Aktualitet

Botimi i ri i UET PRESS/ Virgjil Muçi, një roman alegorik për integrimin në BE

Shkruar nga Liberale
Botimi i ri i UET PRESS/ Virgjil Muçi, një roman alegorik për

Tingëllimi i BU-së, akronimi i Bibliotekës Universale në romanin e Virgjil Muçit nuk është zgjedhur rastësisht e aq më pak gabimisht i ngjashëm, me atë të BE-së.

Në librin e ri, botim i shtëpisë botuese UET PRESS, shkrimtari përmes një rrëfimi alegorik shpreh trishtimin dhe zhgënjimin e një shprese të gjatë e të zvargur për integrimin e vendit në Bashkimin Europian.

“Romani im i fundit e merr frymëzimin nga një trishtim, në daçi një brengë”, ka thënë autori në një intervistë për "Vitrina e Librit" e gazetares Monika Stafa, në Top Channel. “Dhe kjo brengë lidhet me atë që ka hyrë rëndom në të folurën e përditshme, si në ligjërim mediatik, politik dhe të shoqërisë shqiptarë, që është procesi i integrimit europian të Shqipërisë”.

Shkrimtari e sheh këtë ligjërim të transformuar në tridhjetë vite tranzicion nga një projekt politik në një narrativë biblike.

“Pse them narrativë biblike?! Po t’i referohemi Dhjatës së Vjetër kemi arratinë e popullit të Izraelit nga skllavëria e faraonëve të Egjiptit, në kërkim të tokës së premtuar. Dhe, në një hark të tillë kohor, edhe ne endemi e endemi në kërkim të tokës sonë të premtuar”, është shprehur Muçi, i cili në veprimtarinë e tij letrare njihet si shkrimtar, përkthyer e skenarist.

Ai nuk e ka fshehur ngjashmërinë e qëllimshëm të titullit të librit “BU- Si nuk u bëra anëtar i Bibliotekës Universale”, me akronimin e Bashkimit Europian.

“BU është një alegori politike, që e merr frymëzimin nga ai proces që përmenda më parë”, ka zbuluar më tej autori. Përmes metaforës letrare dhe me mjetet e shkrimtarit, Muçi përpiqet të shpjegojë këtë proces, që e cilëson si në kufijtë e absurdit.

Por, ndonëse romani i tij më i ri është një alegori politike dhe sillet rreth një ngjarjeje që i shqetëson shqiptaret prej tri dekadash tashmë, ai thotë se ka shkruar letërsi artistike dhe jo “një traktat politik, ese politike e aq më pak një artikull rreth integrimit të Shqipërisë në BE”.

Romani, sqaron më tej autori, merr një kthesë të befasishme, duke kaluar nga një alegori politike tek ajo, të cilin Muçi e emërton si realizëm fantazmagorik.

Protagonisti, i lodhur i zhgënjyer i mërzitur ndoshta, në një moment të caktuar vendos ta braktisë idenë, të heqë dorë nga anëtarësimi në BU dhe ia beson këtë proces asistentit të tij.

“Por çfarë ndodh në këtë çast? Ai humbet vizionin që ka për të ardhmen dhe kthehet në të kaluarën”. Romani, thotë shkrimtari, shndërrohet si pa e kuptuar në një thriller.

Duke u larguar nga orientimi europian, nga e ardhmja, nga ai projekt historik, njerëzit kthehen nga e kaluara. “Dhe e kaluara e tyre është e mbushur me djaj, engjëj, krime, me skena nga më të përçudnuarat”, përfundon shkrimtari, i cili në këtë roman sjell një lojë letrare, ku filli mes reales dhe trillit është i hollë.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH