Kosova

Udhëhoqi fushatën e NATO-s kundër forcave serbe/ Gjenerali amerikan Wesley Clark nderohet me dekoratën "Ibrahim Rugova" në Prishtinë

Shkruar nga Liberale
Udhëhoqi fushatën e NATO-s kundër forcave serbe/ Gjenerali

Gjenerali amerikan, Wesley Clark, është nderuar të dielën në Prishtinë me dekoratën “Dr.Ibrahim Rugova” nga Lidhja Demokratike e Kosovës [LDK], për rolin e tij në çlirimin e Kosovës.

Ai ka udhëhequr fushatën ajrore të NATO-s kundër caqeve ushtarake serbe më 1999.

Fushata e sulmeve të NATO-s, e cila ka zgjatur 11 javë, është kryer për të ndalur dhunën e forcave serbe kundër shqiptarëve në Kosovë.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se emri i Clark-ut është i ngulitur në themelet e krijimit të historisë së Kosovës, dhe e ka falënderuar për mbështetjen e ofruar ndër vite.

“Në momentet më të errëta, në synimet tona për liri, vendimet tuaja na kanë dhënë shpresë dhe forcë. Udhëheqësia juaj gjatë intervenimit të NATO-s, ka qenë pikë kthese. Ajo nuk ka ndryshuar vetëm historinë tonë, por ka shpëtuar jetë të panumërta”.

Abdixhiku i ka kërkuar Clark-ut që të vazhdojë të ndihmojë Kosovën për forcim të mëtutjeshëm të lidhjeve të Kosovës me Perëndimin, sidomos me NATO-n dhe Shtetet e Bashkuara.

Vetë Clark ka thënë se impresionohet secilën herë që viziton Kosovën.

“Shpresoj që do të vazhdoni t’i forconi lidhjet me SHBA-në dhe ta shihni atë si mike të mrekullueshme. Ne jemi krenarë me ju, për përparimin që keni bërë, për shembullin që keni treguar”.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH