Aktualitet

Brataj: Të dyshuarit me Covid të marrin vetëm mjekim simptomatik

Shkruar nga Liberale
Brataj: Të dyshuarit me Covid të marrin vetëm mjekim simptomatik

I ftuar në edicionin qendror të lajmeve në “Vizion Plus”, drejtori i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj theksoi se situata në vendin tonë ndodhet nën kontroll, duke mohuar akuzat e shumta të opozitës që spitalet COVID po shkojnë drejt kolapsit.

Sa iu përket të dyshuarve me COVID, Brataj tha se duhet të trajtohen në fazën e parë vetëm me mjekim simptomatik: paracetamol, vitamina dhe lëngje.

“Tamponi është diagnostikues, nuk ndikon fare as në prognozë as në ecurinë e sëmundjes. Një person që bën tamponin është i dyshuar, ose ka shenja. Përderisa i bëhet tamponi, konsiderohet i sëmurë. Në momentin që i bëhet tamponi, duhet të izolohet dhe të mjekohet për fazën e parë. Kjo fazë është 5 deri në 7 ditë dhe duhet të bësh vetëm mjekim simptomatik. Nuk duhet të marrë antivirale, thjesht paracetamol, vitamina, lëngje”, tha Brataj.

I pyetur pse nuk ka një protokoll mjekësor të unifikuar, Skënder Brataj sqaroi se nuk ka një trajtim specifik për Covid.

“Gjithë bota nuk ka protokoll. Kemi udhëzues. Një mjekim etiologjik për Covid-in nuk ka. Një antiviral mendohet që ndihmon. Kjo sëmundje ka një mjekim simptomatik. Sa i përket mënyrë së trajtimit, çdo njeri ka një eksperiencë të vetën. Janë medikamente të autorizuara”, deklaroi ai.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH