Bota

Prej kohësh i shtruar në spital, ja si paraqitet gjendja e Papa Françeskut

Shkruar nga Liberale
Prej kohësh i shtruar në spital, ja si paraqitet gjendja e Papa

Papa Françesku, që po përballet me pneumoni të dyfishtë, vazhdon të jetë në gjendje kritike për të katërtën ditë me radhë, por gjendja e tij është stabile dhe ai nuk ka pasur kriza të tjera të frymëmarrjes, tha Vatikani më 25 shkurt. Papa, 88 vjeç, ka kaluar natën e dymbëdhjetë në spitalin Gemelli të Romës, që njëherësh paraqet qëndrimin më të gjatë të tij në spital.

“Kushtet klinike të Atit të Shenjtë vazhdojnë të jenë kritike, por stabile”, u tha në njoftimin e fundit të lëshuar nga Vatikani.

Një zyrtar i Vatikanit, i cili foli në kushte anonimiteti për mediat më herët gjatë së martës tha se Françesku po ushqehet normalisht, po lëvizë në dhomën e tij të spitalit dhe po vazhdon trajtimin.

Vatikani po ashtu njoftoi se Françesku është takuar me numrin dy të Kishës, kardinalin Pietro Parolin dhe zëvendësin e Parolinit të hënën.

Në njoftim u tha se ata diskutuan për punë të lëna pezull sa i përket çështjeve që lidhen me shenjtërimin. Vatikani tha po ashtu se disa emërtime të reja kërkojnë miratimin e Papës.

Të hënën Vatikani tha se gjendja shëndetësore e Papës vazhdon të jetë kritike, por ai kishte shfaqur “një përmirësim të lehtë”, duke shtuar se problemi me veshka, për të cilin fillimisht u raportua në fundjavë, nuk ishte gjë shqetësuese.

Pneumonia e dyfishtë është një infeksion serioz i dy mushkërive që mund të shkaktojë inflamacion dhe të vështirësojë frymëmarrjen. Vatikani ka thënë se infeksioni i Papës është “kompleks”.

Poll
SHQIPENGLISH