Këtë vit shkollor në banka janë ulur 17 543 nxënës më pak.
Rënia më e thellë e nxënësve ndihet në arsimin 9 vjeçar. Krahasuar me vitin e kaluar mungojnë 11 146 fëmijë të moshës shkollore 6-15 vjeç. Në shkollat e mesme numri është ulur me 6.400 gjimnazistë.
Këto janë të dhënat e Ministrisë së Arsimit deri më tani që ka siguruar Top Channel, por mendohet që mungesa të jetë edhe më e lartë, pasi muajt e fundit ka pasur edhe nxënës që e kanë nisur dhe e kanë lënë shkollën në gjysmë, për të emigruar.
Pavarësisht se mungon transparenca e plotë, ë të gjithë Shqipërinë përgjatë këtij viti shkollor janë regjistruar në arsimin parauniversitar rreth 346 mijë nxënës, kur vitin e shkuar ishin 363 mijë.
Brenda 3 viteve shkollore nga 2020-2021 deri në vitin 2022-2023 numri i nxënësve është ulur përafërsisht me 45 mijë. Rënia më e madhe vjet ishte aj në gjimnaze, me 17 813 nxënës më pak se në vitin shkollor 2020-2021.
Ndërsa në tre dekada ndryshimi është edhe më i dukshëm. Sot shihet përgjysmim i klasave, në raport me vitin ’91 kur në shkollat tona, edhe pse lamë pas një nga periudhat më të errëta politike, kishte 687 mijë nxënës të ulur në banka.
Ekspertët besojnë se fenomeni lidhet me bashkimet familjare, kryesisht në Gjermani. Shqiptarët që punojnë prej vitesh në emigracion, ndryshe nga vështirësitë e viteve të para të demokracisë, tashmë e kanë më të lehtë të tërheqin pjesën tjetër të familjes. Madje ata besojnë se duke i rritur fëmijët në perëndim, ata mund të marrin një kulturë dhe të ardhme ndryshe nga ajo që premton vendi i tyre i origjinës.
E ndërsa shqiptarët mendojnë kështu, duket se askush nuk shqetësohet për të gjetur një zgjidhje sesi mund të ndryshohet ky trend që të mund të frenohet eksodi i largimit masiv.