Aktualitet

Cakaj e krahasoi Vuçiçin me ministrin e Hitlerit, reagon Serbia

Shkruar nga Liberale
Cakaj e krahasoi Vuçiçin me ministrin e Hitlerit, reagon Serbia

Ministria e Punëve të Jashtme të Serbisë i ka dërguar një notë proteste Ambasadës së Shqipërisë në Beograd, ku ka kritikuar fjalët e ministrit të Jashtëm në detyrë të Shqipërisë, Gent Cakaj, i cili e krahasoi presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, me politikanin nazist gjerman, Paul Joseph Goebbels.

Goebbels drejtonte Ministrinë e Propagandës dhe ishte një prej bashkëpunëtorëve më të afërt të Adolf Hitlerit.

Në letrën e protestës thuhet se deklarata të tilla nuk kontribuojnë në përmirësimin e raporteve Beograd-Tiranë, ndërkohë presin nga Republika e Shqipërisë që të distancohen nga deklarimet e Cakajt.

“Ministria e Punëve të Jashtme të Republikës së Serbisë shpreh respektin e saj ndaj ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Beograd dhe shpreh protestën më të ashpër me rastin e deklaratës së turpshme të Ushtruesi të Detyrës së Ministrit për Evropë dhe Punë të Jashtme, Gent Cakaj, i cili presidentin e Republikës (Serbisë) e krahason me Goebbelsin. Deklarata të tilla në asnjë formë nuk i kontribuojnë përpjekjeve që jemi duke i bërë për avancimin e raporteve të dy vendeve tona dhe marrëdhënieve të përgjithshme në rajon. MPJ e Serbisë pret që Shqipëria t’i dënojë këto deklarata dhe të distancohet nga to. MPJ e Serbisë shfrytëzon këtë rast që Ambasadës së Shqipërisë t’ia ritheksojë respektin e lartë”, thuhet në letër të dërguar më 7 dhjetor 2019, një ditë pas deklaratës së Gent Cakajt.

Kujtojmë që deklarata e Cakajt erdhi pas mohimit që Vuçiç i bëri Masakrës së Reçakut, në Koosvë. Në një postim në Twitter, Cakaj e cilësonte këtë veprim të presidentit serb si skandaloze dhe e dënueshme.

“Joseph Goebbels i propagandës së Millosheviqit tani është shndërruar në kampion të mohimit, nënvlerësimit dhe talljes me krimeve të luftës. Skandaloze! Aktorët ndërkombëtarë duhet t’i dënojnë veprat e tilla përbuzëse dhe shtrembëruese të së vërtetës që i fyejnë viktimat dhe përpjekjet e pajtimit. Masakra e Reçakut nuk do të harrohet kurrë!”, shkruante Cakaj./Gazeta Liberale

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH