Presidenti amerikan Donald Trump ka vendosur të mos nënshkruajë deklaratën e përbashkët të udhëheqësve të G7, e cila bën thirrje për ulje të tensioneve mes Izraelit dhe Iranit, raportojnë mediat amerikane, duke cituar burime të afërta me çështjen.
Draft-deklarata, e hartuar nën udhëheqjen e zyrtarëve evropianë në prag të samitit të G7 në Malet Shkëmbore të Kanadasë, theksonte se Izraeli ka të drejtë të vetëmbrohet, ndërsa paralajmëronte se Irani nuk duhet të lejohet të pajiset me armë bërthamore.
Vendimi i Trump për të mos e mbështetur dokumentin shkaktoi përçarje të menjëhershme me udhëheqësit e tjerë, përpara se samiti të fillojë zyrtarisht. Ky veprim shihet si një tjetër shembull i qasjes së pavarur të Trump ndaj politikës së jashtme dhe marrëdhënieve shumëpalëshe.