Disa media në Kosovë dhe pamjet në rrjetet sociale tregojnë për një fushatë ku duket se qindra qytetarë ditët e fundit po kthehen në katolikë.
Famullia Shën Abrahami në Lapushnik po ndan prej disa ditëve imazhe të konvertimit të qytetarëve nga Kosova në katolikë.
"Urime të gjithë të pagëzuarve në Kishën e Gllogjanit!
Hire dhe Bekime nga I Madhi Zot!" shkruhet në një mesazh të fundit nga kisha (ndërkohë mesazhi përcillet me fotot më poshtë).
Sakaq mediat e Kosovës raportojnë se disa qytetarë të komunës së Deçanit me dëshirën e tyre janë konvertuar sot në famullinë e Gllogjanit nga feja islame në atë katolike.
Për këtë pagëzim, qytetarët e besimit katolik janë shprehur se nuk është i rëndësishëm se cilit religjion i përket, por të rëndësishme janë lutjet ndaj Zotit.
Miftar Lekaj, njëri nga ta pagëzuarit në fenë katolike, thotë se ka trashëguar emrin e katragjyshit të tij dhe për këtë arsye është konvertuar në fenë që ka pasur.
Si arsye tjetër, ai ka shtuar se ka dashur të largohet nga “ekstremistët” e fesë islame, duke thënë se konvertimi në fenë katolike i bashkon të gjithë shqiptarët.
“Këtu u zhvillua një betejë shumë e fortë, e mirë e shumë e gëzueshme. Unë e kam emrin Miftar, katragjyshi e ka pasur emrin Miftar, ma kanë ngjitur mua. Unë kam dal tash në fenë e babagjyshit e katragjyshit. Edhe çdo send që e kemi bë, e kemi bërë për t’u bashkuar shqiptarët. Qëllim me dalë prej “xheherlistave” edhe në fund me u kthye në fenë që e kam pasur”, thotë Lekaj.
Kryetari i bashkësisë lokale të Gllogjanit Anton Antoni është shprehur se nuk ka asnjë tendencë ndaj feve të tjera dhe e gjitha ka ndodhur me dëshirë personale.
“Ka qenë një aktivitet kombëtar me vullnet të qytetarëve që kanë pasur dëshirë të vijnë në këtë kishë katolike. Asnjë organizim, e dyta nuk ka asnjë tendencë ndaj feve të tjera. Këtu jemi të gjithë shqiptarë dhe dëshira e disa qytetarëve, me vullnetin e tyre, pa imponime kanë pasur dëshirë në këtë kishë shqiptare të historisë së përvuajtur kombëtare, kanë ardhur dhe janë pagëzuar”, tha Antoni.
Po ashtu, një aktivist në lëvizjen kombëtare të Deçanit, Pren Marleku ka shtuar se besimi fetar është çështje personale shpirtërore dhe nuk duhet të gjykohet.
“Është rilindje e dytë dhe besoj që populli shqiptar aty ku e ka krijuar krijuesi gjeografikisht në Evropë ashtu edhe duhet të jemi e të orientohemi. Besimi është çështje personale shpirtërore, ne e keqkuptojmë. Si i lutesh Zotit është çështje individuale, por jo besimin me e hedh në rrugë, në shkollë, apo të pengohet tjetri si i lutet Zotit ndryshe. Unë më shumë kam shokë të besimit islam dhe kurrë nuk kemi pasur probleme. Ky është një virus shumë i rrezikshëm, i cili është duke infektuar rininë dhe pastaj është problem shumë i madh”, ka thënë ai.
Një qytetar tjetër i besimit katolik, Pashkë Mirdita ka theksuar se të gjithë shqiptarët janë vëllezër pa dallim feje.
“Janë bërë disa pagëzime, jemi të kënaqur. Të gjithë jemi vëllezër, pa dallim feje. Ka edhe njerëz që ndërhynë në gjëra pa lidhje, ato nuk duhet të ekzistojnë hiq”, ka theksuar ai.
Gjatë pagëzimit, prifti Don Pauli është shprehur se edhe 100 persona të tjerë pritet të konvertohen në fenë katolike.