Një aeroplan pasagjerësh është rrëzuar pak çaste pas ngritjes nga aeroporti në Ahmedabad, në Indinë perëndimore, ndërsa ishte nisur drejt Londrës.
Sipas informacioneve paraprake nga autoritetet vendase, mjeti ajror kishte në bord 242 persona. Përplasja ndodhi në një zonë civile pranë aeroportit dhe raportohet se sinjali i avionit u ndërpre vetëm disa sekonda pas ngritjes, në një lartësi prej rreth 625 metrash.
Destinacioni i fluturimit ishte aeroporti Gatwick në Mbretërinë e Bashkuar, kanë bërë të ditur përfaqësues të kompanisë Air India.
Ekipet e emergjencës dhe forcat e rendit ndodhen në vendngjarje, ndërsa nuk ka ende të dhëna zyrtare për gjendjen e pasagjerëve apo shkakun e rrëzimit. Autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e incidentit.