Aktualitet

Botimi i UET PRESS/ Laura Konda për Natasha Lakon: Me librin e ri me ese, është ngjitur më lart në krijimtarinë e saj

Shkruar nga Liberale

Gazetarja e njohur e Zërit të Amerikës, si edhe përkthyese e poezive të Natasha Lakos në gjuhën angleze flet mbi librin më të ri të poetes, “Njeriu si një tjetër”, botuar nga UET PRESS,  ku shfaqet si kritike letrare. Sipas Laura Kondës, Lako është ngjitur më lart në krijimtarinë e saj

Natasha ka qenë poetja ime e preferuar në vitet ’70, kur ajo botoi vëllimin e saj të parë me poezi, që jo rastësisht pati redaktor Ismail Kadarenë. (Shkrimtari ynë i madh mori përsipër redaktimin e poezive të një poeteje të re, për vetë faktin se ajo ishte mjaft premtuese.)

Natasha u bë një nga zërat e lirë dhe plot freski të poezisë shqipe, ajo është përfaqësuesja më e hershme dhe e denjë e poeteve shqiptare. Pa harruar në asnjë çast Musine Kokalarin, shkrimtaren tonë të parë, që ishte edhe poete, por fatkeqësisht talenti i saj u shua për shkak të persekutimit nga regjimi që i mohoi asaj edhe të drejtën e botimit.

Me Natashën, letërsisë shqipe i erdhën një varg poetesh të tjera, sot me peshë  në letrat shqipe, e kam fjalën për ato të Shqipërisë, si Mimoza Ahmeti, Luljeta Lleshanaku, Flutura Açka, Rita Petro, Entela Tabaku, Ledia Dushi…Por Natasha mbetet e para.

Poezia e Natashës është një poezi moderne, e pasur me figuracion dhe tepër e thellë, deri në filozofi. Ajo e shpreh universin e  saj shpirtëror sa të komplikuar aq edhe të thjeshtë, sa delikat aq edhe të fuqishëm, nëpërmjet heroit lirik të poezisë. Me kalimin e viteve poezia e Natashës është bërë gjithmonë e më tepër një poezi filozofike. Në poezinë e saj dallon menjëherë notat femërore. Vetë autorja thotë me modesti se “nëse ka ndonjë meritë brenda tyre (poezive), e para është se ato dallohen që një orë larg, që janë vargje femërore”.

Kohët e fundit, unë jam marrë me përkthimin në anglisht të poezive të Natashës dhe kam pasur rastin t’i njoh edhe më mirë poezitë e saj.  Ato janë të shkruara me ndjeshmëri të lartë e shumë art, saqë kur i lexon të marrin me vete e të çojnë në hapësira dhe botë që shpesh shfaqen si vegime.

Me një bagazh të pasur poetik, pasi ka botuar 8 libra me poezi, pa përmendur romanin dhe një numër të madh skenarë filmash, Natasha sjell tani botimin e ri me pamflete, një zhanër krejt i ndryshëm. Pra kemi një kalim të saj nga poezia te eseja, që unë do ta quaja edhe një kritikë e mirëfilltë letrare, pa iu larguar për asnjë çast poezisë.

Ajo analizon mbi baza krahasuese poetë, të letërsisë shqipe e asaj botërore, të cilët në pamje të parë mund të ngjajnë mjaft të ndryshëm, por në fakt kanë shumë të përbashkëta mes tyre. Një analizë krahasuese interesante është ajo për Migjenin dhe Fishtën. Po lexoj një fragment:

“Tremb” dhe “trondit” nuk janë aq larg në kuptimësi, si në krijimtarinë e Gjergj Fishtës, edhe në atë të Migjenit.

Në krijimtarinë e Migjenit, pothuaj, nuk ka ëndrra, dhe kjo tremb. Le të kujtojmë këtu “Poemën e mjerimit”, që deri te një shpërbërje trupore të kujton rrathët e ferrit. Arti i Fishtës me veprën e tij madhore “Lahuta e Malësisë”, në rrugën e eposit verior, shkëputet nga forca tronditëse e jetës së përditshme për të krijuar një aventurë lirie, gati kalorësiake, si thyerje e zinxhirëve të një dite të robëruar.

Ai shekull, që për Migjenin e lindur 40 vjet pas Fishtës mbetet i ri, bëhet i zi për Fishtën në muzgun e moshës dhe të lavdisë së tij të prajshme. Të dy kthehen në një prag të vetëm artistik për shqiptarët që ndodhen para tragjedive të reja botërore.”

Një analizë, apo kritikë letrare e mirëfilltë, që Natasha Lako ka aftësinë ta prezantojë kaq bukur në formën e një pamfleti.

Është gjithashtu interesante analiza që Natasha bën, duke gjetur të përbashkëtën në art midis një poeti e një kompozitori. Për këtë, ajo analizon poetin tonë të madh Ndre Mjeda, duke e krahasuar atë me kompozitorin finlandez Jan Sibelius. Ata kanë pasur jetë aq të ndryshme, por  i bashkon muzikaliteti i lartë, njëri në poezi e tjetri në simfonitë muzikore.

Gjithashtu do doja të lexoja edhe një fragment nga analiza krahasuese midis Naim Frashërit dhe Uollt Uitmanit:

“Uollt Uitman, - thotë Natasha,- punon njësoj si ata piktorët që e shpërthejnë temën e tyre, duke krijuar një gjithësi të papërseritshme dhe duke krijuar një leksik jashtëzakonisht të pasur dhe përtëritës.

Ndërsa, Naimi, diejt e tij të vegjël i shpërndan deri në tekstet shkollore, me misionin e madh të një gjuhe të pauzurpuar.

Të dy panteistë sa më s’ka dhe transcedentalë sa më s’ka, vetëm në raste të rralla mund ta përqendrojnë figuracionin në një objekt të përcaktuar, pasi ai niset të shtrijë krahët për të përmbledhur gjithë botën. Dhe Naimi është gati të bëhet natyrë çdo çast, së bashku me Uollt Uitmanin.

Dhe kështu dy poetë që nuk u njohën kurrë, takohen me njëri-tjetrin në këtë pambarimësi.

Këto rreshta që sapo lexova, kanë një forcë analizuese e depërtuese në shumë shtresa të krijimtarisë së tyre artistike.

Me librin e saj të ri me ese, Natasha Lako është ngjitur më lart në krijimtarinë e saj, që ka një bazament të fuqishëm tek poezia e saj, por edhe të një eksperience e larmishme jetësore dhe një kulturë e gjerë.

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH