Kosova

Veriu i Kosovës voton sot për shkarkimin e kryetarëve shqiptarë në komuna!

Shkruar nga Liberale

Veriu i Kosovës voton sot për shkarkimin e kryetarëve

Në katër komunat në veri të Kosovës, qytetarët votojnë sot nëse duan apo jo të largojnë kryetarët komunalë shqiptarë. Procesi mbahet mes thirrjeve nga Lista Serbe për bojkotimin e votimeve në komunat e banuara me shumicë serbe.

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, në konferencën e parë për media, bëri të ditur se të gjitha vendvotimet janë hapur. Ato do të mbyllen në orën 19:00.

Elezi tha se “mund të ketë pasur ndonjë vonesë teknike në hapjen e ndonjë vendvotimi”, por shtoi se kjo është gjë e zakonshme. Ekipi i Radios Evropa e Lirë, që gjendet në terren, raporton se pas hapjes së vendvotimeve në Mitrovicë të Veriut askush nuk e shfrytëzoi të drejtën e votës.

Në qendrat e votimit u panë vetëm vëzhguesit zgjedhorë, por jo edhe qytetarë që votonin. Situatë e ngjashme është edhe në Zubin Potok. Në qendrën e votimit, që gjendet në ndërtesën e komunës, sipas gazetarëve të REL-it, mëngjesin e së dielës askush nuk e shfrytëzoi të drejtën e votës.

Për këto votime, në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviç të drejtë vote kanë 46.556 persona, apo 1.461 votues më shumë krahasuar me zgjedhjet lokale të mbajtura më 23 prill 2023, kur u zgjodhën kryetarët shqiptarë.

Në Mitrovicë të Veriut, të drejtë vote kanë 18.796 persona. Në Leposaviç, ky numër është 13.674. Në Zveçan të drejtë vote kanë 7.209 persona, ndërkaq në Zubin Potok 6.877 persona. Që votimi për shkarkimin e kryetarëve të konsiderohet i suksesshëm do të duhen të votojnë 50 për qind plus një votues, në komunat përkatëse.

Në katër komunat në veri do të jenë 23 qendra votimi, me 63 vendvotime dhe katër qendra për votim me kusht. Sipas KQZ-së, në Leposaviç do të jenë tetë qendra votimi, ndërkaq në Zveçan, Zubin Potok dhe Mitrovicë të Veriut nga pesë – numër shumë më i ulët i qendrave të votimit në veri nga 43 sa ishin miratuar fillimisht nga KQZ-ja.

Në mbledhjen e fundit të KQZ-së të mbajtur një ditë para votimeve, u tha se drejtorët e 33 shkollave në veri – që punojnë sipas sistemit serb- kanë thënë se kanë “aktivitete shkollore” dhe nuk mund t’i japin për shfrytëzim objektet për procesin votues. Prandaj, KQZ-ja ka vendosur që disa objekte alternative të shndërrohen në vendvotime.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH