Kosova

Ish-ministri shqiptar dënohet me 3 vite e 8 muaj burg 

Shkruar nga Liberale

Ish-ministri shqiptar dënohet me 3 vite e 8 muaj burg 

Ish-Ministri kosovar, Pal Lekaj është dënuar me 3 vite e tetë muaj burg efektiv, në lidhje me pagesën prej 53 milionë eurove që Qeveria e Kosovës i kishte paguar “Bechtel-Enkës” për zgjatjen e afatit të përfundimit të punimeve në autostradën ‘Arbën Xhaferi’, raporton T7.

Prokuroria Speciale më 4 shkurt të vitit 2022 kishte ngritur aktakuzë ndaj ish-ministrit të Infrastrukturës Pal Lekaj, këshilltarit të tij politik Eset Berisha dhe Sekretarit të përgjithshëm të Ministrisë së Infrastrukturës, Nebih Shatrit dhe Besim Tahirit, lidhur me shpërdorimin e 53 milionë eurove për kompaninë “Bechtel-Enkës” e cila ishte kontraktuar për ta ndërtuar autostradën “Arbën Xhaferi”.

Sipas aktakuzës, Pal Lekaj, Nebih Shatri dhe Besim Tahiri i kanë tejkaluar kompetencat dhe nuk i kanë përmbushur detyrat e tyre zyrtare me datë 29 shatator të  vitit 2017.

Sipas prokurorisë keqpërdorimi ka ndodhur në momentin kur të lartpërmendurit kanë nënshkruar marrëveshjen për shtyrjen e afatit të përfundimit të punimeve për 347 ditë të tjera, për autostradën “Arbën Xhaferi” apo e njohur si R6.

Përfundimi i autostradës me kontratën bazë e cila ishte lidhur në vitin 2014 parashihej të përfundonte me 18 janar të vitit 2018, kurse me marrëveshjen e re të lidhur nga të pandehurit, kontrata tashmë do të përfundonte në fund të muajit  dhjetor të vitit 2018.

Kjo marrëveshje, sipas prokurorisë, nga të pandehurit ishte lidhur pa kosot financiare që ishte në kundërshtim me ligjin e prokurimit publik dhe me Statutin dhe Kodin e Sjelljes të Komitetit Drejtues Ndërministror. Duke mos përcaktuar koston në marrëveshje, prokuroria thotë që të pandehurit i kanë lënë rrugën hapur kompanisë “Bechtel & Enka” që të paraqesë kërkesë për pagesë.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH