Kosova

Qeveria e Kosovës miraton projektligjin për shfrytëzimin e burgut të Gjilanit për të dënuarit danezë

Shkruar nga Liberale

Qeveria e Kosovës miraton projektligjin për shfrytëzimin e burgut

Qeveria e Kosovës njoftoi të hënën se e ka miratuar Projektligjin e njëjtë për ratifikimin e një Traktati, që kishte arritur me Danimarkën për strehimin në burgjet kosovare të të burgosurve nga Danimarka, disa ditë pas dështimit të Kuvendit për ta ratifikuar atë.

“Çështja kryesore e trajtuar në këtë projektligj është ratifikimi i Traktatit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Danimarkës për shfrytëzimin e Institucionit Korrektues në Gjilan me qëllim të ekzekutimit të dënimeve daneze”, tha Qeveria në një komunikatë për media.

Blerim Sallahu, zëvendësministër i Drejtësisë i Kosovës, tha për Radion Evropa e Lirë se ky është Projektligji i njëjtë të cilin Kuvendi dështoi ta miratojë të enjten.

“Po, ne kemi negociuar me danezët dhe jemi pajtuar që të shkojë i njëjti draft në Qeveri dhe në Kuvend”, tha Sallahu.

Pas dështimit në Kuvend, Projektligji duhej të kthehej në Qeveri për t’u nisur nga pika zero, sipas rregullores. Kosova dhe Danimarka e nënshkruan letër-pëlqim për dërgimin e 300 të burgosurve nga shteti danez në Kosovë në dhjetor të vitit 2021. Në prill 2022, dokumenti u shndërrua në Traktat, sipas së cilit ishte paraparë që transferimi i të burgosurve të bëhej në fillim të vitit 2023.

Por, Kuvendi dështoi ta kalojë Traktatin të enjten, pasi ai mori vetëm 75 nga 80 votat e nevojshme të deputetëve. Qeveria duhet ta dërgojë në Kuvend këtë projektligj tani në një tentimin e dytë për ratifikim, megjithëse nuk ka pasur mbështetje për të nga një pjesë e opozitës. Me ligjin në Kosovë, marrëveshjet ndërkombëtare mund të ratifikohen vetëm me votat e dy të tretave të deputetëve.

Traktati ka kohëzgjatje prej dhjetë vjetësh. Aty parashihet që Danimarka të marrë në shfrytëzim qeli, të vetme dhe të përbashkëta, në burgun e Gjilanit – pjesa lindore e Kosovës. Në këmbim të kësaj, Kosova parashihet t’i fitojë mbi 200 milionë euro.

Nga shuma 200 milionë euro – sa parashihet të përfitonte Kosova – 30 milionë planifikohen të shkojnë për energji të ripërtrishme, ndërsa pjesa tjetër për investime në Shërbimin Korrektues të Kosovës. Danimarka, me hyrjen në fuqi të marrëveshjes, do t’i dorëzojë Kosovës një tarifë fillestare prej pesë milionë eurosh.

Ndërsa, pagesa do të bëhet në norma tremujore, gjatë 12 muajve të parë të shfrytëzimit të burgut, në pajtim me numrin e të burgosurve që objekti mund t’i strehojë. Sipas Traktatit, Danimarka nuk do të dërgojë të burgosur të dënuar për vepra terroriste, të burgosur të dënuar për krime të luftës dhe të burgosur të diagnostikuar me çrregullime të rënda mendore, të cilët kanë nevojë për kujdes mjekësor jashtë burgut.

Udhëheqësit dhe gardianët në burgun e Gjilanit do të jenë nga shteti i Danimarkës dhe Shërbimi Korrektues i Kosovës.

Autoritetet në Danimarkë kanë thënë më herët se kapacitetet e burgjeve të tyre janë mbushur 100%, pasi numri i të burgosurve është rritur për gati 20% nga viti 2015. Ekspertë të sigurisë në Kosovë kanë thënë më herët për REL-in se nuk ka vend për t’u shqetësuar për situatën e sigurisë nga ardhja e të burgosurve nga Danimarka. Por, përfaqësues të disa organizatave joqeveritare kanë thënë se ky transferim mund të ndikojë në standardin e të burgosurve lokalë.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH