Kosova

Kosovë, miratohet buxheti i vitit 2025 prej 3.6 miliardë eurosh

Shkruar nga Liberale

Kosovë, miratohet buxheti i vitit 2025 prej 3.6 miliardë eurosh

Me 61 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, parlamenti i Kosovës miratoi të hënën në lexim të dytë projekt buxhetin prej 3.6 miliardë eurosh për vitin 2025, mes mospajtimeve e kritikave të partive opozitare.

Opozita e akuzoi partinë në pushtet, Vetëvendosje, për shkelje procedurale përgjatë trajtimit të projekt buxhetit ndërsa vlerësoi përmbajtjen e tij si kundërkushtetuese.

“Ne si grup parlamentar nuk do ta dërgojmë këtë ligj në gjykatën Kushtetuese, por i bëjmë thirrje presidentes së Kosovës që të jetë në detyrën e vet kushtetuese dhe të garantojë që ligji të kthehet në kuvend dhe t’i plotësojë kriteret e duhura. Kjo do të garantonte një funksionalitet dhe vendi do të kishte buxhet. Përndryshe është jashtëzakonisht e rrezikshme shkuarja në zgjedhje në hipotezën që ne e dërgojmë projektligjin në gjykatën Kushtetuese sepse ai do të bllokohet të paktën për gjashtë muaj dhe kjo do të thoshte kolaps për financat e shtetit. Nuk jemi të interesuar të bëjmë kolaps në financat e shtetit”, tha Arben Gashi nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

“Procedura se si ka ardhur buxheti i vitit 2025 në leximin e dytë në Kuvend të Kosovës e them me përgjegjësinë më të lartë se është procedura e cila do ta turpërojë përgjithmonë këtë shumicë parlamentare që udhëheq qeverinë. Në fund të mandatit, pa pasur nevojë për asnjë emergjencë, pa pasur nevojë për asnjë afat kohor seanca kundërligjshëm e fut në debat trajtimin me urgjencë të buxhetit, duke e mbytur mundësinë e të zgjedhurve të popullit që të marrin pjesë dhe të kontribuojnë në hartim të buxhetit, që është detyrë e jonë parësore”, tha Besnik Tahiri nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

“Mendoj që duhet t’i nënshtrohet edhe një herë vlerësimit të deputetëve, kemi kohë, prandaj duhet edhe një herë t’i nënshtrohet një diskutimi të thellë dhe jo në afate të përshpejtuara dhe në procedura të shkurtuara siç ka ndodhur. Ne nuk mund ta bëjmë punën e prokurorit, as të hetuesit e as të gjyqtarit, por mund ta bëjmë punën e deputetit”, tha Abelard Tahiri nga Partia Demokratike e Kosovës.

Por, kryetari i Komisionit për Buxhet, nga radhët e Vetëvendosjes, Armend Muja tha se të gjitha amendamentet të cilat kanë shkuar në komision janë trajtuar, duke hedhur poshtë pretendimet e opozitës se nuk kishte kohë të mjaftueshme për përgatitjen e tyre.

“I patëm 122 amendamente nga opozita, është numri rekord i amendamenteve që kemi pasur ndonjëherë, për t’iu përgjigjur të gjitha atyre argumenteve që nuk ka pasur kohë mjaftueshëm për përgatitjen e tyre”, tha Zoti Muja duke theksuar se “qëllimi i opozitës nuk ka qenë asnjëherë të vijnë në Komision e të argumentojnë që të aprovohen amendamentet e tyre, por qëllimi është që këtu të bëhet një debat parazgjedhor”.

Projekt buxheti për vitin 2025 u miratua në lexim të parë nga parlamenti i Kosovës me 11 nëntor dhe në përfundim të mbledhjes së parlamentit, partia në pushtet shtroi kërkesë për një mocion procedural për shmangie nga afatet e rregullores së parlamentit duke propozuar që amendamentet të mund t’i drejtohen komisionit vetëm deri me 13 nëntor.

Me gjithë kundërshtimin e opozitës, e cila e vlerësoi të paarsyeshme kërkesën, mocioni u miratua në parlament duke vendosur gjithashtu që leximi i dytë i projekt buxhetit të kryhet sot.

Rregullorja e parlamentit të Kosovës thotë se “pas miratimit në shqyrtim të parë, projektligji shqyrtohet nga komisioni përgjegjës-raportues” dhe se “amendamentet i adresohen Komisionit përgjegjës-raportues brenda pesëmbëdhjetë ditësh nga dita miratimit në parim”. Në këtë rregullore gjithashtu përcaktohet se “shmangia nga afatet mund të bëhet kur nuk bie në kundërshtim me dispozitat e Kushtetutës së Republikës së Kosovës”.

Kryetari i parlamentit të Kosovës, Glauk Konjufca, tha se do të kërkojë shqyrtim të shkeljeve të mundshme procedurale nga zyra ligjore e parlamentit dhe në bazë të komenteve të kësaj zyre do të trajtohen pasojat e mundshme.

Opozita këmbëngul se buxheti nuk përfaqëson kërkesat dhe pritshmëritë e qytetarëve dhe se është “buxhet i mbijetesës e jo zhvillimit”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti para miratimit në lexim të parë ka theksuar se buxheti parasheh rritjen e fuqisë blerëse për secilën familje duke nënvizuar se përparësi është zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik, vazhdimi i krijimit të vendeve të reja të punës dhe rritja e mirëqenies për të gjithë.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH