Aktualitet

Camaj, Koliqi dhe shërbimet sekrete

Shkruar nga Liberale
Camaj, Koliqi dhe shërbimet sekrete

Blerim Latifi

Për të ditur nëse Camaj ishte në shërbim të UDB-së, gjëja e parë dhe e fundit që duhet bërë është hyrja në arkivat e saj që ndodhen në Beograd, e të cilat Tare kurrë nuk i ka parë me sy. E vërteta ndodhet në ato arkiva. Derisa nuk kemi qasje në to, ne, ose duhet të heshtim, ose nëse nuk mund të heshtim, detyrohemi të futemi në botën e spekulimeve, të cilat i ushqejmë me burime informacioni të tërthorta ose të dorës së dytë e të tretë.

Është ditur qysh në krye të herës se Koliqi dhe Camaj kanë qenë armiq të regjimit komunist në Shqipëri. Jo vetëm të deklaruar, por edhe armiq të angazhuar. Camaj kishte ikur nga Shqipëria në kohën e prishjes së saj me Jugosllavinë, e cila ishte pasojë e prishjes midis Titos dhe Stalinit. Secili shqiptar që kalonte kufirin dhe futej në Jugosllavi përfundonte në duar e sigurimit jugosllav dhe për Camajn nuk mund të kishte tjetër fat. Dihet gjithashtu se UDB-ja planifikonte që të arratisurit nga Shqipëria t’i fuste në përdorim për qëllimet e luftës së saj propagandistike kundër regjimit të Enver Hoxhës. Se a përfundoi Camaj si një agjent i UDB-së, fragmentet e Tares nuk e provojnë një gjë të tillë.

Karriera akademike e Camajt në Beograd nuk mund të merret si dëshmi të punësimit të tij në UDB. Për një arsye themelore : regjimi i Titos, në dallim nga regjimi i Hoxhës, mundësonte që dikush të bënte karrierë akademike edhe pa qenë pjesë e strukturave politiko-shtetërore të Partisë Komuniste Jugosllave. Një gjë e tillë ka qenë e shprehur sidomos pas prishjes së Titos me Stalinin, kur në Jugosllavi u krijua një klimë më liberale, sidomos në fushën e kulturës dhe shkencës. Liberalizmi shkencor, kulturor e letrar i duhej Titos si instrument për të fituar mbështetje nga Perëndimi në kushtet e bllokadës prej blloku sovjetik. Nëse dikush përpiqej që këtë liberalizim ta shtrinte edhe në fushën e institucioneve politike, përfundonte prapa hekurave. Shembulli më i famshëm në këtë rast është ai i Milovan Gjilasit, njëri prej njerëzve më të afërt të Titos, i cili u përjashtua nga partia dhe më pas edhe u burgos për shkak të qëndrimeve të tij liberale dhe kritikës publike që i bënte ideologjisë komuniste.

Sa i përket rekrutimit në shërbimet sekrete, në shumë raste regjimi jugosllav nuk ka vepruar përmes rekrutimit të drejtpërdrejtë, por përmes rekrutimit indoktrinues. Ky do të thotë se një person fillimisht është indoktrinuar me besimet e regjimit dhe pastaj ai në mënyrë vullnetare është vënë në shërbim të tij. Mbase me Camajn kanë vepruar në këtë mënyrë, por largimi i tij në Itali dhe më pas në Gjermani na lë të kuptojmë se jugosllavizimi i ushtruar mbi të nuk ka pasur sukses. Martesa e Camajt me një studente serbe është një dëshmi më shumë se Camaj ishte vënë në ingranazhin e jugosllavizimit. Studentja Nina, me të cilën Camaj u martua, ishte motra e Dimitrije Bogdanoviçit, një historian serb i periudhës mesjetare të Ballkanit.

Pas vitit 1966, kur ndodhi rënia e Rankoviçit, përfaqësuesi më lartë serb në kupolën e pushtetit jugosllav, Bogdanoviçi, sëbashku me shumë intelektualë serbë, u kthye në pozicione të nacionalizmit serb. Nga viti 1966 e tutje Dimitrije Bogdanoviçi u shndërrua në njërin nga zërat më të njohur të nacionalizmit historiografik serb. Ai së bashku me shumë të tjerë rigjallëruan mitet serbe mbi Kosovën, Mitin e Betejës së Kosovës të vitit 1389, Mitin e Kosovës mesjetare pa shqiptarë, Mitin e ardhjes së shqiptarëve në Kosovë pas vitit 1689 me ndihmën e Perandorisë Osmane dhe kryemitin e viktimizimit shekullor të popullit serb nga shqiptarët e Kosovës. Për kontributin e tij Bogdanoviçi, në moshë relativisht të re, arriti të bëhej pjesë e Akademisë Serbe të Shkencave, e cila një pjesë të kontributit të tij e përfshiu në Memorandumin e saj të vitit 1986, një pamflet pseudoshkencor, që shërbeu si bazë teorike për regjimin e Milosheviçit. Ndarja e Camajt nga gruaja e tij serbe ndodhi pikërisht në kohën kur vëllai i saj u radikalizua. Kjo mund të ketë ndodhur edhe për shkaqet që lidhen me këtë zhvillim. Sidoqoftë, fjalën përfundimtare për këtë duhet ta thonë ata që do të marrin mundimin për të shkruar biografinë dokumentare të Camajt.

Jugosllavizimi i shqiptarëve që iknin nga Shqipëria ka qenë vetëm njëra nga metodat e përdorura nga UDB-ja. Ka ekzistuar edhe një plan më i gjërë për infiltrimin e shërbimeve sekrete jugosllave në të gjithë emigracionin shqiptar antikomunist. E gjithë kjo përpjekje bëhej me qëllim që në rast të një konflikti midis Shqipërisë dhe Jugosllavisë, të nxitur nga Moska, të krijohej një forcë shqiptare e cila do të rreshtohej në frontin kundër regjimit enverist. Në fillim të viteve 60 të shekullit XX, kur rreziku i një agresioni sovjetik mbi Jugosllavinë kishte kaluar dhe vetë Shqipëria ishte prishur me Moskën, Tito hoqi dorë nga aktivitetet e infiltrimit të shërbimeve sekrete në emigracionin shqiptar. Se cila ka qenë shkalla e efektshmërisë së këtij infiltrimi dhe cilët kanë qenë personalitetet që kanë rënë në rrjetin e tij, këtë mund ta dimë vetëm atë ditë kur arkivat e UDB-së do të jenë në dispozicionin e hulumtuesve profesionistë.

Një gjë dihet me siguri, emigracioni shqiptar antikomunist në masën dërmuese të tij përbëhej nga nacionalistë, të cilët nuk ishin vetëm antienveristë, por gjithashtu edhe antijugosllavë. Nacionalistët shqiptarë që pas fitores së komunizmit në Shqipëri u larguan nga vendi, në kritikën e tyre ndaj komunizmit shqiptar e theksonin vazhdimisht idenë se ky komunizëm ishte pjellë e komunizmit jugosllav. Camaj dhe Koliqi natyrshëm i takonin kësaj pikëpamjeje. Pra, logjikisht, ata nuk mund të vepronin kundër regjimit komunist të Tiranës duke qenë në shërbim të regjimit komunist të Beogradit. Në këtë kontekst nuk mund të përjashtohet mundësia që ata ishin në shërbim të agjencive të inteligjencës të vendeve perëndimore, të cilat krahas aktiviteteve diversante kundër regjimeve komuniste, angazhoheshin edhe në atë që njihet si “Lufta e ftohtë në fushën e kulturës”. Përplasja midis Perëndimit kapitalist dhe Lindjes komuniste, në thelbin e saj, e kishte edhe komponentën ideologjike. Kjo gjë nënkuptonte që mekanizmat e të dy kampeve ideologjike përpiqeshin t’i përfshinin në radhët e tyre intelektualët, shkrimtarët, artistët, njerëzit e letrave në përgjithësi.

Në vitin 2013 Universiteti i Princeton-it kishte botuar një seri raportesh të CIA-s në të cilat shihet se si tre filozofë të njohur të Shkollës së Frankfurtit, Franz Neumann, Herbert Marcuse dhe Otto Kirchheimer, gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe pas saj, kishin punuar në shërbimet e inteligjencës amerikane, në funksion të luftës së tyre kundër nazizmit dhe më pastaj edhe kundër komunizmit. Të tre këta filozofë i përkisnin rrymës filozofike të njohur si marksizmi perëndimor.

Ekziston edhe një rast tjetër edhe më i njohur. Në vitin 1950 në Berlinin perëndimor u krijua Kongresi i Lirisë Kulturore. Ky forum tubonte emra të njohur të filozofisë dhe shkencave sociale, të cilët mbanin konferenca, simpoziume dhe publikonin artikuj e vepra, përmes të cilave zhvillonin një kritikë sistematike ndaj ideologjisë komuniste të bllokut sovjetik. Ndër emrat që u angazhuan në aktivitetin e këtij forumi ishin filozofët e njohur Karl Jaspers, Raymond Aron, Bertrant Russell, John Dewey Benedetto Croce, Sidney Hook, Alfred Ayer, Richard Lowenthal, pastaj historiani Arthur Schlesinger, e shumë të tjerë. Vite më vonë u morr vesh se ky forum ishte themeluar dhe financohej nga CIA.

Ka pasur edhe forma të tjera përmes të cilave CIA dhe shërbimet tjera të inteligjencës perëndimore përpiqeshin që intelektualët t’i hidhnin në luftën e ideve kundër ideologjisë komuniste. Camaj dhe Koliqi mund të kenë qenë pjesë e këtyre përpjekjeve. Kjo nuk përbën njollë në biografinë e tyre. Njollë do të përbënte nëse ata do të angazhoheshin në shërbime që kishin qëllime antishqiptare. Deri me tani nuk kemi dëshmi të kësaj natyre. Dëshmitë që kemi na tregojnë se Camaj dhe Koliqi, derisa vdiqën, punuan vazhdimisht për afirmimin e vlerave kulturore të kombit të tyre. Ky fakt dëshmon se ata nuk mund të ishin pjesë e lojërave të fshehta të luheshin në kurriz të kombit shqiptar, edhe pse regjimi komunist i Tiranës secilin shqiptar që fliste kundër tij përpiqej ta damkoste si tradhtar të kombit. E njëra nga format më të shpeshta të damkosjes ka qenë pikërisht etiketimi i tyre si bashkëpunëtor të UDB-së.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH