Kosova

PROFILI I DITËS- Vjosa Osmani, eleganca përballë muskujve

Shkruar nga Reldar Dedaj
PROFILI I DITËS- Vjosa Osmani, eleganca përballë muskujve

Gjithçka ndodhi pesëmbëdhjetë vjet më parë. Atëherë, kur Presidenti dhe Kryeministri i Kosovës po bënin një paraqitje me peshë të madhe për shtetin e Kosovës në Uashington, vëmendjen e të gjithëve e mori një vajzë e re. Vjosa Osmani, e cila atë ditë po bënte përkthyesen, ndërsa ishte shefe e kabinetit të kryetarit Fatmir Sejdiu, bëri një ndërhyrje në prezantim. Ajo korrigjoi kryeministrin Hashim Thaçi, i cili ngatërroi sekretaren Hillary Clinton me paraardhësen e saj gjatë luftës së Kosovës, Madeleine Albright.

Ky rast nuk do të ishte i pari dhe i vetmi që Osmani do korrigjonte Thaçin. E ardhmja politike e saj, do ishte një betejë e pareshtur jo vetëm për t’a përmirësuar, por edhe për t’a hequr tërësisht nga dominimi këtë të dytin nga skena politike e Kosovës. Gruaja që për tri mandate ishte deputete e LDK-së, u personifikua si kundërshtare e ashpër e ish-kryeministrit dhe kreut të PDK-së Hashim Thaçi dhe jo vetëm e tij, por edhe krerëve të tjerë të UÇK-së, të cilët pas luftës u rehatuan dhe morën poste të larta politike si dhe në administratën shtetërore në vend.

Ajo ishte ndër të rrallat deputete nga radhët e LDK-së që refuzoi të votojë Hashim Thaçin për kryetar të shtetit të Kosovës, pavarësisht marrëveshjes së nënshkruar mes LDK-së dhe PDK-së. Armiqësia me Hashim Thaçin, bëri që ajo të ketë raporte të dobëta me kreun e partisë së saj, Isa Mustafa. Ftohja me kreun e partisë, bëri që Osmani të mbetej në hije gjatë legjislaturës së viteve 2014-2017. Pavarësisht kësaj, ajo se harroi kurrë opozitarizmin e vet, duke mos heshtur rreth Thaçit as në mandatin e fundit të saj, kur edhe u shpall në vitin 2017 si gruaja më e votuar në Kosovë, ku më shumë se 60 mijë kosovarë i dhanë besimin.   

Për një grua që është marrë që në rininë e saj me politikë, fillimisht si aktiviste dhe më pas si ligjvënëse, është e vështirë të pranojë se Kosova ka mbetur gjithashtu në jermin e rrotullimit në vend, rreth lëngatave të saj që duken si endemike. Një kosovar në emigracion apo një i huaj çfarëdo që e viziton në mënyrë periodike Kosovën, fjala vjen një herë në katër pesë vjet, aq sa e gjen të ndryshuar duke e parë, po aq e gjen të njëjtë duke e dëgjuar e lexuar. E njëjta gjuhë e ashpër, e varfër, e cekët – gjuhë parullash dhe llogoresh – e politikanëve dhe ndjekësve të tyre; të njëjtat tema në shqyrtim, që shkunden e shkunden nga e para dhe njëlloj si herën e parë edhe herën e njëmijtë, të njëjtat trajtime, të njëjtat tone. E me radhë, e me radhë.

Pavarësisht këtij vokacioni të saj për shtetin amë, 42-vjeçarja nga Mitrovica po përballet me një metamorfozë të frikshme, duke menduar gjithmonë se është e vetëdijshme për atë se çfarë ndodhi me Kosovën e pas luftës, ku çlirimtarët u bënë pushtetarë dhe pushteti u shndërrua në përfitim dhe ku vetë ata, çlirimtarët, krijuan modelin më të shëmtuar të liberatorit, duke shkuar më në fund deri atje, ku rruga nga heronjtë te banditët në Kosovë u bë akoma edhe më e shkurtër nga sa ç’ishte.

Ajo mendon se krerët e partive kryesore në Kosovë, duket se vijnë nga i njëjti material njerëzor, elitat politike kundërshtare nuk arritën të diferencoheshin kurrë në ide, në programe, në gjithë atë që është kultura e ngjyrës politike dhe e ideologjisë. Më shumë se sa ta kishin si atribut, këto parti dhe drejtuesit e tyre e simulonin ndryshimin dhe e gjithë kjo vjen, sipas saj, si pasojë e mungesës së ndryshimit real, që është punë e kohës dhe fateve të saj, por nganjëherë edhe e viteve që pasojnë. Për Vjosa Osmanin, mungesa e këtij ndryshimi real e kompleksoi klasën politike në vend, duke i detyruar këta të fundit, në njëfarë mënyrë, për t’i dhënë jetë një konfliktualiteti të ashpër, acidik, ndërsjelltazi përjashtues, që nuk gjente justifikim asnjëherë në orjentimin komun perëndimor. Ashtu siç bënë keq luftën, bënë keq edhe paqen kur e bënë ndonjëherë. Sepse nuk ishin të vërtetë në asnjerën. Ngjan si paradoks, por është e vërtetë: partitë dhe politikanët në krye të tyre merren vesh më mirë kur janë realisht të ndryshëm se sa të njejtë për çeshtjet e përbashkëta dhe për ato të bashkëjetesës demokratike.

Ndërkaq, një tjetër plagë e shtetit të Kosovës, është edhe pandëshkueshmëria. Kjo e fundit, sipas saj, është pikërisht ajo që shpjegon shumë prej fenomeneve të kosovarëve që kanë çuditur njerëzinë, siç është marrja peng e progresit ekonomik, promovimi i injorancës dhe krimit në politikë, shkelja e mjaft lirive dhe të drejtave demokratike, thyerjet e mëdha shoqërore, morale dhe etike, që janë mjeshtëria e uzurpatorëve me turne të pushtetit në Kosovë, vrasja graduale e shpresës popullore për një demokraci normale dhe si konkluzion i gjithë listës së gjatë të këtyre pasojave ka ardhur zbrazja e pambaruar e vendit, ikja pothuajse pa pauza e njerëzve nga atdheu tashmë jo më për një copë bukë dhe as nga kërcënimi i jetës, por për shumë arsye të tjera që lidhen me dinjitetin e familjeve dhe personit e deri me shijet që neverisin politikbërjen.

Dhe për Vjosa Osmanin kjo ngjarje nuk është një ngjarje e çfarëdoshme, pasi nuk beson se ka ndonjë qytetar normal të Kosovës, i cili nuk shfaq ndjeshmëri ndaj skenave të dhembshme të emigrimit, të ikjes. Emigrimin dhe ikjen nuk e shpikën kosovarët, por ata kanë ndjeshmërinë më të madhe për këtë fenomen, sepse ikjet e këtilla iu kujtojnë kohët më të errëta të historisë. Ikje masive ka pasur dhe vazhdon të ketë Shqipëria, Serbia, Bosnja, Maqedonia, madje Rumania dhe Bullgaria, tash së fundi edhe Greqia. 

E kapur si në kurth, me shumë gjasa, ajo s’mendon se fati i gjithë këtyre njerëzve që mund t’a ruanin sadopak këtë ind shoqëror, është vulosur: në rastin më të mirë, ata do të përmbyllin rrugën e shpëtimit, po ashtu si kafshët që për të luftuar kundër rrezikut janë fshehur në skutat e qeta dhe janë rënduar duke u veshur me një lëvozhgë. Në rastin më të keq: do të zhduken aty ku janë, të bluar mes dy nofullash të ndryshme të politikës së sotme.

Ndoshta për hir të këtij kurthi dhe për asgjë tjetër në këtë botë, vajza që u lind në Mitrovicë, mes përplasjeve të vazhdueshme politike dhe etnike mes serbëve dhe shqiptarëve të Kosovës, është e vetëdijshme më shumë se asnjëherë tjetër se synimi i saj i parë do të jetë të gjej fjalët e duhura për të bindur bashkëkombasit, “shokët e udhëtimit”, që anija ku kanë hipur është shmangur tashmë nga drejtimi, është pa kapiten, pa pamje të qartë, pa pikësynim, pa busull, në një det me dallgë dhe se është urgjente të bëhet një përpjekje për ta shpëtuar prej mbytjes.

Kosova është ndalur dhe tani po mban frymën. Asgjë nuk mban, gjithçka kalon, thotë maksima heraklitiane. Vendi po pret një zhvillim të ri, të panjohur, që mund të përshkruhet si fundi i sundimit të liderëve populistë... edhe i Albinit Kurtit, i cili nuk është ndryshe nga sundimi i komandantëve të luftës./Liberale.al

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH