Aktualitet

Botimet më të spikatura të UET PRESS, që kërkohen nga lexuesit në Panairin e Librit

Shkruar nga Liberale

Mbi 50 botime të reja nga UET PRESS! Nga Preç Zogaj, te Bahri Beci, Loer Kume e Gani Mehmetaj, autorët që spikatën në Panairin e Librit

Prej 3 ditësh shtëpia botuese UET PRESS pret lexuesit në stendën e saj në Panairin e 24-ët të Librit në Pallatin e Kongreseve. Ajo ofron mbi 50 tituj të rinj, botime të vitit 2021, pjesë e kolanave të ndryshme që ka kjo shtëpi botuese, me një tërësi idesh e gjinish letrare, nga letërsia artistike, te jetëshkrimet e deri te studimet e librat me natyrë akademike.

UET PRESS vjen në këta panair me tituj dhe autorë përfaqësues, duke ruajtur veçantinë e saj si shtëpi botuese që promovon autorët dhe letërsinë shqipe, si edhe librat e mendimit – këtu do të veçoja botimet e kolanës Scripta Manent, ose ndryshe librat e kujtesës...”, thotë drejtorja e UET PRESS, Suela Mino.

Lexuesit kanë pasur mundësi të njihen nga afër me librat, autorët dhe të ndajnë me ta mendime, qartësime e sugjerime të ndryshme. Më poshtë po sjellim botimet e reja që kanë spikatur, ndërsa kujtojmë se Panairi i Librit mbyllet të dielën (21 nëntor).

“Një e tretë, dashuria” dhe “Bija e vjetër e nënës së re”, nga Preç Zogaj

Shkrimtari Preç Zogaj vjen në këtë panair me dy botime të reja, “Një e tretë, dashuria” dhe “Bija e vjetër e nënës së re”. “Si poet, Preç Zogaj është ngjitur tashmë në disa lartësi ku të paktë njerëz të letrave janë ngjitur...”, ka vlerësuar shkrimtari Besnik Mustafaj për përmbledhjen e dytë poetike të Zogajt. Ndërsa studiuesi Gëzim Basha thotë: “Novela “Bija e vjetër e nënës së re” ka një ton të thellë elegjiak: jetimët e viteve 50-të bëhen minatorë që vdesin para kohe prej ekspozimit ndaj pluhurit të minierave, mjaft të afërm rrënohen nga lufta e klasave, Kisha rrënohet e humb, varreza rreth saj vithiset e mbulohet nga shkurret e barërat bashkë me kryqet dhe eshtrat e Nënës së Re”.

“Vaji i Gurit” nga Miranda Haxhia

“Roman i jetuar” e cilëson autorja librin e saj me personazh inxhinierin Riza Alizoti, me të cilin u njoh nëpërmjet një albumi fotografik të familjes Alizoti. “Pashë fotografitë e Riza Alizotit. Njëra me pamje fisniku, tjetra nga ditët e gjyqit. Mora lotin e padukshëm nga portreti i tij në gjyq dhe duke ngjyer në të shkrimtarinë time modeste, besova se do ta ‘ngjallja’ duke e sjellë si udhërrefyes në roman. U lidha fort pas atij njeriu dhe u ula e shkrova historinë. Një histori që më ka bërë të kuptoj më mirë, se dallimi mes njerezve nuk vjen vetëm duke krahasuar të sotmen, por fillon qysh me rrënjët”, tregon autorja.

Djali me biçikletë” nga Eli Amir

“Djali me biçikletë” i shkrimtarit të njohur izraelit Eli Amir është vepra e parë e letërsisë izraelite, e përkthyer nga gjuha hebraike në gjuhën shqipe. Pas dy veprave të sukseshme, Amir vjen me këtë libër, që është më autobiografiku dhe më mbreslënësi. Ashtu si Amos Oz në biografinë “Rrëfim për dashurinë dhe errësirën”, Eli Amir tregon periudhën e krijimit të shtetit Izraelit, tashmë nga këndvështrimi i një të riu hebre iraken sefardit nga Lindja Arabe. “Djali me biçikletë” vjen nën shqipërimin skrupuloz të përkthyesit Alban Rreli.

“Zogjtë e Qyqes” nga Gani Mehmetaj, fituesi i Çmimit Kadare 2021

Romani “Zogjtë e qyqes”, një rrëfim ndryshe që lexohet me një frymë. Autor i mbi 25 veprave në lëmin e letërsisë, eseistikës e publicistikë, Mehmetaj vjen me këtë vepër grishëse të rrëfyer me stil të spikatur, duke provokuar mendësinë ballkanike, me një pikëvështrim të ri. Një kolon serb rrëfen Kosovën në vetë të parë: Sa u ka peshuar fati i kolonit, në një tokë që e dinin se nuk ishte e tyrja? Çfarë i mbetet Njeriut, kur bien ideologjitë dhe ndërrohen pushtetet? Çfarë vlere ka jeta, aty ku mbretërojnë urrejtja, përbuzja e dasitë?

“Kokëmushkat” nga Edmond Budina

I njohur si kineast, aktor e regjisor, Budina vjen për herë të parë përpara lexuesit me romanin “Kokëmushkat”, dhe befason me gjuhën e pasur, elegancën e përshkrimit dhe dinamikën mjeshtërore të shtjellimit të ngjarjes. Ai rrëfen intensivisht, me shumë ngjyra dhe përthyerje, fatin e një femre që prek fundin.Pas një nate pasioni, Enkelejda Borshi zhduket. Në kërkim të së vërtetës, i fejuari i saj italian, Emanuele D, përplaset me një mur të pakapërcyeshëm të një bote të panjohur. A do ta zbulojë vallë enigmën e zhdukjes së saj?

“LUX” nga Loer Kume

Autori i njohur Loer Kume sjell pas një dekade “LUX”, një përmbledhje me tregime. Të 15 prozat trajtojnë tema jo fort të njohura në letërsinë shqipe. “LUX është ciceron dritëhijesh. Peri i kuq që përshkon e përmbledh të gjitha rrëfimet e tij është gërshetim i ndërlikuar kontrastesh, mbi një idé letërsie në sfond që pajton kundërthëniet ekstreme të ekzistencës. Ato midis të shkruarit dhe shuarjes te “Lux””, vlerëson shkrimtari Shqiptar Oseku.

 “Biletë për në qiell” dhe “Pengje të gurëve” nga Odise Kote

Shkrimtari Odise Kote vjen me dy botime të reja, përmbledhjen me tregime “Biletë për në qiell” dhe vëllimin poetik “Pengje të gurëve”. Në parathënien e vëllimit poetik, poeti i mirënjohur Bardhyl Londo shkruan për autorin: “Ai shkruan jo se shikon, por se ndjen. Ai nuk përshkruan, por zbërthen. Ai nuk noton në sipërfaqe, por zhytet në thellësi për të kërkuar perlat e vërteta... Odiseja guxon dhe arrin të notojë deri në fund. Ai është poet i thellësive”.

Përsiatje” nga Bjorn Kamberi

“Përsiatje” është një përmbledhje tregimesh e novelash post-moderniste. “Kur endesh mes për mes leximit në “Përsiate”, pandeh se po çapitesh e lëkundesh me pasiguri në një hapësirë të mjergullt, ku gjithçka së pari duket e paqartë. Nëse nuk heziton të bësh përpara, pamja të qartësohet dhe atje tej njeh krijesa që kaluan në këtë botë si udhëtarë që ngatërruan drejtimet dhe mbetën të patjetërsuar nëpër udhëkryqe ku shënuan emrat dhe fatet e tyre ekzistenciale”, vlerëson studiuesi Ermir Nika.

“Ora e Murit” nga Sami Milloshi

Autori Sami Milloshi sjell përmbledhjen me tregime “Ora e Murit”, me një stil origjinal, rrëfim të zhdërvjellët; etyde nga jeta, që mund t’i ngjajnë secilit prej nesh, të kthyera në letërsi me shumë origjinalitet dhe mjeshtëri rrëfimi. Fjalitë e shkurtra, problematikat e cekura, ndërthurja natyrale e dy botëve të autorit dhe presonazheve të krijuar prej tij, që navigojnë përmes realitetit shqiptar dhe atij amerikan, e bëjnë “Ora e Murit” një libër që duhet ta lexosh rishtazi.

“Përjetime/ 1936-2021” nga Bahri Beci

Gjuhëtari Bahri Beci me jetëshkrimin e tij “Përjetime/ 1936-2021”, i jep publicistikës shqiptare një kontribut të çmuar: dëshminë e tij autentike mbi ngjarje që tejkalojnë kozmosin e tij personal, teksa zbardhin zhvillime historike në shkencën albanologjike, posaçërisht në lëminë e Gjuhësisë. Ai sjell ngjarjet vendimtare të kulturës: nga Kongresi i Manastirit deri tek ai i Drejtshkrimit; rrugëtimin e vështirë të një shkencëtari të gjuhës në korridoret e ngushta të doktrinës politike; skicën e formimit nga komunizmi të atij që profesor Besi e quan “Homo ideologicus”.

 “Tranzicioni neokomunist në Shqipëri” nga Kurt Kola

Pas botimit “Në Shqipërinë Burg”, autori Kurt Kola vjen brenda kolanës “Scripta manet” me një dëshmi personale për periudhën e tranzicionit shqiptar, titulluar “Tranzicioni Neokomunist në Shqipëri”. Ai sjell një galeri të pasur personazhesh, ngjarjesh, dëshmish dhe ka një segment të rëndësishëm të prapaskenave të mjedisit politik, të faktorëve të rëndësishëm socialë dhe që kanë pasur një rol aktiv në zhvillimet e 30 viteve të fundit në Shqipëri.

“Ardhja e Antropologkisë në Shqipëri” nga Albert Doja

Profesor Albert sjell një studim thelbësor dhe shumë i mirëpritur “Ardhja e Antropologkisë në Shqipëri”. “Një dorë manushaqe të egra për mendime të thella në studimet shqiptare. Askush nuk ka shkaktuar më shumë shkëndija intelektuale për të nxitur me kaq elegancë imagjinatën e re kërkimore-shkencore në Shqipëri", shkruan Enika Abazi.

 

 “50 pyetje për 50 personazhe – Historitë e jetës së shqiptarëve më të famshëm”, nga Roland Qaforku

Gazetari Roland Qafoku “zbulon” në këtë libër përmes intervistave karaktere, ngjarje e të pathëna të njerëzve që tashmë zënë një vend të qartë në jetën publike.”50 intervista personazhesh publikë, realiste, argëtuese e veçanërisht njerëzore për atë grup personalitetesh e karakteresh që ndajnë, kush më shumë e kush më pak, një kujtesë të përbashkët, thuajse të njëjtat dilema dhe konflikte të brendëshme, në fushën e përpunimit dhe formimit të opinionit publik...”, shkruan në parathënien e librit Ylljet Aliçka.

 “Të drejtat e njeriut dhe Konstitucionalizmi” nga Denar Biba

Juristi i njohur Denar Biba vjen me “Të drejtat e njeriut dhe Konstitucionalizmi”, një analizë filozofike mbi të drejtat e njeriut, për të kaluar në analizën e konstitucionalizmit e të drejtave të njeriut në aktet kushtetuese shqiptare. “Besoj se autori ia ka dalë t’i mbajë këto dy pjesë të lidhura me një fill përshkrues, që ndërlidh kuptimin dhe filozofinë e të drejtave të njeriut me konstitucionalizmin, duke i shërbyer dhe qëllimit praktik të librit”, thotë Dr. Sokol Berberi në parathënien e librit.

 “Marrëdhëniet Publike Sot”, nga Trevor Morris dhe Simon Goldsëorthy

“Marrëdhëniet Publike Sot”, një tekst profesional autoritativ nga dy personalitete botërore të fushës,  nga Trevor Morris dhe Simon Goldsëorthy, botim i prestigjiozes “Macmillan Education Pelgrave”, vjen në shqip nga një grup pedagogësh të Departamentit të Komunikimit në UET, nën udhëheqjen e Dekanes së Fakultetit të Shkencave Humane, Edukimit dhe Arteve Liberale, Belina Budini. /Gazeta Liberale

 

 

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH