Kosova

Çështja e dinarit "shkon" në Bruksel, Bislimi dhe Petkoviç takim sot "kokë më kokë"

Shkruar nga Liberale

Çështja e dinarit "shkon" në Bruksel, Bislimi

Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, dhe ai i Serbisë, Petar Petkoviq, do të takohen sot në Bruksel për t’i vazhduar diskutimet për çështjen e dinarit serb, përdorimi i të cilit u ndalua në Kosovë muajin e kaluar.

Takimi i tyre, nën ndërmjetësimin e përfaqësuesit të posaçëm të Bashkimit Evropian, Mirosllav Lajçak, është vazhdim i takimit të javës së kaluar, kur të dyja palët u pajtuan për të propozuar një zgjidhje për çështjen e dinarit.

Në takimin e sotëm, ata pritet t’i diskutojnë propozimet e secilës palë.

Përdorimi i dinarit për pagesa me para të gatshme në Kosovë u ndalua më 1 shkurt, kur Banka Qendrore e Kosovës e futi në fuqi një rregullore të re e cila përcaktoi euron si valutën e vetme zyrtare në vend.

Kjo çështje, pos që zemëroi Serbinë, nxiti mospajtime edhe mes Qeverisë së Kosovës dhe bashkësisë ndërkombëtare, pasi komuniteti serb në Kosovë, prej vitesh, merr pagesa në dinarë nga buxheti i Serbisë.

Diplomatë perëndimorë i kërkuan Kosovës që ta pezullojë rregulloren, për t’iu dhënë kohë qytetarëve të prekur që të përshtaten me praktikën e re.

Në një intervistë dhënë REL-it javën e kaluar, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se nuk do të pranohen propozime për dinarin që janë në kundërshtim me rregulloren e BQK-së.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH