Aktualitet

Brataj: Infektimet ditore deri në 1 mijë, masa të tjera shtrënguese

Shkruar nga Liberale
Brataj: Infektimet ditore deri në 1 mijë, masa të tjera

Situata nga epidemia pritet të përkeqësohet edhe më tepër. Me fillimin e dimrit, specialistët parashikojnë rritje të infektimeve, të shtrimeve në spital e ndoshta dhe humbjeve të jetës.

Kreu i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj, deklaron se në dhjetor numri i të infektuarve mund të arrijë 1 mijë raste në ditë.

“Nga 700-800 raste të ditëve të fundit, do të kemi një rritje 20-30% të rasteve ditore dhe shtrimeve në spital. Dimri, temperaturat e ulëta, lagështia e ajrit dhe qëndrimi në ambiente të mbyllura janë favorizues të përhapjes së virusit”, tha Brataj për A2.

Përfaqësuesi i Komitetit Teknik shprehet i rezervuar në lidhje me masat e tjera që mund të merren për të parandaluar përhapjen e virusit, por si ekspert, Brataj nuk nguron të deklarojë nevojën për të aplikuar kufizimet e tjera, si në orare ashtu dhe në aktivitete të ndryshme.

“Nevojiten kufizime të tjera. Qytetarët duhet të ndërgjegjësohen të zbatojnë rregullat, nëse nuk do të kontrollohet infeksioni do të ketë masa të tjera, kufizime të orareve dhe masa siç po aplikojnë vendet e tjera të botës”, tha Brataj për A2.

Në tri spitalet Covid janë të shtruar 490 pacientë, ndërkohë ministria e Shëndetësisë ka vënë në zbatim skenarin e radhës, duke hapur COVID 4.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH