Maqedoni

PROFILI I JAVËS/ Njeriu i luftës dhe paqes, Talat Xhaferi futet në histori

Shkruar nga Reldar Dedaj

PROFILI I JAVËS/ Njeriu i luftës dhe paqes, Talat Xhaferi futet

Një kryeministër shqiptar për Maqedoninë e Veriut është një garanci akoma edhe më e madhe për sovranitetin e vendit. Një vend i tillë s’mund të ekzistojë kurrë si një shtet vetëm i maqedonasve, ku shqiptarët u ngjajnë shoqëruesve të nuses që i ndjekin ata nga pas. Talat Xhaferri, ushtaraku egocentrik  i Armatës së Jugosllavisë dhe më pas Armatës së Maqedonisë së Veriut, ish-kryetari i Kuvendit dhe i mandatuari për formimin e qeverisë teknike nuk është asgjë tjetër veçse “prova” e premtimit të Bashkimi Demokratik për Integrim, për kryeministrin e parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut.

Ai do të udhëheqë qeverinë teknike, praktikë qysh prej vitit 2016, ndërsa ka për detyrë organizimin dhe mbarëvajtjen e zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale. Zgjedhjet parlamentare të vitit të ardhshëm, sipas marrëveshjes së partive politike, të arritur më 4 dhjetor, do të mbahen më 8 maj. Të njëjtën ditë do të votohet edhe për raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale, pasi raundi i parë do të mbahet më 24 prill. Qeveria teknike 100-ditëshe, para zgjedhjeve parlamentare, ishte një marrëveshje mes partive, pas rënies nga pushteti të Nikolla Gruevskit, i cili akuzohej për keqpërdorime të shumta zgjedhore në të kaluarën. Por, që në krye të qeverisë teknike të ketë një shqiptar, kishte edhe një marrëveshje tjetër, të arritur më 18 gusht 2020, mes ish-kryeministrit Zoran Zaev dhe kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti.

Më 28 janar në Maqedoninë e Veriut, Talat Xhaferri pritet të marrë detyrën si kryeministër i parë shqiptar, pasi të votohet në Kuvend mbi përbërjen e qeverisë së përkohshme që do të çojë vendin në zgjedhjet e dyfishta që do mbahen në muajin maj. Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti i është drejtuar kombit shqiptar me një fjalim, duke e konsideruar ditën e dielë si një ditë historike. Ka të drejtë. Pas tre dekadash, një kryeministër shqiptar, i kushtohet besimit dhe sakrificës së gjithë atyre që u përpoqën të krijonin një vend sa më paqësor për brezat që do pasojnë, që direkt apo indirekt, dhanë kontributin e tyre, dhe gjithë atyre të tjerëve që nuk e panë këtë ditë, por e ëndërruan. Kushtuar besimit të shqiptarëve atje, se shteti, nuk është molla e sherrit që vë në konflikt përkatësitë e ndryshme, por trualli i përbashkët që garanton siguri dhe barazi për të gjithë.

Talat Xhaferi mund të jetë më shumë filozofik sesa teorik, më shumë politik sesa ideologjik. Mund të jetë lart dhe përtej këtyre shtampave. Por gjithmonë dhe gjithnjë e më shumë, ai është politikani që njohu përgjegjësinë e postit që mori, që e deshi shumë popullin e tij dhe që popullin e tij e donte të fuqishëm në politikë. Bindja se përgjatë historisë shqiptarëve u janë ofruar zgjidhje nga më të ndryshmet nga të gjitha anët që ta lënë anash identitetin dhe përkatësinë e tyre, gjuhën e traditën, flamurin e kujtesën kolektive, sepse ashtu përfitojnë paqen dhe mirëqenien, ai i është përgjigjur me të kundërtën. Gjithmonë! Ashtu ndodhi kur foli shqip në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, ashtu ka ndodhur edhe para Komitetit për Punë të Jashtme, në kuadër të Samitit “Parlamenti Evropian – Ballkani Perëndimor”. Ashtu, dhe aspak ndryshe, ka ndodhur edhe në të kaluarën.

Më 28 prill të 2001, në konfliktin e armatosur në Maqedoni mes forcave maqedonase të sigurisë dhe UÇK-së, Xhaferi braktis radhët e Armatës së Maqedonisë dhe kaloi në radhët e UÇK-së. Ai në këtë periudhë u njoh me nofkën komandant Forina. Gjatë viteve të përfshirjes në politikë në radhët e BDI-së, ai u zgjodh deputet, zëvendësministër i mbrojtjes në vitin 2008 dhe ministër i mbrojtjes në shkurt të 2013.

Në një deklaratë për mediat , gjatë pranim dorëzimit të funksionit të ministrit të Mbrojtjes, Xhaferi deklaroi se qëllimi i tij do të jetë “forcat e armatosura të bëhen simboli i bashkëjetesës, i tolerancës dhe respektimit të dallimeve”. Në vitin 2016, për herën e pestë zgjidhet deputet në Kuvend, ndërsa në vitin 2017, zgjidhet Kryetar i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Më 21 gusht 2020, pas mandatit të tij të gjashtë si deputet, përsëri e fiton besimin e shumicës të deputetëve të Kuvendit dhe zgjidhet Kryetar i dhomës ligjvënëse. Katër vite më vonë, futet në histori: Kryeministri i parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut...!

 

 

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH