Nëna dhe djali i saj nga Kosova janë mbytur në një pishinë, në rrethena ende të paqarta. Besohet se e ëma është futur të shpëtojë djalin, por ka humbur jetën edhe ajo, ndërkohë bëhet fjalë për një familje emigrantësh që jetonte në Kanada.
Një i afërm i familjes, Blerim Brahimi, shkroi lidhur me tragjedinë:
"Po shkruaj me shum shum dhimbje për t'ju njoftuar se me 10 Qershor2025 përjetuam një humbje shum te madhe: Elzina dhe Djali i vogel Elon ndërruan jetë.
Kjo përvojë e vështirë është jashtëzakonisht e dhimbshme dhe më duhet kohë të bashkohem me familjen time dhe ta kaloj këtë kohë te veshtire. Faleminderit për dhembshurinë tuaj."
Kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj, reagoi po ashtu për rastin tragjik që ka ndodhur sot.
“Elzina dhe Elon u prefshi në paqe!
Na e keni vrarë zemren sot!
Lagjës sonë ka me i mungu buzëqeshja e mirësia jote Elzina Halit Ramosaj dhe birit tënd Elonit!
Lamtumirë jetimja e buzëqeshur e lagjes sonë!”, shkruan në njoftimin e Ramosajt.
Kryekomunari dha detaje rreth ngjarjes së rëndë.
“Ngjarja ka ndodhur në një vend jashtë Kosovës. Detajet nuk i di. I biri ka rënë në pishinë dhe nëna duke tentuar ta shpetojë, kanë vdekur të dytë”, deklaroi ai për Klankosova.tv
“Jemi të shokuar. Kemi qenë në një lagje, jemi rritur bashkë rrugëve të lagjes. Jam i shokuar dhe pa fjalë. Dhimbje shumë e madhe”, deklaroi ai.
“Tani jemi duke shkuar tek familja e saj”, përfundoi deklarimi i kryebashkiakut të Deçanit.