Dy persona kanë mbetur të vrarë me armë zjarri pasditen e kësaj të mërkure në qendër të qytetit të Klinës, në Kosovë. Sipas asaj që raportojnë mediat vendase, ngjarja ndodhi në një lokal në sheshin “Mujë Krasniqi”, për shkaqe dhe në rrethana momentalisht të panjohura.
Njëri prej viktimave gjeti vdekjen në vendin e ngjarjes, ndërsa tjetri mbeti fillimisht i plagosur rëndë. Ai u dërgua me urgjencë në spital, por nuk mundi t’i mbijetonte plagëve të marra dhe gjeti vdekjen pak kohë më pas. Identiteti i viktimave nuk bëhet ende i ditur. Paraprakisht raportohet se ata janë pjesëtarë të së njëjtës familje.
Policia, në një reagim për mediat tha se kishte vënë në pranga një person, si autor të dyshuar.
“Rreth orës 17:17 policia është njoftuar për të shtëna me armë zjarri në sheshin “Mujë Krasniqi” në një lokal sipas informatave të para një person është pa shenja jete vdekjen e ka konstatuar mjeku kujdestar, ndërsa një person tjetër është dërguar në emergjencë. Një i dyshuar lidhur me rastin është arrestuar”, tha policia e Kosovës.
Ndërkohë në pamje shihet dhe i riu pajetë, që qëndron i ulur në karrige brenda në lokal.