Kryeministri i Indisë, Narendra Modi, ka reaguar pas aksidentit të rëndë ajror në qytetin Ahmedabad, ku një avion i kompanisë Air India u rrëzua, duke shkaktuar një tragjedi që ka tronditur të gjithë vendin.
Në një postim në platformën X, Modi shprehu dhimbjen e thellë për ngjarjen:
“Tragjedia në Ahmedabad na ka tronditur dhe mbushur me trishtim. Është e pamundur të përshkruaj me fjalë dhimbjen që ndjejmë,” shkroi ai.
Kryeministri bëri të ditur se është në kontakt të vazhdueshëm me ministrat dhe autoritetet përgjegjëse, të cilat po punojnë pa ndërprerje për të ndihmuar të prekurit dhe për të menaxhuar situatën në terren.
Ministri i Shëndetësisë, në një deklaratë paraprake, tha se ka “shumë viktima”, pa dhënë ende një shifër zyrtare. Sipas raportimeve të pakonfirmuara, numri i të vdekurve mund të jetë të paktën 130, por ende nuk dihet saktësisht sa ishin pasagjerë në bord dhe sa ndodheshin në tokë në momentin e përplasjes.
Autoritetet indiane janë në alarm të plotë dhe hetimet për shkaqet e aksidentit janë në zhvillim. Pritet që në orët në vijim të jepen më shumë detaje për këtë ngjarje të rëndë.