Kosova

Tre opsionet e UEFA-s: Pse rrezikon më tepër Kosova të humbë ndeshjen në tavolinë pas braktisjes së fushës në Rumani?

Shkruar nga Liberale

Tre opsionet e UEFA-s: Pse rrezikon më tepër Kosova të humbë

Pas ndërprerjes së ndeshjes në Bukuresht mes Kosovës mysafire dhe Rumanisë, në kohë shtesë kur rezultati ishte 0-0, ka tri opsione për fatin e saj.
UEFA në pamundësi që ajo të riluhet për dy minutat e mbetura mund ta konsiderojë të mbyllur ndeshjen, me të njëjtin rezultat, ose të kërkojë që ajo të riluhet pa tifozë.  Të dënojë Rumaninë për dështim të organizimit të ndeshjes, ose Kosovën për braktisje të fushës. Në dy rastet e fundit rezultati do të jepet 3:0 në tavolinë.

Rumunët duken më të favorizuar sepse pretendojnë se thirrjet e tifozëve nuk mund të kontrolloheshin prej tyre si organizatorë të ndeshjes. Ndeshja ndërpritet dhe pezullohet nga gjyqtari ose zyrtarët e UEFA-s, kur shihet se incidentet ndikojnë në ecurinë e saj. Në Beograd, në ndeshjen Serbi-Shqipëri, në tetor 2014,, edhe pse ajo u pezullua nga UEFA, nga qeveria e futbolllit europian u vendos fillimisht që ndeshja tiu jepej 3-0 serbëve në tavolinë. Arsyetimi, vendasit ishin provokuar nga shqiptarët! Kuqezinjve iu desh të shkonin në KAS për të fituar takimin 3-0 në tavolinë, pasi triumfoi argumenti nga gjykata sportive se ekipi i Shqipërisë nuk kishte lidhje me dronin dhe ndërprerja e ndeshjes u shkaktua nga dështimi i vendit organizator.
Kësisoj, Kosova do ta ketë më të vështirë të justifikohet për “braktisjen e ndeshjes” pasi nga UEFA veprimi i saj mund të konsiderohet “vetgjyqësi”. Kosova pas ndeshjes për atë që ndodhi mund të kërkonte dënimin e Rumanisë, mbi thirrjet politike të tifozëve të saj në stadium. Mundësia më e mirë, ajo e përsëritjes që të riluhet pa tifozë, është i vetmi opsion që e shpëton Kosovën duke qenë se thirrjet politike të tifozëve janë të përsëritura.
Ndërkohë edhe mediat e huaja e kanë pasqyruar gjerësisht incidentin.

Tre opsionet e UEFA-s: Pse rrezikon më tepër Kosova të humbë

Artikulli i Reuters pas ndeshjes Rumani-Kosovë

Një ndeshje e Ligës së Kombeve ndërmjet Rumanisë dhe Kosovës në Bukuresht u ndërpre në kohën shtesë të premten pasi lojtarët vizitorë dolën nga fusha kur dëgjuan brohoritjet pro Serbisë nga tifozët vendas.

Ndërsa ndeshja shkonte drejt barazimit pa gola, kosovarët u nisën drejt dhomave të zhveshjes në minutën e 93-të pasi tifozët vendas brohoritën, "Serbia!” gjatë një shkëmbimi të nxehtë mes kapitenit të Kosovës Amir Rrahmani dhe sulmuesit rumun Denis Alibec.

Ndeshja fillimisht u ndërpre përpara se të braktisej kur skuadra e Kosovës e cila refuzoi të kthehej në fushë. UEFA tha se do të komunikojë "informacione të mëtejshme në kohën e duhur".

“Kjo ishte e tepërt”, tha më vonë Rrahmani në një konferencë për media. "Të gjithë duhet ta dinë se Kosova është Kosovë, ose Kosova është Shqipëri. Kjo është ajo. Këtu përfundon".
Kosova shpalli pavarësinë nga Serbia në vitin 2008 dhe është njohur nga më shumë se 100 vende, por jo nga Rumania.

Federata Rumune e Futbollit u gjobit nga UEFA vitin e kaluar për thirrjet pro Serbisë dhe vendosjen e një pankarte ku shkruhej "Kosova është Serbi" nga tifozët gjatë një ndeshjeje kualifikuese për Euro 2024 midis vendeve në të njëjtin stadium.

Muajin e kaluar, Federata e Futbollit e Kosovës u gjobit me një total prej 61,000 eurosh (64,000 dollarë) nga UEFA për incidentet gjatë ndeshjes së shtatorit të Ligës së Kombeve kundër Rumanisë në Prishtinë.

Më shumë se 90% e popullsisë së Kosovës janë të përkatësisë etnike shqiptare dhe sondazhet e opinionit kanë treguar mbështetje dërrmuese për bashkimin me Shqipërinë.

Përgatiti: Liberale.al

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH