit të hidrogjenit dhe programe për të përmirësuar ndërtesat për efikasitetin e energjisë elektrike.

Më mirë akoma, për një periudhë afatgjatë, të gjitha këto investime do të rezultojnë në kosto energjitike më të ulëta, sisteme energjie më elastike dhe një popullsi më të shëndetshme – ndër përfitimet e tjera. Kostot e teknologjive të energjisë së pastër kanë rënë me shpejtësi të madhe. Me kalimin e kohës, do to të bëhen gjithnjë e më të lira dhe do të vendosen në një shkallë më të madhe.

Duke njohur këto avantazhe, përpjekjet për rimëkëmbjen e Europës kanë ndarë tashmë miliarda euro për të ndërtuar ferma diellore në Gadishullin Iberik dhe turbina me erë në det të hapur në Detin e Veriut. Kompani europiane si Vestas, Siemens Gamesa, dhe të tjerë do të bëjnë të gjithë punën e nevojshme. Dhe këto burime të zgjeruara të energjisë elektrike të rinovueshme do të përdoren më pas për të prodhuar molekulat e hidrogjenit që do të fuqizojnë industrinë e rëndë në të ardhme. Me caktimin e 40 miliardë eurove (45 miliardë dollarë) për investime në infrastrukturën e hidrogjenit, Marrëveshja e Gjelbër Europiane synon të garantojë që që transporti, prodhimi i çelikut dhe industri të tjera të mund të funksionojnë me karburant të pastër.

BE-ja ka ndarë gjithashtu fonde për vendosjen e dy milionë stacioneve për karikimin e automjeteve elektrike dhe atyre me hidrogjen, duke stimuluar kështu kërkesën për makina elektrike, të cilat mund të ndërtohen në vend nga kompani si Volkswagen, Mercedes dhe Renault. Në këto dhe mënyra të tjera, Europa po ndërmerr hapa domethënës për të arritur Kinën në aspektin e teknologjive të gjelbra.

Pastaj përsëri, nëse Kina do të prezantonte një paketë stimui dhe rimëkëmbjeje i të modeluar sipas Marrëveshjes së Gjelbër Europiane, ajo mund të shtrijë avantazhin e saj konkurrues në forma të tjera energjie të rinovueshme, lëvizshmërie elektrike dhe industrie që shfrytëzon hidrogjenin. Ashtu si në Europë, investimet në infrastrukturën e gjelbër do të hapin miliona vende të mira pune në planin afatshkurtër, ndërkohë që do të ulin ose frenojnë ndotjen e ajrit dhe emetimet e gazrave serrë për një afat të gjatë, edhe kur ekonomia kineze rritet. Ajri i pastër, rrugët e qeta dhe pamjet e virgjëra që u bënë një nënprodukt aksidental i karantinës për shkak të pandemisë mund të bëhen të përhershme me forma më të pastra energjie dhe transporti.

Ndryshe nga kjo, në SHBA, pavarësisht se qeveria federale ka ndërmarrë disa nga hapat e nevojshëm për të zbutur kolapsin afatshkurtër të ekonomisë, politikëbërësit kanë menduar shumë pak për të ardhmen. Kjo është arsyeja pse shumë nga industritë e pista të së kaluarës po nxirren nga balta.

Një dekadë më parë, mendohej se Amerika do të udhëhiqte të ardhmen e energjisë, sepse po i afrohej “pavarësisë energjetike”, për shkak të rezervave masive të naftës dhe gazit që tani mund të nxirren nëpërmjet shpimeve me ujë. Por ato industri tani janë në rënie strukturore. Kurbat e kostos janë të qarta: karburantet fosile nuk mund të konkurrojnë me zgjidhje më të lira, më efikase dhe me energji të pastër. Në të njëjtën mënyrë, EV-të do të bëhen më të lira dhe më të besueshme sesa motorët me djegie të brendshme, ashtu si hidrogjeni i gjelbër do të bëhet energjia e zgjedhjes për industritë e mëdha.

Duke parë përpjekjen e administratës së presidentit amerikan Donald Trump për të shpëtuar vendet e punës në minierat e qymyrit, më kujtohet puna ime e parë pas shkollës së mesme, kur punoja në një fabrikë makinash shkrimi në jug të Holandës. Imagjinoni nëse qeveria holandeze do të kishte vendosur për ndonjë arsye ta shpëtonte atë fabrikë kur kompjuterët personalë filluan të dilnin në treg në vitet 1980 dhe 1990. Do të kishte qenë njësoj si të investonte në një muze, jo në një industri të shëndetshme.

Ndërkohë që vendet e punës në industrinë e karburanteve fosile do të humbasin, do të krijohen shumë më tepër vende të reja pune për të prodhuar turbina me erë dhe bateri, për të instaluar panele diellore, për të ndërtuar makina elektrike, etj. Bota po bën kalimin në energji të pastër dhe ato vende që po mbështeten në teknologjitë e së kaluarës, po i groposin vetë ekonomitë e tyre.

Politikat e konstatuara industriale për të ndërtuar një infrastrukturë energjie të pastër do të bëjnë shumë mirë. Jo vetëm për njerëzit dhe planetin, por edhe për konkurrencën ekonomike të vendeve dhe prosperitetin e ardhshëm. Europa dhe Kina e kuptojnë këtë dhe tashmë janë në rrugën e duhur për t’u bërë liderët të ekonomisë botërore në dekadat e ardhshme. Ato po përdorin në mënyrë aktive paketat e tyre të rimëkëmbjes për ta shpejtuar këtë ndryshim historik. Në Europë, veçanërisht, brezat e ardhshëm do t’i admirojnë liderët e sotëm për hapjen e vendeve të reja të punës, uljen e ndotjes së ajrit dhe krijimin e një pozicioni ekonomik konkurrues për dekadat në vazhdim. Në SHBA, jo aq shumë.

 

Tags: , , , , ,


KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back