Bota

WOW! Pasi e fali babai ndihmon vrasësin e djalit të dalë nga burgu (Detaje)

Shkruar nga Liberale

WOW! Pasi e fali babai ndihmon vrasësin e djalit të dalë nga 
Në një mbrëmje të vitit 1995, Azim Khamisa mësoi se djali i tij, Tariq Khamisa, student në kolegjin e San Diego-s, kishte ndërruar jetë, pasi mbeti viktimë e një grabitjeje të dështuar. Azim e përjetoi shumë keq vdekjen e djalit të tij, i cili asokohe punonte si shpërndarës picash. Katër anëtarë të një bande me adoleshentë u përpoqën ta grabisnin. Djali u kundërpërgjigj dhe refuzoi t’ia jepte. Teksa largohej, një prej adoleshentëve, Tony Hicks, e qëlloi për vdekje me një pistoletë të vjedhur. Tony ishte vetëm 14 vjeç kur kreu krimin.
 
Disa orë pasi mësoi lajmin e kobshëm, Khamisa u shtri përtokë nga dhimbja dhe përjetoi një epifani, të cilën e përshkruan si një mesazh nga “lart”. “Kishte viktima nga të dyja skajet e armës. Ndonjëherë, në traumën e një tragjedie të tillë, të vjen një moment qartësie”, thotë ai. Kështu, pas një reflektimi, Azim bëri diçka që shumë njerëz as nuk do e mendonin: Ai gjeti një mënyrë për ta falur Tony-n dhe më vonë, u miqësua me vrasësin e djalit të tij.

Khamisa, i cili praktikon meditimin dhe sufizmin, një praktikë shpirtërore brenda fesë islame, mendoi se megjithëse Hicks kreu një veprim të tillë, nuk është i vetmi fajtor për vdekjen e djalit të tij.

"Nuk ishte një 14-vjeçar ai që ishte armiku që vrau djalin tim, ishin forcat shoqërore që e shkaktuan atë”, shprehet Khamisa, duke shtuar: “Fajtori i vërtetë është se ne nuk kemi trajtuar pse të rinjtë bien në gremina dhe përfshihen në banda, drogë dhe alkool dhe ne humbim kaq shumë fëmijë”.

Khamisa ndërmori një mision shumë frymëzues: Të ndryshonte Tony-n. Nëntë muaj pas vdekjes së të birit, ai themeloi fondacionin “Tariq Khamisa” për të ndihmuar në krijimin e shkollave dhe komuniteteve më të sigurta, për parandalimin e shanseve që adoleshentët të shkojnë drejt krimit. Kjo ishte një mënyrë për të nderuar trashëgiminë e djalit të tij dhe për t’i dhënë një kuptim jetës së tij.

“Nuk doja ta kaloja jetën i zemëruar, me urrejtje dhe pakënaqësi. Sepse po të rrish kështu, kë lëndon? Veten”, thotë Khamisa.

“Falja mund të krijojë paqe. Ne duhet të largohemi nga kjo mendësi ndëshkuese dhe të bëhemi njerëz që riaparojmë marrëdhëniet”, thekson Khamisa, i cili e përshkroi djalin e tij si “një shpirt të vjetër në një trup të ri, me një sens të shkëlqyer humori”. Ai ishte 20 vjeç, i fejuar, do të martohej së shpejti dhe kishte pasion fotografinë.

Dëshira e Khamisa për të falur Hicks u vendos në lëvizje disa muaj pas vdekjes, kur ai takoi gjyshin e Tony-t. Gjyshi, i quajtur Ples Felix, ndodhej në zyrën e avokatit mbrojtës së Tony-t. Khamisa i kërkoi Ples Felix që ta ndihmonte që të kryente misionin e tij përmes fondacionit dhe Felix ishte dakord.
 
Për 28 vite qysh prej dakordësisë, Felix dhe Azim kanë folur në qindra mbledhje dhe evente shkollore, si dhe nëpër burgje, me qëllimin që të rinjtë të gjejnë dritën drejt shpresës dhe të largohen nga dhuna dhe keqbërja.

“Unë besoj se ne të gjithë, në një moment, duhet të mësojmë të falim. Nëse do të kishte mjaftueshëm njerëz që falin, kjo do ta ndryshonte shoqërinë”, thotë ai. 

Hicks, asokohe nxënës i klasës së tetë, u bë personi më i ri në Kaliforni, i cili u gjykua si i rritur dhe u dënua me 25 vite deri në burgim të përjetshëm.


Fillimisht, kur Khamisa kërkoi ta takonte Tony-n, ai nuk pranoi, pasi nuk ndihej rehat. "Nuk ishte diçka me të cilën ndihesha rehat, por ishte diçka që e dija se duhej bërë në një moment," thotë Hicks, tanimë 43 vjeç. "Nuk e ndieja se meritoja të falesha për atë që kisha bërë”, nënvizoi ai, ndërsa përpiqej të procesonte ndjesitë e tij.
 
"Burgu, shumë herë, nuk është i favorshëm për të pasur këto epifani emocionale për jetën tënde”, thotë ai. Pesë vjet pas të shtënave, Hicks u ndje gati për të takuar Khamisa. Ai u ul përballë tij në burgun shtetëror “Folsom” të Kalifornisë dhe ata folën për rreth gjashtë orë.

“Kjo ishte një nga bisedat më të vështira që kam pasur me dikë”, shprehet Hicks, duke shtuar se Khamisa e pyeti atë për natën kur vrau djalin e tij – dhe rrethanat që e shtynë atë të tërhiqte këmbëzën e pistoletës së vjedhur.
 
Në fund të diskutimit të tyre, Khamisa i tha Hicks se e kishte falur. Ai gjithashtu, e inkurajoi atë të marrë pjesë në fondacionin “Tariq Khamisa” pas lirimit të tij. "Falja mund të jetë shumë çliruese," thekson Khamisa, duke shpjeguar se kur u largua nga burgu atë ditë, u ndje dukshëm më i lehtësuar. Njëjtë ndihej edhe Hicks.

"Asnjë i rritur në jetën time nuk foli për faljen në atë mënyrë," rrëfen ai. "Aftësia e Azim-it për të më falur më dha hapësirën për të nisur me faljen ndaj vetes dhe më pas, me faljen e atyre njerëzve që më kishin lënduar”, tregon Hicks, duke pranuar se reflektimi ishte i ngadaltë dhe i dhimbshëm për të.

Në kohën kur ishte në burg, Tony qëndroi në kontakt me Azim-in. Pas pak kohe, edhe vajza e Azim-it u afrua me Hicks. Iu deshën plot 20 vite për të luftuar me agoninë e dhimbjes së humbjes së vëllait, por njëjtë si i ati, edhe Tesreen Khamisa e kuptoi se Tariq nuk ishte viktima e vetme e të shtënave të asaj nate.


Shpejt, Tasreen Khamisa, 51 vjeç, filloi të kishte telefonata javore me Hicks ndërsa ishte në burg. “Ndjeva një përgjegjësi të fortë për t'u siguruar që Toni gjithashtu do të kishte mundësinë për t'u shëruar dhe për të gjetur qëllimin e tij në jetë”,  shprehet ajo.
 
Gjyshi i Hicks dhe Azim u bënë një sistem i fortë mbështetës për jetën e Tony-t, teksa ai vuante dënimin e tij. Për vite me radhë, ata lobuan për lirimin e Tony Hicks. “Qëndrimi im ishte i tillë: Toni ka punë për të bërë dhe ajo punë nuk është pas hekurave,” tregon Azim Khamisa dhe komisioneri i çështjes u prek shumë që babai dhe motra e viktimës mbrojtën lirimin e vrasësit.
 
Pas 24 vitesh burg, Hicks u lirua me kusht, në vitin 2019, në moshën 38-vjeçare. "Ishte një rezultat mahnitës", tregon Azim Khamisa.

Hicks krijoi një marrëdhënie edhe më të fortë me prindërit dhe me familjen Khamisa, duke punuar edhe në fondacionin “Tariq Khamisa”. Ai gjithashtu flet nëpër konferenca dhe nëpër shkolla, duke rrëfyer historinë e tij jetësore dhe duke inkurajuar adoleshentët që të shmangin rrugën që ai ndërmori. Ai shprehet se mund ta ndryshojnë rrjedhën e jetës së tyre.

Tanimë, Tony është hidraulik dhe po rindërton jetën e tij, ndërsa pranon se është një proces goxha i ngadaltë. “Jam shumë më mirë gjatë 5 viteve të fundit”, reflekton ai, duke i dhënë merita kontributit të familjes Khamisa, e cila është kthyer edhe në familjen e tij.

Azim Khamisa shprehet se për të, Tony është si një djalë, ndërsa për Tasreen, Tony është vëllai i saj shpirtëror.

Poll
SHQIPENGLISH