Aktualitet

Budini, një libër për dy pushtetet, median dhe politikën

Shkruar nga Liberale

Ndikuesit, libri më i ri i studiueses dhe Dekanes së Fakultetit të Shkencave Humane, Edukimit dhe Arteve Liberale në UET u promovua dje në një event që bëri bashkë njerëz të medias dhe studentë të komunikimit

Raporti i medias dhe pushtetin është një ndër raportet më të rëndësishme për të kuptuar një shoqëri. Belina Budini, studiuese e shkencave të komunikimit dhe Dekane e Fakultetit të Shkencave Humane, Edukimit dhe Arteve Liberale në UET, vjen për lexuesit me librin më të ri. “Ndikuesit” quhet botimi i ardhur nga UET PRESS i cili bëri bashkë njerëz të medias dhe studentë të komunikimit në UET në promovimin e organizuar dje në sallën Aula Magna në Universitetin Europian të Tiranës. Selami Xhepa, presidenti i UET, Prec Zogaj presidenti i Institutit Europian Pashko, Botuesi Henri Cili, Artur Zheji, Eni Vasili, Alda Bardhyli vlerësuan kontributin e Budinit si tepër të vyer për studimet shqiptare. Më poshtë po botojmë hyrjen me të cilën Budini shoqëron këtë studim.

Pse gazetarët përballë politikanëve?

Belina Budini

Edhe pse janë politikanët ata që zakonisht dalin në plan të parë, në pozicionimin e tyre përballë gazetarëve, për këtë libër kam ndjekur skemën e anasjellë, duke vështruar më nga afër pikërisht këta të fundit. Referuar praktikës së fotografisë dhe televizionit, një plan i afërt merret nga një distancë shumë e ngushtë prej subjektit dhe mundëson një pamje ose paraqitje të detajuar dhe të ngultë të tij. Kjo mund të mos jetë pamja që nxjerr në dritën më të favorshme një figurë publike, edhe pse, të tunduar nga impulsi protagonist, në shumë raste, gazetarët e kanë kthyer kah vetja fokusin e kamerave dhe planet-detaj, jo vetëm drejt politikanëve.

Mirëpo, në marrëdhënien me politikanët, gazetarët mbeten më pak dhe më larg të vështruar, edhe pse shfaqen shpesh në rol protagonisti. Studimet e fundit, gjithsesi, po i konsiderojnë gjithnjë e më tepër gazetarët dhe mediat si aktorë të mirëfilltë politikë, qoftë kur janë përballë politikanëve, qoftë kur janë përkrah tyre. Në kontekstin shqiptar ka edhe më tepër arsye për t’i shqyrtuar këto pozicione, ndërsa rolet mes tyre ndodh që edhe të këmbehen. Literalisht. Në studio ka gazetarë që vijnë nga mjedisi politik, ashtu sikurse ka edhe politikanë që vijnë nga mjedisi mediatik. Megjithatë, nuk mungojnë as “gazetarët” që janë më “politikanë” se vetë politikanët.

Roli politik i gazetarëve, nën dritën e prozhektorëve apo në kulisa, meriton më tepër të vrojtohet nga afër në kontekstin e vendit tonë, ndërsa pikëpamjet denigruese për gazetarët mbizotërojnë të folmet e politikanëve, shpesh edhe të vetë gazetarëve. Rrjedhimisht, edhe të opinionit publik në tërësi. Gazetarët, së bashku me politikanët, janë nga aktorët publikë më të përfolur. Më së shumti në terma negativë, por duke zënë një vend qendror në hapësirën publike, në sajë të një “aleance” shumëvjeçare, tanimë me politikën, në rolin e ndikuesve të opinionit publik. Perceptimet e mësipërme më kanë intriguar ta kthej vështrimin nga mediat dhe vetë gazetarët në radhë të parë, për të trajtuar “kultivimin” e marrëdhënieve të tyre me politikën dhe politikanët, përmes ligjërimit. Më kanë shërbyer për këtë qëllim intervistat e zhvilluara me disa nga gazetarët me ekspozim më të lartë publik, përgjithësisht drejtues emisionesh ose analistë e komentatorë të rregullt dhe njerëz të ekranit. Një pjesë të mirë të këtyre intervistave i kam zhvilluar gjatë Forumeve të Universitetit Europian të Tiranës, po ashtu edhe në Klubin e Komunikimit “McLuhan”, pranë Departamentit të Shkencave Humane dhe Komunikimit. Një pjesë tjetër janë realizuar si intervista të strukturuara, të cilave u janë përgjigjur me shkrim, dhe në pak raste janë kombinuar të dyja praktikat, ndërsa fokusi ka qenë i njëjtë, përgjithësisht te çështjet e pushtetit, ndikimit dhe marrëdhëniet e gazetarëve me politikanët.

Ndikuesit, përplasja e identiteteve

Pyetja e vjetër se çfarë roli luajnë gazetarët, kërkon gjithnjë një përgjigje të re. Aq më tepër, pyetja identitare se kush janë ata përballë politikanëve. Megjithë traditën e gjatë të kërkimeve rreth identitetit dhe rolit të gazetarëve në vende të ndryshme, në vendin tonë mungojnë jo vetëm botimet apo studimet në lidhje me këtë temë, por edhe përqasjet profesionale dhe diskutimet publike rreth tyre.

Një përballje e tillë bëhet e domosdoshme në kushtet kur gazetarët dhe politikanët shfaqin protagonizëm të lartë publik dhe kanë rol proaktiv në formimin e opinionit publik. Hetimi i marrëdhënieve të tyre merr edhe më tepër rëndësi kur flitet për një vend me institucione të brishta dhe pa ndonjë përvojë të konsoliduar demokratike. Në një kontekst të tillë, aktorët shfaqen më të rëndësishëm edhe sesa vetë strukturat dhe shpesh shihen si omnipotentë.

Edhe pse tabloja e pushtetit në Shqipëri dominohet dukshëm nga politikanët, pasuar nga biznesmenët, gazetarët gjenden shpesh në të njëjtin kompleks, së paku si agjentë të pushtetit publik me natyrë simbolike. Sesi i japin ata kuptim politikës së ditës, lidhet ngushtë me mënyrën sesi ata pozicionohen profesionalisht përkundrejt aktorëve politikë. Është ky raport ose dijenia e gazetarëve mbi këtë raport, që përcakton edhe rolin apo identitetin profesional të gazetarit. Ndaj, vlen të merret në studim këndvështrimi i vetë gazetarëve, për të kuptuar sesi i ndërtojnë identitetet e tyre profesionale përballë politikanëve. Ky rol apo ky identitet nuk mund të thuhet se ekziston në vetvete si esencë apo realitet i brendshëm. Kuptimi për to nuk mund të përftohet duke iu referuar të vetëndjerit të tyre, por artikulimit publik për këto role nga vetë gazetarët. Ligjërimi publik shihet kësisoj si lokusi i tyre.

Mjafton, pra, jashtësia e akteve të tyre si edhe artikulimet publike për to, për të parë se çfarë gazetarësh kemi përballë politikanëve në Shqipëri. Rrëfenja, përmes së cilës agjenti e interpreton dhe justifikon së brendshmi një akt publik, mund të shihet si paraqitje pas një maske mashtruese, sikurse sugjeron Slavoj Zizek. Në këtë kuptim, versioni i brendshëm, intim, në formën e kujtimeve apo ditarëve të personalizuar, nuk ka pse të marrë vlerë më të lartë sesa versioni i jashtëm i marrëdhënieve mes gazetarëve dhe politikanëve. Ky i fundit reflektohet në aktet dhe në ligjërimet publike të tyre. Sikurse shprehet Zizek, “Përvoja që kemi për jetën tonë nga brenda, historia që ne i tregojmë vetes për veten tonë në mënyrë që të shpjegojmë se çfarë po bëjmë, është fundamentalisht një gënjeshtër. Përkundrazi, e vërteta shtrihet jashtë, në veprimet tona, në atë që bëjmë”.

Kjo nuk do të thotë se gazetarët nuk kanë mundësi të vetëpohohen. Përkundrazi, vetidentifikimi është thuajse një detyrim në rastin e gazetarëve si agjentë publikë dhe aq më tepër përballë politikanëve. Beteja simbolike për vetëkonfirmim nga ana e të dyja palëve zhvillohet në termat e ligjërimit ose të folurit publik. Në këtë kuptim, merr rëndësi të veçantë mënyra sesi flitet për gazetarët, si etiketohen ata nga agjentët e tjerë publikë, si edhe nga politikanët. Po kështu, me vlerë është të shihet edhe si flitet në publik për gazetarët dhe gazetarinë nga vetë gazetarët. Sikurse shprehet Zigmund Bauman, “Nevoja për t’u bërë çka dikush është, përbën edhe karakteristikën dalluese të jetës moderne”, gjë që thekson në rastin e gazetarëve nevojën apo detyrimin që edhe vetë ata ndiejnë për t’u futur në rol ose për të vetëndërtuar identitetet e tyre përmes ligjërimit. Në venën e “modernitetit të lëngët”, propozohet ideja e një “vetëvendosjeje të pandalshme dhe të detyruar”, që nënkupton për aktorët publikë vetidentifikimin e detyruar përballë njëri-tjetrit.

Kjo është edhe pyetja e parë që shtrohet në këtë libër: Si vetëpozicionohen gazetarët dhe mediat në Shqipëri përballë politikanëve? Në çfarë kapaciteti apo cilësish dalin ata si aktorë pushteti dhe me çfarë dobie për hapësirën publike në një kontekst demokratizues të saj? Si e paraqesin ata veten dhe profesionin e tyre në narrativën publike? Për t’iu përgjigjur këtyre pyetjeve, si edhe për të analizuar gjuhën e vetidentifikimit, më kanë shërbyer intervistat me gazetarët si: Blendi Fevziu, Fatos Lubonja, Mustafa Nano, Baton Haxhiu, Preç Zogaj, Ilva Tare, Sokol Balla, Adi Krasta, Armand Shkullaku, Mero Baze, Eni Vasili, Andi Bejtja etj.

Nga ana tjetër, gazetarët dhe politikanët paraqesin një lloj ambivalence për sa u përket identiteteve të tyre. Ata shihen si të ngjashëm dhe shpesh perceptohen si komunitete profesionale, që ndajnë vlera të njëjta. Shkëmbimet e roleve mes tyre nuk janë të rralla, ndaj lind nevoja e diskutimit për to në kontekstin e krizës identitare të figurës së gazetarit përballë shndërrimeve të vazhdueshme të mjedisit rreth tij, në përpjekje për të mbijetuar dhe përshtatur me të. Identitetet profesionale në kushtet e modernitetit të vonë, sipas studiuesve të sotëm, nuk paraqiten më si të unifikuar, stabël ose të përhershëm, por në ndryshim të vazhdueshëm. Paqëndrueshmëri të tilla e bëjnë kërkimin rreth rolit të gazetarit përballë atij të politikanit jo aq të thjeshtë, por gjithaq të dobishëm, për sa kohë që ky është edhe synimi, sipas Lyotard-it, i shkencës postmoderne, pra, që ajo të kërkojë paqëndrueshmëritë.

Po kështu, të ndryshueshme paraqiten jo vetëm identitetet e gazetarëve dhe politikanëve në kushtet e shkëmbimeve ose marrëdhënieve të ndërsjella mes tyre, por edhe rolet brenda vetë komunitetit profesional të gazetarëve. As ata vetë nuk kanë pse të shihen “të lindur” apo të ngurtësuar në rolet e tyre. Evoluimi ose zhvillimi i roleve të tyre është një trajektore shpesh e ndërlikuar, jolineare dhe me ulje-ngritjet e veta. Mënyra sesi ato u përgjigjen sfidave të mjedisit mediatik, të tilla si zhvillimet e mediave të reja, presionit të audiencës, konkurrencës, përcakton shpesh rolet që ata luajnë. Faktorët ekonomikë dhe politikë janë gjithashtu një arsye se përse shpesh gazetarët nuk gjenden në kushtet më të favorshme për të zgjedhur lirisht rolet që duhet dhe mund të luajnë. Gazetarët si individë nuk janë, pra, të izoluar, pavarësisht vullnetit të lirë dhe aftësisë për t’u vetëndërtuar, as nga “sfidat sistemike” ose “kundërshtitë sistemore”, sikurse i quan Ulrich Beck. Ndërkaq, “rreziqet dhe kundërshtitë vazhdojnë të jenë prodhime shoqërore; vetëm detyra dhe nevoja për t’ua dalë mbanë atyre janë individualizuar”, sipas Bauman-it.

Mirëpo, duke vijuar në venën e kritikës së sistemit, gazetarët, ashtu sikurse edhe aktorët e tjerë shoqërorë, nuk mund të shihen vetëm si individë që duhet dhe mund të zgjedhin apo të ndërtojnë vetë rolin e tyre, pasi njëkohësisht do të duhet të përmbushin edhe rolet që “u janë caktuar” të luajnë. Sfida bëhet e dyfishtë atëherë për gazetarët, sikurse për çdo aktor shoqëror, që jo vetëm duhet të zgjedhë dhe të ndërtojë vetë rolin e tij, por edhe të përmbushë atë rol që i është caktuar të luajë. Kundërshtia është e hapur. Të zgjedhësh një rol profesional në kushtet e sfidave të tilla sistemike, ku nga një anë janë pronarët, interesat e lidhura me politikën, dhe, nga ana tjetër, presioni i konkurrencës së mediave të tjera dhe teknologjisë së re, por dhe audiencës me tiparet e saj socio-kulturore, është ekuilibër i vështirë për t’u ushtruar.

Në këtë drejtim, në analizat e tij kritike, Lubonja e ka parë trinomin media-politikë-biznes si përgjegjës për komprometimin e mediave përballë dy pushteteve të tjera, duke e konsideruar të rrezikshëm për lirinë e fjalës faktin që pronarët e bizneseve, të cilët marrin tenderë dhe troje ndërtimi nga lidhjet me pushtetin politik dhe vendor, kanë në dorë edhe median shqiptare. Sipas tij: “Përdorimi i mediave për interesa private pronarësh ngre problemin e pabarazisë edhe të bizneseve me njëri-tjetrin, por, mbi të gjitha, të qytetarit të thjeshtë përpara biznesmenit pronar mediash”. Në një artikull që shtron pyetjen “Cili është roli i gazetarit?”, ndërsa ilustron lidhjet media-politikë-biznes, Lubonja shkruan se “gazetari duhet të jetë një personalitet që duhet të ketë vizionin e tij mbi botën, ndjeshmëritë e tij shoqërore, por njëherësh pavarësinë e tij nga pushteti, qoftë politik, qoftë financiar”.

Sesi i kumtojnë rolet e tyre gazetarët përkundrejt politikanëve, është me interes të shihet në vijim. Si e kuptojnë ata pozicionin e tyre përballë politikanëve? Përplasja ose fërkimet identitare mes tyre, sjellin më shumë pavarësi profesionale apo më tepër simbiozë ose mbivendosje? Cilat janë narrativat e tyre për marrëdhëniet e mediave me politikën në praktikë dhe si mund të evoluojnë rolet e tyre në kushtet e mediave të reja?

Këtyre pyetjeve u përgjigjen kapitujt në vijim, duke nisur nga shqyrtimi i mëtimeve të vetë gazetarëve për profesionin e tyre, në kapitullin e dytë. Po kështu, shqyrtohen edhe disa modele të vendeve të tjera dhe do të përvijohen krahasime me kontekste demokratike të avancuara dhe perspektiva për vijimësinë. Në përmbyllje, kapitulli i fundit do të jetë në formën e një epilogu për të përvijuar një trajektore ose perspektivë historike të roleve të gazetarëve në Shqipëri, duke qëmtuar në polemikat e mes gazetarëve dhe politikanëve në vitet ’30, të cilat ngjajnë shumë me të sotmet, pavarësisht distancës në kohë. Synimi i kësaj pranëvënieje është së fundmi që të projektohet jo vetëm një plan-detaj, por edhe një plan më i largët i “binomit” gazetar-politikan, për të kuptuar se çfarë rolesh kanë mbizotëruar ose janë shfaqur në periudha të caktuara historike dhe çfarë përvijimesh mund të përftohen për të ardhmen, nisur edhe nga linjat kryesore të periudhës aktuale./Gazeta Liberale

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH