Bota

TRAGJIKE/ Rritet numri i viktimave prej tërmetit në Tajvan, shkon 700 numri i të plagosurve (DETAJE)

Shkruar nga Liberale

TRAGJIKE/ Rritet numri i viktimave prej tërmetit në Tajvan, shkon 700

Si pasojë e tërmetit shumë të fortë që goditi Tajvanin mëngjesin e sotëm numri i personave të lënduar është rritur në 711, sipas të dhënave të fundit të publikuara nga autoritetet e ishullit, të cilët thanë se 77 persona kanë mbetur të bllokuar në rrënojat e ndërtesave.

Autoritetet thanë se numri i të vdekurve nga tërmeti 7.4 ballë u rrit në shtatë.

Sipas Shërbimit Meteorologjik dhe Sizmologjik të ishullit, tërmeti nënujor ndodhi në orën 07:58 në një thellësi prej 15.5 km, në brigjet lindore të Tajvanit. Tërmeti konsiderohet më i forti që ka goditur ishullin në 25 vitet e fundit.

Dëmet më të rënda materiale janë regjistruar në qytetin Hualien, një port me 100,000 banorë, kryeqytet i qarkut pak të populluar me të njëjtin emër, ku dy ndërtesa u shembën, duke bllokuar banorët e tyre, sipas departamentit të zjarrfikësve të Tajvanit.

Tërmeti shkaktoi ndërprerje të energjisë elektrike në pjesë të kryeqytetit Taipei kur goditi. Sipas Taipower, një kompani e energjisë elektrike, të paktën 87,000 familje janë pa energji elektrike.

Tërmeti u ndje deri në Shangai, Kinë, si dhe shumë më tepër në pjesë të Kinës jugore. Pekini, duke shprehur shqetësimin, ofroi të dërgonte ndihmë në Taipei. Dhe Japonia ka thënë se është e gatshme të ofrojë çdo ndihmë që konsiderohet e nevojshme për Tajvanin pas tërmetit të fortë që ndodhi sot.

Poll
SHQIPENGLISH