Kosova

Dialogu Kosovë-Serbi, Lajçak nis takimet në Prishtinë

Shkruar nga Liberale

Dialogu Kosovë-Serbi, Lajçak nis takimet në Prishtinë

I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, ka nisur vizitën në Kosovë më 6 shtator.

Mëngjesin e së premtes, ai u pa duke hyrë në Qeverinë e Kosovës për t’u takuar me kryenegociatorin e Kosovës, njëherësh zëvendëskryeministrin, Besnik Bislimi.

Vizita e emisarit të BE-së në Kosovë synon përgatitjen e një rundi të ri të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, në nivel të kryenegociatorëve.

Kësaj radhe, sipas burimeve të Radios Evropa e Lirë në Bruksel, Lajçak pas Prishtinës nuk do ta vizitojë Beogradin. Javën e kaluar, gjatë pjesëmarrjes në forumin për siguri, Globsec, emisari evropian u takua me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Pragë.

Bashkimi Evropian së fundi ka përsëritur thirrjet ndaj autoriteteve të Kosovës që të përmbahen nga hapat e njëanshëm dhe të pakoordinuar, që sipas BE-së, mund të rrisin tensionet në veriun e banuar me shumicë serbe.

BE-ja, por edhe Shtetet e Bashkuara, Franca, Britania dhe Gjermania kanë kritikuar Kosovën për, siç kanë thënë, veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara, në veriun e banuar me shumicë serbe. Këto kritika janë bërë pasi më 30 gusht, Kosova mbylli pesë institucione që funksiononin sipas sistemit serb.

Sipas zyrtarëve shtetërorë në Kosovë, ato institucione kanë shkelur kushtetutshmërinë dhe ligjet e Republikës së Kosovës”.

Institucionet e mbyllura më 30 gusht ishin: Qarku i Mitrovicës së Kosovës, Komuna paralele e Mitrovicës, Komuna paralele e Zveçanit, Komuna paralele e Zubin Potokut dhe Komuna paralele e Leposaviqit.

Në Kosovë, ka komuna, kompani e ndërmarrje publike, çerdhe, shkolla fillore, të mesme dhe universitete publike që financohen drejtpërdrejt nga Qeveria e Serbisë, dhe të cilat gjenden në qytetet dhe vendbanimet ku jetojnë komuniteti serb.

Këto institucione sipas ligjeve në Kosovë janë ilegale.

Më 2013, Kosova dhe Serbia në dialogun për normalizimin e raporteve në Bruksel, kishin arritur një marrëveshje për shuarjen e institucioneve paralele, por ende kjo marrëveshje nuk është zbatuar plotësisht./rel

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH