Kosova

Kurti, thirrje BE-së t’i japë Kosovës statusin e kandidatit

Shkruar nga Liberale

Kurti, thirrje BE-së t’i japë Kosovës statusin e kandidatit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha të hënën se afrimi me strukturat e Bashkimit Evropian është përgjigja më e mirë ndaj “kërcënimeve të sigurisë” ndaj Ballkanit Perëndimor dhe rruga drejt paqes, qëndrueshmërisë dhe begatisë në rajon.

“Bashkimi Evropian dhe NATO-ja i janë përgjigjur me të drejtë agresionit të Rusisë në Ukrainë dhe kërcënimeve të sigurisë ndaj Evropës, jo duke e përkëdhelur Putinin, por duke anëtarësuar Finlandën dhe Suedinë në NATO dhe duke u dhënë statusin e vendeve kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian, Ukrainës, Gjeorgjisë dhe Moldavisë.

Kërcënimi i sigurisë ndaj Ballkanit Perëndimor nga Serbia duhet të trajtohet me të njëjtën qasje, duke i dhënë Kosovës statusin e vendit kandidati për Bashkimin Evropian dhe anëtarësimin e saj në Këshillin e Evropës”, tha kryeministri Kurti, gjatë punimeve të një konference me temën “Diplomacia Parlamentare për Sigurinë Rajonale dhe Integrimin Euroatlantik”, në Prishtinë.

Kryeministri Kurti akuzoi Serbinë se duke mos qenë e interesuar për anëtarësimin në NATO dhe as në Bashkimin Evropian, kërkon të bllokojë përparimin e të gjithë rajonit.

Kosova është i vetmi vend në rajon që nuk ka statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, pesë vende anëtare të të cilit nuk e njohin pavarësinë e saj. Përparimi i Kosovës dhe i Serbisë drejt integrimeve evropiane kushtëzohet me përparimin në procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet tyre, i cili ende duket i largët dhe gjatë vitit të kaluar palët kaluan nëpër periudha tensionesh të larta ndërmjet tyre.

Kosova aktualisht nën masa ndëshkuese për shkak të tensioneve në veriun e saj të banuar me shumicë serbe.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH