Mbrëmjen e djeshme (e premte), në parkingun e një salle dasmash në Ferizaj të Kosovës është qëlluar për vdekje 89-vjeçari, Sadri Sadriu nga Lugina e Preshevës. Mediat e Kosovës raportojnë se viktima është xhaxhai i bashkëshortit të Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani.
Autori i dyshuar i kësaj ngjarje është zyrtari i policisë Festim Ramadani i cili ka qëlluar disa herë mbi 89 vjeçarin.
Lidhur me rastin ka reaguar Prokuroria Themelore në Ferizaj, e cila njofton se ka kërkuar që Gjykata të caktojë masën e paraburgimit prej një muaji për Festim Ramadanin dhe J.M, të dyshuar për vrasjen e 89-vjeçarit në fshatin Bibaj të Ferizajt më 16 gusht.
Prokuroria e Ferizajt dha detaje se si ndodhi vrasja në parkingun e një salle dasme në Bibaj, ku u përfshi zyrtari policor, i cili dyshohet se e kreu vrasjen me armë zyrtare.
Vrasja, sipas autoriteteve, ka ndodhur në orën 19:26 të së premtes.
“Në hyrje të parkingut të sallës së dasmave në fshatin Bibaj, i pandehuri F.R., për motive të ulëta me dashje që ta privojnë nga jeta sapo vërejnë të ndjerin se hyn në parkingun e lartëcekur, të pandehurit secili me automjete të veta ndalen në vendin e ngjarjes, ku i pandehuri J.M., në dorë ka mbajtur në mjet të fortë [teshlicë] dhe është vërsulur në drejtim të ndjerit. Kurse i pandehuri F.R., me armën zyrtare automatike ka shtënë disa herë në të ndjerin S.S., dhe me atë rast vënë në rrezik edhe personat tjerë të cilët kanë qenë së bashku me të ndjerin”, u tha në njoftim.
Autoritetet njoftuan një ditë më parë se Festim Ramadani ishte dorëzuar vet tek autoritetet.
Ndërkaq, më pas Inspektorati Policor i Kosovës njoftoi se ishte arrestuar edhe J.M, i dyshuar për bashkëkryerje të veprës “vrasje e rëndë”.