Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është shprehur se Rusia dëshiron të “hapë një front të ri kundër Perëndimit” duke destabilizuar Ballkanin Perëndimor.
“Rusia dhe Putini duan të hapin një front të ri kundër Perëndimit duke destabilizuar Ballkanin Perëndimor”, është shprehur presidentja e Kosovës në një intervistë për TVP World.
Sipas saj është thelbësore që Kosova të punojë krah për krah me aleatët, me partnerët e botës demokratike, për t'u siguruar “që ne të ndalojmë këto nisma destabilizuese nga Serbia, të ndihmuara dhe të nxitura nga Rusia”.
Deklarata e Osmanit tregon më tepër shqetësimet që Rusia mund të përpiqet të shfrytëzojë lidhjet e saj të forta ekonomike, kulturore dhe historike me Serbinë për të ushtruar ndikim në rajon.Gjithashtu Osmani theksoi se ka ende shpresë për Ballkanin Perëndimor që të anëtarësohet në Bashkimin Evropian.
“Besoj se ka shpresë që Ballkani Perëndimor t’i bashkohet përfundimisht Bashkimit Evropian dhe NATO-s. Por parakushti për të arritur rezultate të tilla është trajtimi i Serbisë për atë që është një shtet satelit i Rusisë, i cili vetëm sa po rrit bashkëpunimin ushtarak, ekonomik dhe politik me Rusinë,” u shpreh Osmani.
Ajo gjithashtu ia atribuoi tensionet mes Serbisë dhe Kosovës politikave të Beogradit ndaj Prishtinës.
“Serbia që është kthyer në shtetin më të fortë të Putinit në Evropë. Dhe pastaj është Kosova dhe vendet e tjera në rajon që janë vazhdimisht viktima të akteve të agresionit nga Serbia”, ka theksuar më tej Osmani.