Kosova

Nga nesër Euro-ja do të jetë monedha e vetme në Kosovë, merr fund Dinari

Shkruar nga Liberale

Nga nesër Euro-ja do të jetë monedha e vetme në Kosovë,

Duke nisur nga 13 maji [nesër], Euro do të jetë valuta e vetme për transaksione në Kosovë, pasi periudha transitore e Bankës Qendrore të Kosovës do të përfundojë sot.

Gjatë kësaj periudhe janë ofruar informacione për qytetarët rreth zbatimit të Rregullores për pagesa me para të gatshme. Nga nesër, sipas Rregullores, do të ketë masa ndëshkuese.

Bankat e nivelit të dytë që operojnë në Kosovë janë udhëzuar që të hapin degë të reja në veri.

“Valutat tjera jo euro mund të përdoren në Republikën e Kosovës si vlera për ruajtje në formë fizike apo në llogaritë bankare në valuta jo euro, për kryerjen e pagesave ndërkombëtare në valuta jo euro dhe për aktivitetet e këmbimit valutor”, citohet në Rregulloren e BQK-së.

Plani i BQK-së për zbatim të lehtësuar të Rregullores për Operacione me Para të Gatshme, i publikuar më 12 shkurt, “nuk duhet të zgjasë më shumë se tre muaj”.

Ditë më parë, kryeministri Albin Kurti i pyetur se çfarë do të ndodhë pas përfundimit të fazës transitore, ka thënë se “ajo që vendos është BQK-ja, e jo ekzekutivi”.

Më 1 shkurt ka hyrë në fuqi Rregullorja e re e Bankës Qendrore të Kosovës, që parasheh euron si valutën e vetme për kryerjen e pagesave.

Komuniteti ndërkombëtar i ka kërkuar Kosovës që të shtyjë zbatimin e Rregullores, me qëllim që të gjendet një zgjidhje për popullsinë në veri të Kosovës – të banuar me shumicë serbe – që preket nga vendimi.

Serbët në Kosovë, për vite të tëra, pranojnë pagesa me dinarë nga buxheti i Serbisë. Por as pas gjashtë takimeve në Bruksel nuk u arrit ndonjë marrëveshje.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH