I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, ka thënë të martën se ndihet optimist për pak përparim të arritur në disa çështje me rëndësi gjatë një takimi të kryenegociatorëve javën e kaluar në Bruksel.
Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq, nuk arritën pajtueshmëri gjatë për mënyrën se si të ecet përpara në rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve fqinje gjatë takimit të tyre trepalësh me Lajçakun të enjten në Bruksel, por u pajtuan në disa çështje të tjera.
Lajçak tha të martën në Facebook se, derisa nuk u arrit ndonjë rezultat për rrugën drejt zbatimit të Marrëveshjes së viti 2023, “jam optimist për pak përparim të arritur në disa çështje të rëndësishme, për të cilat do të vazhdojmë punën në javët në vijim”.
Pas takimeve të së enjtes, Bislimi njoftoi se palët ishin pajtuar për disa çështje, përfshirë themelimin e një grupi punues, i cili do t’i harmonizojë rreth 20 certifikata veterinere, të cilat përdoren për kalimet kufitare mes Kosovës dhe Serbisë.
Kosova e ka akuzuar Serbinë në të kaluarën se i ka penguar mallrat dhe bizneset kosovare që kalojnë transit nëpër territorin e Serbisë, pasi Beogradi nuk njeh certifikatën fitosanitare të lëshuar nga Republika e Kosovës.